Kapet në flagrancë i dyshuari për zjarrvënie, ministri Lamallari thirrje Prokurorisë: Çojeni çështjen deri në fund

Një person është arrestuar në flagrancë nga Policia e Shtetit në Mirditë, pasi dyshohet se ka shkaktuar qëllimisht disa vatra zjarri në fshatin Gziq të Rrëshenit. Sipas ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i arrestuari, banues në këtë fshat, dyshohet se ka ndezur tre vatra zjarri, duke përfshirë një sipërfaqe pyjore prej rreth 400 metrash katrorë.

Zjarri është neutralizuar nga shërbimet policore të Mirditës, të cilat prej tre ditësh ndodheshin në terren për monitorimin e situatës. Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se personi i arrestuar mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera zjarrvëniesh në territorin e Bashkisë Mirditë.

Ministri Lamallari e cilësoi zjarrvënien e qëllimshme si një akt të rëndë kriminal dhe kërkoi që hetimi të vijojë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. “Hetim i plotë, prova të plota dhe përgjegjësi penale për autorin, nëse fajësia provohet”, u shpreh Lamallari, duke i bërë thirrje Prokurorisë që çështja të ndiqet deri në fund.

Swiss Digital Desktop Reklama

Postimi i plotë

Swiss Digital Mobile Reklama

Zjarret nuk janë “fatkeqësi”. Kur janë të qëllimshme, janë krim i cili është i destinuar të përsëritet nëse shkon pa ndëshkuar me gjithë forcën e ligjit dhe drejtësisë!
Pamjet janë të qarta: Policia ka arrestuar në flagrancë ditën e sotme një autor të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, pasi dyshohet se ka ndezur disa vatra zjarri në Mirditë.

Një piroman, banues në fshatin Gziq të Rrëshenit, qartësisht i vë zjarrin 3 vatrave të zjarrit në fshatin e tij duke djegur një sipërfaqe pyjore prej 400m², e cila fatmirësisht u vu nën kontroll nga shërbimet policore të Mirditës, të cilat ishin në ndjekje në terren prej tre ditësh. Ky shtetas dyshohet si autor i disa zjarrvënieve të tjera në territorin e Bashkisë Mirditë. Vatra të tjera u parandaluan nga arrestimi i tij në flagrancë nga Policia e Shtetit.

Tani është radha e drejtësisë. Apeli im për Prokurorinë është i drejtpërdrejtë: kjo çështje duhet të shkojë deri në fund. Hetim i plotë, prova të plota dhe përgjegjësi penale për autorin, nëse fajësia provohet ashtu siç dhe vetë autori e ka pranuar në momentin e arrestimit të tij.
Asnjë autor i zjarrvënieve të qëllimshme nuk duhet të llogarisë se do t’ia hedhë paq.

Jo në Mirditë.
Jo në Krujë.
Jo në Lurë, Dibër.
Jo askund në Shqipëri.

Policia ka referuar disa raste dhe do të vijojë të bëjë detyrën e saj për të identifikuar dhe arrestuar autorët. Prokuroria dhe gjykatat duhet të bëjnë të tyren: të sigurojnë që krimi të mos mbetet pa ndëshkim. Zjarri i qëllimshëm është krim me autor. Mosreagimi në kohë dhe me gjithë forcën dhe mekanizmat e ligjit është ‘fatkeqësia’ e vërtetë!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?