Home Aktualitet Lamtumira nën...

Lamtumira nën hijen e shenjtores Nënës Terezë për Ismail Kadare, shqiptarit që i përket botës dhe përjetësisë

75
0

Nga Albert Vataj

Sot, Tirana dhe e gjithë shqiptaria, i dhanë lamtumirën e fundit “Gjeneralit të letrave shqipe”, shkrimtarit që si pakkush lëvroi shqipen dhe e lartësoi letërsinë shqipe në panteonin e madh të korifenjve. Përmes penës së tij, Shqipëria dhe shqiptarët, ju bënë të ditur botës, si një komb, një histori, lashtësi, pasuri dhe identitet.

U largua sot Ismail Kadare, sot më 3 korrik 2024, për të gjetur prehje në banesën e fundit, me mision të përmbushur, me “I kam thënë të gjitha”. Në këtë ikje la një vepër monumentale, një kontribut dhe vlerë përfaqësimi dhe promovimi kombëtar, duke i thënë të gjitha, madje duke thënë edhe ato shumë gjëra që nuk deshëm t’i dëgjonim, mendje të hapura për tu bërë vend dhe nevojë kthjellimi për vetëdijësim nacional.

Megjithatë nisi udhën e ikjes nën “Këtë hije të Nënë Terezës mbi trupin e tij”. “… nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndjehej i marrë në mbrojtje, nga të tërë ata, shumë që se donin, po dhe nga ata jo pak që e donin, po s’do t’i donte asesi rrotull përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën”, tha me shigjetimin e tij Rama.

U largua me 88 vite jetë dhe një vepër thesar kombëtar, të cilën e la amanet, siç na e la edhe si një barrë të rëndë, për ta merituar denjësisht dhe për t’u krenuar me të. Sepse në fjalën që ai shkroi, me shqipen e andshme që ai gatoi, më shumë se bëri të lavdishëm emrin dhe veprën e tij të përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës, të vlerësuar dhe nderuar nga kultura e mëdha, ai zgjodhi penën dhe shpirtin, mendjen dhe zemrën, për të shkruar faqe të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Ismail Kadareja jetoi si dëshmitar i një fjale, për të cilën mori të tëra lëvdatat e nderimet e mundshme të botës dhe të tërë smirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi. Nuk e mori çmimin Nobel, po mbeti në arkivat e procesverbaleve të Komitetit të Nobelit, i vetmi kandidat, për të cilin ka një dosje letrash anonime nga bashkatdhetarët e tij”, vijoi Kryeministri në fjalën e lamtumirës së “Gjeneralit të letrave shqipe”.

Kjo është e vërtetë, një prej atyre të vërtetave që dhembin më shumë se plagët që morëm në betejat për identitet dhe integritet, se ne e urryem po kaq sa dhe e adhuruam, e lartësuam në lavdi dhe e groposëm në shpirtrazim, për çfarë ai ishte, shkrimtari dhe njeriu.

“Ai erdhi, shkroi dhe iku!”, u shpreh Rama, ndërsa vuri në dukje vendimin për t’ia respektuar ikjen duke i dhënë në kohën dhe vendin e duhur një banesë të fundit, ku të mos ndjehet i kërcënuar as nga dashuria e pakërkuar, që e kishte tmerr, as nga fqinjësia asnjëherë e dëshiruar, që e kishte lemeri dhe as jo e jo nga tubimet, nderimet e fjalimet sidomos, që i kishte llahtari.

Nën një mal lulesh të bardha, trupi i tij shkoi në këtë arkmort që shigjetonin mijëra sy, për në një vendprehje publike, “përkohësisht”, ndoshta edhe përgjithmonë, e pse jo, për të pritur atje në Tufinë derikur një panteon të ngrihet dhe të mëdhenjtë dhe të lavdishmit e Shqipërisë dhe shqiptarisë të ngjiten, për të mbetur në kujtesë dhe lavdi.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit