Ministria e Mbrojtjes: 7 vatra aktive në vend, situata më problematike në Gojan dhe Gjegjan
Disa vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, teksa situata më problematike paraqitet në Gojan dhe Gjegjan në Pukë. Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 14:00 janë evidentuar 10 vatra zjarri, prej të cilave 7 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën monitorim.
Në terren janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 9 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë vendosur në dispozicion 70 efektivë, një automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë. Vatrat kryesore aktive janë në Dajt, Lufaj, Tërbun–Gojan–Gjegjan, Gjorm të Sipërm, Tunjë të Re dhe Rraja e Velës.
Situata më problematike raportohet në Gojan dhe Gjegjan të Pukës, ku erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Forcat në terren janë përqendruar veçanërisht në mbrojtjen e banesave, ndërsa operacioni mbështetet nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës dhe dy helikopterë. Deri tani, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Dajt është regjistruar një riaktivizim i zjarrit, ndërsa ndërhyrja vijon me trupa të Forcave të Armatosura, zjarrfikës dhe helikopter. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për banorët. Në Lufaj të Mirditës, zjarri vijon me intensitet të ulët, ndërsa në Gurë-Lurë dhe Qafë Helmes situata është stabilizuar dhe zonat mbahen nën monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Prioriteti i operacioneve mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.
KOHA JONË SONDAZH

