“Kthehet” vajza e legjendës për të nusëruar në tri net magjie të “Vajzë Fest 2026” në zemër të Labërisë
“Koha Jonë
Reportazh nga: Albert Vataj
Foto: Daniel Mucaku
Nga thellësia e kohës, atje ku legjenda nuk njeh harresë dhe kujtesa ruan ende gjurmët e hapave të të parëve, “kthehet” vajza e sinorëve. Kthehet për të nusëruar dhe pleqëruar, jo si një hije e së shkuarës, por si një prani e gjallë që, për tri ditë festive, zbret sërish në fshatin që mori emrin prej saj, në truallin ku historia, natyra dhe rrëfimi i brezave e kanë mbajtur të pashuar dritën e zemrës së famëmadhes Labëri.

Është Vajza e legjendës, ajo që e shkuara nuk e ka tretur në harresë, por e ka kthyer në një simbol të përkatësisë dhe identitetit që ngulmon të jetë ende e tashme. Çdo gusht, sikur të ishte thirrur nga zëri i vendlindjes, ajo rikthehet në Vajzë, e stolisur me hirin e një nuseje që nuk plaket, me kurorën e kujtesës mbi krye dhe me atë gëzim të lashtë që i paraprin një feste të madhe.

Këtë vit, ajo “nusëron” sërish në “Vajzë Fest 2026” gazmueshëm, duke i dhënë fshatit tri net magjie në zemër të Labërisë. Dhe në këtë rikthim nuk ka vetëm një figurë të legjendës, ka një simbolikë të tërë, një vend që zgjohet për të kujtuar veten, një komunitet që mblidhet rreth rrënjëve dhe një traditë që kërkon të bëhet e ardhme.

Vajza kthehet për të festuar me bijtë e saj
Kthehet për të sjellë me vete legjendën, por edhe për ta lënë atë të rilindë në një tjetër kohë. Kthehet për të dëshmuar se tradita nuk është një kujtim që pluhuroset, por një zjarr që duhet ushqyer. Se rrënjët nuk janë vetëm ajo që kemi pas nesh, por edhe ajo që na mban të drejtë përballë së ardhmes.
Në tri netët e “Vajzë Fest 2026”, legjenda bëhet këngë, kënga bëhet valle, vallja bëhet bashkim dhe bashkimi bëhet festë ku të gjithë sjellin zemrën e tyre për ta bërë shpirt të festimeve.
Dhe Vajza, si një nuse e përjetshme e Labërisë, del nga thellësia e legjendës për të hyrë sërish në dritën e ditëve tona.
Ajo nuk kthehet për të treguar se çfarë ka qenë.
Kthehet për të na kujtuar se çfarë jemi.
Dhe, mbi të gjitha, për të na thënë se një vend jeton për aq kohë sa bijtë e tij dinë të kthehen tek ai.

Në Vajzën e Ali Asllanit dhe Përlat Rexhepit
Në Vajzën e Selenicës, vendin që lidhet përjetësisht me emrin e poetit të madh Ali Asllani dhe me figurën e “Heroit të Popullit” Perlat Rexhepi, letërsia, kujtesa dhe historia, duket sikur marrin frymë në të njëjtin ritëm, me të njëjten energji përjetimi. Këtu, ku toka ruan gjurmët e njerëzve dhe gurët duket se kanë ende diçka për të treguar. “Vajzë Fest” vjen si një thirrje e gjakut, një rikthim te rrënjët dhe një zgjim i ndërgjegjes së përkatësisë.

Është një festë që nuk e sheh traditën si një relike të vendosur në vitrinën e së shkuarës, por si një trashëgimi të gjallë, që duhet të mëkohet, të përjetohet dhe t’u përcillet brezave. Në këtë kuptim, Vajza bëhet më shumë se një vend, bëhet një hapësirë ku e shkuara dhe e ardhmja takohen, ku kujtesa merr formë në këngë, në valle, në poezi, në sofrën e shtruar dhe në fjalën e urtë që kalon nga goja e të moshuarit te veshi i të riut.
Ali Asllani, një nga zërat më të fuqishëm e më kurajozë të satirës shqiptare, mjeshtër i stilit të natyrshëm, i pasur me leksikun e gjallë popullor të Labërisë dhe njëherazi poet elegant i lirizmit dhe ndjenjës patriotike, duket sikur vazhdon të jetë i pranishëm në këtë vend. Gjuha e tij, e ushqyer nga toka, njerëzit, zakonet dhe ritmi i jetës së kësaj treve, e ka tejkaluar kohën për t’u bërë pjesë e kujtesës sonë letrare.
Ndërsa Perlat Rexhepi përfaqëson një tjetër dimension të kësaj kujtese, atë të sakrificës dhe të qëndresës. Emri i tij, i vendosur në zemrën e vendlindjes, nuk është vetëm një shenjë nderimi, por një dëshmi se historia e një vendi shkruhet edhe me jetën e bijve të tij.
Mes këtyre dy figurave, “Vajzë Fest” merr një kuptim më të thellë. Ajo bëhet një amanet i gjallë, një mënyrë për ta mbajtur ndezur zjarrin e identitetit dhe për ta shndërruar trashëgiminë në energji të së tashmes.

Këtu, tradita nuk është vetëm ajo që kujtojmë, por ajo që zgjedhim të mos e humbasim
Është zëri i këngës polifonike që ngrihet mbi kodrat. Është vallja që i jep trup kujtesës. Është poezia që e bën tokën të flasë. Është buka e ndarë në sofër, mikpritja që nuk pyet kush je dhe nga ke ardhur. Është guri i vjetër që mban në heshtje historinë e atyre që kanë kaluar para nesh.
Dhe mbi të gjitha, është ajo ndjenjë e vështirë për t’u përkufizuar, por e pamundur për t’u mohuar, ndjenja se i përket një vendi dhe se një vend të përket ty.

Prandaj “Vajzë Fest” është më shumë se një festival
Është thirrje e gjakut dhe kthim te rrënjët, është zgjim i traditës dhe mëkim i trashëgimisë, është një bekim që lidh brezat me frymën e amanetit.
Amanetit të legjendës, të zërit, të fjalës, të tokës, të gurit dhe të bukës.
Një amanet që nuk kërkon të na mbajë peng të së shkuarës, por të na japë forcën për të ardhmen. Sepse rrënjët nuk janë për të na ndalur në vend. Janë për të na mbajtur në këmbë.

“Vajzë Fest” në edicionin e katërt
Më 14, 15 dhe 16 gusht, Vajza e Selenicës u shndërrua në një skenë të hapur ku historia, arti, natyra, kujtesa dhe mikpritja labë u bashkuan në një kremte të pazakontë. Për të katërtin vit radhazi, festivali riktheu në këtë cep të Labërisë një traditë që tashmë po fiton identitetin e vet, duke e kthyer fshatin jo vetëm në një destinacion të festës, por në një pikëtakim të kulturës dhe kujtesës.
Sepse “Vajzë Fest” nuk është vetëm një spektakël. Është një thirrje e rrënjëve. Një mënyrë për t’i thënë së shkuarës se ajo nuk është muze, por një burim i gjallë prej nga mund të ushqehet e tashmja. Është një përpjekje për ta kthyer traditën në përjetim dhe trashëgiminë në një forcë që bashkon.

Vajza, vendlindja e poetit të madh Ali Asllani dhe e Heroit të Popullit Perlat Rexhepi, për tri ditë u mbush me artistë, krijues, personalitete publike, gazetarë, vizitorë e turistë. Rrugët e fshatit, oborret, sofrat dhe sheshet u bënë pjesë e një skene të vetme, ku secili kishte një rol në këtë rrëfim të përbashkët.

Kur gjyqtarja heq mantelin dhe vesh kostumin e traditës
Siparin e festivalit e hapi me praninë e saj të rrezellitëse, Eda Sadushi, e cila, përtej rolit të saj institucional si gjykatëse, në këtë mbrëmje hoqi simbolikisht mantelin e vendimmarrëses për të veshur kostumin tradicional dhe për t’u bërë pjesë e ceremonisë së një feste ku gjykimi më i rëndësishëm ishte ai i zemrës.

