
Ka nisur grumbullimi i protestuesve në Sheshin Skënderbej në Tiranë, në prag të tubimit të paralajmëruar për orën 12:00.
Qytetarët po mblidhen në qendër të kryeqytetit, ndërsa protesta e sotme vjen vetëm një ditë pas përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Gjatë tubimit të djeshëm u regjistruan tensione të forta, përdorim i gazit lotsjellës dhe autobotëve të ujit, ndërsa sipas raportimeve, mbi 60 persona përfunduan në spital me lëndime.
Ndërkohë, mbetet ende e paqartë se cili do të jetë itinerari i protestës së sotme. Pas grumbullimit në Sheshin Skënderbej, protestuesit mund të drejtohen fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit ose të marshojnë drejt Kryeministrisë.
Vëmendja mbetet e përqendruar te zhvillimet në terren, ndërsa pritet të shihet nëse tubimi do të zhvillohet pa incidente apo do të shoqërohet sërish me tensione.