Ish-ministri Ylli Pango paraqitet në GJKKO si dëshmitar për dosjen “Partizani”
Sot mbahet gjyqi i themelit për dosjen “Partizani”.
Mësohet se ish-ministri Ylli Pango është paraqitur në gjykatë si dëshmitar.
Gjatë dëshmisë së tij, Pango deklaroi se ngjarjet datojnë rreth 18 vite më parë dhe se është e vështirë të kujtojë detaje apo dokumente konkrete pa u referuar materialeve të kohës. Ai tha se ka shërbyer në disa sektorë dhe se kujtesa e tij për disa vendime administrative është e kufizuar.
Diskutimet në sallë
SPAK: Na sqaroni në çfarë periudhe keni ushtruar detyrën e ministrit të Kulturës.
Pango: Nga marsi 2007 deri në vitin 2009. Kjo histori daton 18 vite më parë. Është shumë e vështirë të mbash mend një dokument apo një ligj, nëse nuk ka një arsye të fortë për ta kujtuar. Në media janë publikuar disa dokumente që ma kanë rifreskuar kujtesën. Nuk e mbaj mend saktësisht, sepse kam punuar në katër sektorë. Mund të mbaj mend një ligj për të cilin kam qenë vetë iniciator, ndërsa për këtë çështje di vetëm se thuhet që një pjesë e mirë e klubit ka qenë e zaptuar nga individë në atë kohë.
Pango: Jam rritur në atë lagje dhe e di që edhe pishina nuk funksiononte.
SPAK: A kanë qenë apo jo të regjistruara këto territore në pronësi të Ministrisë së Kulturës?
Pango: Nuk e mbaj mend.
SPAK: Ju sapo pohuat se tani e dini që një pjesë kishte qenë e zënë. Keni bërë ndonjë përpjekje për t’i marrë këto prona në administrim si ministër i Kulturës?
Pango: Nuk më kujtohet. Kanë kaluar 18 vjet.
Pango: Të jem i sinqertë, nuk më kujtohet të më ketë shqetësuar ndonjë rast i cenimit të një terreni sportiv. Sa i përket kompetencave të Ministrisë së Kulturës, sporti ishte në kujdesin e federatave. Ato kanë qenë shumë më të pavarura.
SPAK: Ju kujton gjë emri Afrim Tola?
Pango: Duhet të mundohem ta kujtoj. E kam hasur në media.
SPAK: Nga aktet rezulton se Violeta Shqevi, përmes një memoje, ju ka vënë në dijeni se ish-fushat e basketbollit ishin rrethuar dhe zënë forcërisht, si dhe ka kërkuar miratimin tuaj për regjistrimin e tyre.
Pango: Përgjigjja ime është se drejtoresha nuk e ka bërë kërkesën si njohëse e mirë e juridiksionit. Mund ta verifikoni në protokoll: në një nga mbledhjet e qeverisë kam pyetur kryeministrin pse kishim kaq pak asete dhe pse ato i mbeteshin Ministrisë së Ekonomisë. Nuk mora përgjigje. Nuk kishim aq shumë asete sa të nisnim procedura të tilla dhe nuk mendoja se dikush do të na i jepte në administrim në atë kohë. Do të ishte një pritshmëri jorealiste.
SPAK: Në një shkresë të 8 majit 2007, i jeni drejtuar Këshillit të Ministrave për disa ndryshime në ligjin për sportin, duke propozuar që objektet sportive të jepeshin me koncesion, me kusht që të mos ndryshonin destinacion. Pse e keni propozuar këtë?
Pango: Në mbarë botën, klubet sportive përfitojnë kur gjendet një koncesionar serioz. Në këtë kuptim, mendoj se e kam bërë me idenë se përmes koncesioneve do të zhvillohej sporti.
