Mos i përdorni fëmijët e shkollave për mitingje dhe luftë politike!

Ka një kufi që politika nuk duhet ta kalojë kurrë: fëmijët nuk përdoren për luftën politike të të rriturve.

Përdorimi i nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nga partitë politike për protesta, tubime apo video me përmbajtje politike është një praktikë që duhet të alarmojë çdo prind dhe institucion. Shkolla nuk është seli partie. Oborri i shkollës nuk është skenë politike. Klasa nuk është studio propagande. Dhe nxënësi nuk është material për rrjetet sociale të partive. Të rinjtë kanë të drejtë të krijojnë bindjet e tyre politike, por kjo nuk do të thotë se partitë kanë të drejtë t’i instrumentalizojnë ata.

Sidomos kur bëhet fjalë për të mitur, përgjegjësia e të rriturve është shumë më e madhe. Një fëmijë nuk duhet të vihet nën presion për të dalë në protestë, për të mbajtur një mesazh politik apo për të regjistruar video që më pas përdoren si propagandë në TikTok, Facebook apo Instagram.

Swiss Digital Desktop Reklama

Fëmijët duhet të jenë në shkollë për të mësuar, jo për t’u rekrutuar politikisht.

Swiss Digital Mobile Reklama

Këtu institucionet duhet të kërkojnë përgjigje: Kush i organizon këto aktivitete? Kush i filmon? Kush i publikon? Me çfarë autorizimi dhe pëlqimi? Nuk mjafton të thuhet se nxënësit “po shprehin mendimin e tyre”. Kur pas tyre qëndrojnë struktura politike dhe përmbajtja përdoret për propagandë, kemi të bëjmë me instrumentalizim të të miturve. Partitë kanë mjaftueshëm hapësirë për të bërë politikë. Ka qytetarë të rritur që mund të protestojnë, të organizohen dhe të shprehen.

Por fëmijët duhet të qëndrojnë jashtë kësaj lufte.

Shkolla duhet të jetë vendi ku fëmijët mësojnë të mendojnë, jo vendi ku u mësohet kë duhet të mbështesin.

Ministria e Arsimit dhe institucionet përgjegjëse duhet të reagojnë ndaj çdo rasti të tillë dhe të hetojnë nëse ka pasur presion, përdorim të autoritetit apo shfrytëzim të imazhit të të miturve për qëllime politike.

Sepse sot mund të jetë një video nga oborri i shkollës. Nesër një protestë. Pasnesër një miting. Kjo nuk është mënyra se si ndërtohet demokracia.

Në protestat e fundit shikon prindër me fëmijë që i marrin dhe i nxjerrin të shajnë apo thirrje jo korrekte. Kjo e ç’edukon fëmijën. Nëse do shko vetë si prind në protesta e shaj, por jo me fëmijën përdore, kur dhuna e fjalori është jashtë çdo etike.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?