Protesta e paralajmëruar, hiqet porta metalike dhe gardhi me tela në plazhin e Kakomesë
Në Gjirin e Kakomesë, një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar, një portë metalike që prej kohësh kufizonte hyrjen e qytetarëve është hequr papritur.
Dy ditë përpara protestës së paralajmëruar për “çlirimin” e plazhit dhe hapjen e aksesit publik, struktura që kishte bllokuar zonën është çmontuar. Sipas të dhënave, porta është hequr me ndihmën e një vinçi, së bashku me gardhin me tela që e rrethonte prej vitesh.
Lëvizja ka sjellë ndryshim të menjëhershëm në hyrjen drejt zonës bregdetare, duke hapur sërish debatin për aksesin publik në një prej gjireve më të diskutuar të jugut.