Në skenën e Vajzës, fjala nuk kishte vetëm funksionin e përshëndetjes. Ajo u bë një urë mes asaj që ka qenë dhe asaj që kërkon të bëhet.
Fjalën e parë e mbajti kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili foli për historinë, potencialin turistik dhe pasuritë e kësaj treve, duke përcjellë edhe një mesazh për kryeministrin Edi Rama për mbështetjen dhe vëmendjen që kërkon kjo zonë.

Në natën e parë ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili, pas tre vitesh mungesë në këtë aktivitet, zgjodhi vitin e katërt për të qenë pjesë e festivalit dhe për të vlerësuar vazhdimësinë e një iniciative të ideuar nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, bir i Vajzës, dhe të mbështetur nga Shoqata “Vajzë”.

Prania e Ramës erdhi në një moment kur debati për reformën territoriale dhe mundësinë e një bashkimi të Selenicës me Bashkinë e Vlorës është rihapur. Një propozim i kundërshtuar publikisht nga kryebashkiaku Bellaj. Por politika, të paktën për atë mbrëmje, mbeti në skaj të skenës. Banorët e Vajzës e pritën kryeministrin si një mik të ardhur në shtëpinë e tyre.
Në fjalën e tij të shkurtër, Rama përgëzoi organizatorët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në shndërrimin e “Vajzë Fest” në një traditë, duke shprehur bindjen se festivali do të vazhdojë të rritet e të marrë përmasa edhe më të mëdha.

Një fshat që qesh, këndon dhe kujton
Mbrëmja e parë solli në skenë komedinë “Fshati ku të vjedhin burrin”, me tekst dhe regji të Armand Borës. E qeshura u përzie me reflektimin, ndërsa teatri solli atë magji të veçantë që e bën publikun të qeshë me veten, me zakonet dhe paradokset e jetës.
Pastaj erdhi muzika.

Marjola dhe Jurgen Kaçani i dhanë natës ritmin e saj, ndërsa këngët dhe vallet ndezën sheshin. Vajza nuk ishte më thjesht një fshat i mbledhur rreth një skene; ishte një trup i vetëm, një ritëm, një kujtesë që vallëzonte.
Në këtë festë u rikthye edhe simbolika e “Vajzës”, gruas që i dha emrin vendit dhe që, në legjendën e saj, mbart një kujtesë përtej historisë së një fshati. Ajo u shfaq si një figurë e arsyes dhe pajtimit, si një zë që kapërcen mosmarrëveshjet dhe ndarjet për të gjetur te bashkimi një mënyrë për të mbijetuar.

Festa që nuk mbyllej në skenë
Por “Vajzë Fest” nuk ishte vetëm ajo që ndodhte nën dritat e skenës.
Festa shtrihej në sofrat e zonës, në gatimet tradicionale, në aromat që të çonin drejt një Labërie të trashëguar brez pas brezi. Ajo gjendej në artin e pikturës, i cili nuk ishte vendosur aty thjesht si dekor, por si një tjetër mënyrë për të rrëfyer përkatësinë.
Ngjyrat u bënë gjuhë. Peizazhi u bë telajo. Natyra u shndërrua në një bashkëudhëtare të festivalit.

Vizita në Ujëvarën e Rasalit ishte një tjetër kapitull i kësaj aventure. Freskia e ujit, shkëmbinjtë dhe amfiteatri natyror krijuan një spektakël që nuk kishte nevojë për projektorë. Ishte vetë natyra që merrte rolin e skenografit.
Dhe prej aty, rrugëtimi vazhdoi drejt Parkut Arkeologjik të Amantias, ku historia nuk u tregua vetëm me fjalë, por u përjetua.

Amantia, kur historia ringjallet përmes lojës
“Dita Olimpike” në Amantia, e mbështetur nga KOKSH dhe drejtuesi i saj Fidel Ylli, riktheu frymën e garave të lashta në një format bashkëkohor. Të rinjtë u bënë protagonistë të një përvoje ku sporti u kthye në një urë mes epokave.
Në atë hapësirë të lashtë, ku dikur garohej për lavdi, brezi i ri solli energjinë e vet. Gjeneratat u takuan në një vend ku koha duket se ka ndalur, por ku çdo gur vazhdon të flasë.