Në një nga mbledhjet e para të qeverisë u kërkua të përshpejtohej procesi i privatizimeve. Mua më rezultonte se kisha në varësi Qendrën e Derdhjes së Monumenteve të Kulturës, një qendër të arteve, si dhe kompleksin shumësportësh. Pjesa që duhej të merrej në administrim nga ministria duhej të ishte e shoqëruar me dokumentacionin përkatës. Që nga qeverisja Nano ishte dhënë urdhri që të merrej në administrim nga ministria.
Jam rritur në atë lagje që fëmijë. E di që edhe pishina nuk funksiononte për shkak të një lloj “pushtimi”. Kjo është një kujtesë e formuar si nga ajo që mbaj mend, ashtu edhe nga dokumentet që kam lexuar më vonë në media.
Sa i përket marrjes në administrim të këtyre objekteve nga ministria, nuk më kujtohet. Gjithashtu, nuk më kujtohet nëse Klubi Shumësportësh Partizani ushtronte aktivitet apo nëse ishte e regjistruar ndonjë shoqatë. Nuk kujtoj që të kishte shqetësime për sulmimin apo përvetësimin e terreneve sportive. Me sportin nuk kam pasur probleme. Fokusin kryesor e kam pasur te turizmi dhe trashëgimia kulturore.
Shtetasin Afrim Tola e kam dëgjuar si emër së fundmi. Nëse do ta shihja, ndoshta do ta kujtoja.
Ish-drejtoresha e Sporteve, Violeta Shqevi, më ka vënë në dukje se kishte kërkuar vijimin e një procedure regjistrimi, për shkak se një pjesë e territorit ishte rrethuar dhe disa prona ishin zaptuar. Më kujtohet se këtë ma kanë përmendur edhe oficerët e SPAK-ut gjatë pyetjes. Violeta nuk e njihte mirë problemin nga pikëpamja juridike. Nuk më kujtohet nëse kam ndërmarrë ndonjë veprim pas asaj shkrese. Nuk e di sipërfaqen e ish-Kompleksit Sportiv Partizani. Logjika ime është se një ministër që mbulonte katër sektorë nuk mund të mbajë mend detaje të tilla pas 18 vitesh.
SPAK: Ju kujtohet shkresa e disa familjeve, mes tyre familja Begeja, në vitin 2007 për privatizimin?
Pango: Këtë shkresë e kam lexuar këtë vit dhe, nëse ka ekzistuar, nuk mund ta kujtoj pas 18 vitesh. Kam dhënë një pëlqim.
SPAK: Në vitin 2008 i jeni drejtuar Këshillit të Ministrave duke shtuar edhe klauzolën e privatizimit. Pse lindi nevoja? Pse propozuat ndryshime të reja ligjore?
Pango: Nuk ka kontradiktë. Këtë e mbaj mend. Kjo iniciativë nuk ka qenë shprehimisht e imja. Nuk ka ardhur si rezultat i një shqetësimi personal. Nga sa kuptoj, ka qenë një iniciativë qeveritare, jo e imja si ministër, por e qeverisë.
Mbarojnë pyetjet e SPAK-ut.
Avokatja e Berishës: Ju thatë se Violeta Shqevi kishte ngritur këtë çështje. Cilat ishin detyrat e saj? A kishte kompetencë për regjistrimin e pronave?
Pango: As unë nuk e kisha atë kompetencë. Ne nuk kishim asete.
Avokatja e Berishës: Jeni në dijeni të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave? A mund të jepej me koncesion një objekt që ishte i pushtuar?
Pango: Ne kemi punuar për privatizimin në bazë të një vizioni që ishte prioritar për qeverinë.
Avokatja e Berishës: Në lidhje me Klubin Shumësportësh Partizani, keni folur me Berishën? E njihni Malltezin?
Pango: Nuk më kujtohet të kem folur me Berishën për këtë çështje. Nuk kam asnjë bisedë në kujtesë, as me Berishën dhe as me Malltezin lidhur me këtë rast.
KOHA JONË SONDAZH

