
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të protestuesve të ndaluar gjatë revoltës studentore, duke theksuar se kryeministri Edi Rama ka bërë llogaritë gabim në përpjekjen e tij për të shuar protestën. Berisha shprehu bindjen se Rama nuk do të arrijë të shuajë lëvizjen studentore.
Në një konferencë për mediat, Berisha përshëndeti me mirënjohje të thellë mijëra studentë dhe qytetarë, të cilët, sipas tij, me guximin dhe vendosmërinë e tyre, hodhën në kosh dekretet diktatoriale të qeverisë, të cilat synonin asgjësimin e revoltës. Ai theksoi se kishte besim të plotë se studentët dhe qytetarët e Tiranës do t’i jepnin përgjigjen e merituar, duke shpërfillur totalisht dhe duke hedhur poshtë aktet antikushtetuese dhe antiligjore, me të cilat Rama mendonte se do të gjente mbrojtje dhe do të ndalonte protestën.
Berisha deklaroi se Partia Demokratike nuk do të respektojë kurrë asnjë akt ligjor që bie në kundërshtim me Kushtetutën, asnjë kufizim të lirive të garantuara nga Kushtetuta dhe Karta Evropiane e të Drejtave të Njeriut, si dhe asnjë formë të gjendjes së jashtëzakonshme. Ai shtoi se këto përpjekje dështuan me turp në rrugët dhe sheshet e Tiranës, pasi qytetarët dhe studentët u bashkuan dhe i dhanë përgjigjen e merituar “narkodiktatorit” dhe regjimit të tij. Lideri i PD-së shprehu mirënjohje të thellë për pjesëmarrjen masive, trimërinë dhe “rekordet e reja të trimërisë” të treguara në përballjen me “mercenarët e Edi Ramës”.
Më tej, Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm të studentëve dhe qytetarëve të ndaluar në komisariate. Ai garantoi çdo student dhe qytetar se gjobat e vendosura nga “narkoshteti” do t’u kthehen me vlerë trefish më të lartë, ndërsa ata që vendosin këto gjoba do të paguajnë shumë shtrenjtë për firmën e tyre. Ai paralajmëroi ata që marrin akte antikushtetuese të firmosjes së gjobave, duke u kujtuar se mund të ndiqen penalisht dhe se dëmshpërblimi për të gjithë të ndëshkuarit do të bëhet me rrogat dhe të ardhurat e tyre.
Në fund, Berisha theksoi se u faktua se protestuesit, studentët dhe qytetarët në revoltën e tyre paqësore, u provokuan në mënyrë të përsëritur nga policia, e cila, sipas tij, vepron me një skenar kriminal ndaj revoltës studentore.