Amantia, ky amfiteatër i lashtë i ngritur mbi gurë që kanë mbijetuar mijëvjeçarët, u ringjall si një orakull i gjallë ku garat sportive u kthyen në një urë mes të shkuarës dhe të tashmes.

Në përplasjen e gurëve të lashtë me entuziazmin e brezave të rinj, antikiteti mori pamje moderne, duke rikthyer mesazhin e pavdekshëm të olimpizmit, përjetësia e njeriut nuk gjendet në gurë, por në garën e shpirtit.
Amantia nuk ishte më thjesht një qytet i rrënuar, por një tempull i gjallë ku historia dhe moderniteti u shkrinë në një mesazh përjetësie.

Dy poetë, një Muzë
Dita e dytë e festivalit solli ndoshta një nga momentet më të fuqishme artistike të këtyre tri ditëve.
“Dy poetë, një Muzë” ishte një mbrëmje poetike kushtuar dy kolosëve të letrave shqipe, Ali Asllanit dhe Ismail Kadaresë.

Nën regjinë e Driada Dervishit, poezia e tyre u kthye në teatër, në zë, në trup dhe emocion. Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Rozeta Ferri dhe Neritan Liçaj sollën në skenë një kolazh nga krijimtaria e dy poetëve, duke krijuar një dialog të pazakontë mes dy universeve poetike.
Fjalët e Asllanit dhe Kadaresë nuk mbetën në faqe. Ato morën frymë.

Aulon Naçi i veshi me tinguj, ndërsa performanca surprizuese e Jasmina Dervishit, me këngën “Në Vajzë, dy poetë, një muzë”, e hapi mbrëmjen me një emocion të veçantë.

Mysafiri special ishte poeti dhe studiuesi i njohur nga Kosova, Agim Vinca, i cili përshëndeti organizatorët dhe të pranishmit. Ndërsa Sadik Bejko i shtoi kësaj nate një tjetër shtresë të ndjeshmërisë poetike.
Ishte një mbrëmje ku fjala shqipe dukej sikur kishte zgjedhur Vajzën për të festuar vetveten.

Një çmim për poezinë, një urë drejt së ardhmes
Pikërisht në këtë atmosferë u lançua edhe Çmimi “Ali Asllani” për poezinë, një nismë vjetore e Shoqatës “Vajzë”, që do t’i akordohet vëllimit poetik më të mirë me fokus te natyra dhe dashuria – dy prej motiveve të rëndësishme të krijimtarisë së poetit.
Ky çmim është më shumë se një trofe. Është një mënyrë për ta nxjerrë emrin e Ali Asllanit nga monumenti dhe për ta çuar atë te poetët që do të shkruajnë pas tij.

Trofeu, i ideuar nga arkitektja Kiara Asllani, mbesa e poetit, mbart në simbolikën e tij trashëgiminë poetike të Ali Asllanit dhe lidhjen e pazgjidhshme të poetit me vendlindjen.
Një tjetër moment i veçantë ishte përshëndetja e nipit të poetit, Ardian Asllani, i cili e solli në këtë mbrëmje jo vetëm kujtesën familjare, por edhe atë dimension të trashëgimisë që kalon nga brezi në brez.

Dita e tretë, kur festa bëhet e të gjithëve, të gjithë
Dita e tretë nisi me një tjetër udhëtim, këtë herë drejt Ujit të Kripur në Vërmik. Natyra vijoi të ishte një prej protagonistëve të festivalit.
Më pas, skena iu drejtua fëmijëve me shfaqjen “Ariu peshkatar”, me tekst dhe regji të Petrit Xhelilit.
Sepse një festival që kërkon të bëhet traditë nuk mund të jetojë vetëm me kujtesën e të rriturve. Ai duhet t’u flasë fëmijëve, t’i bëjë ata pjesë të festës dhe t’u lërë një kujtim që nesër mund të kthehet në trashëgimi.

Dhe kështu, në mbrëmjen e fundit, festa u rrit përtej skenës së qendrës së fshatit. Ajo u zhvendos në zemrat e banorëve të Vajzës dhe të miqve të ardhur nga larg.
Në skenë u ngjit Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve, grupet polifonike, artistët e cirkut, aktori Gent Hazizi, këngëtarë e artistë të ftuar. Performanca e Irini Qirjakos dhe energjia e West Side Family i dhanë natës së fundit ritmin e një finaleje të denjë për tri ditë festë.

“Vajzë Fest”, tregojë çfarë mund të bëhet Vajza
Por kulmi nuk ishte vetëm në skenë.
Kulmi ishte te njerëzit.
Te duart që duartrokisnin. Te të moshuarit që kujtonin. Te fëmijët që vraponin. Te të rinjtë që kërcenin. Te sofrat e hapura. Te miqtë e ardhur nga qytete të tjera. Te ata që u kthyen në vendlindje dhe te ata që e zbuluan Vajzën për herë të parë.
Dy monumente dhe një kujtesë e gjallë
Në qendër të fshatit qëndrojnë bustet e Ali Asllanit dhe Perlat Rexhepit. Dy figura simbol të një vendi që e ka kuptuar se historia nuk ruhet vetëm në libra.

Ajo ruhet edhe në gur.
Në emra.
Në këngë.
Në rrëfime.
Në mënyrën se si një komunitet e pret një të huaj.
Në sofrën ku buka ndahet pa pyetur se nga vjen mysafiri.
Në atë mikpritje labë që të bën të ndihesh, qoftë edhe për pak orë, sikur je kthyer në një shtëpi që nuk e ke njohur më parë.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron kuptimi më i thellë i “Vajzë Fest”.
Sepse kjo festë nuk kërkon vetëm të tregojë se çfarë ka Vajza. Ajo kërkon të tregojë çfarë mund të bëhet Vajza.

“Vajzë Fest” na kujton se nga kemi ardhur
Një vend ku trashëgimia nuk është barrë, por kapital shpirtëror. Ku natyra nuk është thjesht peizazh, por pasuri. Ku arti nuk është zbukurim, por mënyrë për ta kuptuar veten. Ku turizmi nuk vjen për të zëvendësuar identitetin, por për ta bërë atë të dukshëm.
Tri ditë në zemër të Labërisë mjaftuan për ta kthyer Vajzën në një skenë të madhe të kujtesës shqiptare.

Dhe kur dritat u fikën, kur muzika pushoi dhe sheshi nisi të zbrazet, mbeti ajo që është më e vështirë të ndërtohet: ndjenja e përkatësisë.
“Vajzë Fest” është, në fund të fundit, një rrëfim i gjallë për një komunitet që nuk dëshiron të mbetet vetëm në kujtesën e së shkuarës. Është një komunitet që kërkon ta marrë atë kujtesë me vete dhe ta çojë drejt së ardhmes.
Një festë që nis me një fshat, por synon të bëhet një emblemë e Labërisë moderne.
Një festë që nuk thotë vetëm, kujtoni nga kemi ardhur.
Por edhe, shikoni se ku mund të shkojmë.

Epilogu
Dhe gjithçka kaq domethënëse e bukur, kaq shprehëse e frymëzuese, kaq origjinale e përjetuese, nuk do të ishte bërë e mundur pa ideatorët dhe organizatorët, ata që janë shpirti i kësaj feste dhe zemra e gjallë e kësaj thirrjeje për të kujtuar dhe festuar. Në ballë qëndron kryebashkiaku i Selenicës, Nertil Bellaj, i cili me vizionin e tij mbështeti fuqishëm këtë ngjarje, por ishte nipi i ketij fshati, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi qe ishte shpirti i aktivitetit; ishte Shoqata e Fshatit Vajzë, që ruan e përcjell trashëgiminë. dhe mbi të gjitha, ai që ishte truri i mekanizmit të këtij eventi, biri i Vajzës, Armando Bora, puna dhe përkushtimi i të cilit u bë garanci që kjo festë të ngrihej në një nivel të denjë për historinë dhe krenarinë e Vajzës.
KOHA JONË SONDAZH

