Alfred Peza: Lulzim Basha, Robin Hood-i i shekullit XXI

Nga Alfred Peza-
Eshtë interesante që të ndjekësh tashmë edhe pa ndonjë vëmendje të posaçme, diskurin politik të liderëve tanë jo vetëm përpara protestës së opozitës më 16 shkurt, por edhe më pas deri në zgjedhjet e përgjithshme lokale të 30 qershorit. Përpara momenteve të rëndësishme politike dhe gjatë fushatave elektorale, komunikimi publik i liderëve politik, është një minierë e paçmuar për të gjitha ata që janë të interesuar për studime, vëzhdime dhe analiza në këtë fushë.

E bukura është se nuk duhet që të kesh ndonjë njohuri të thelluar në shkencat politike, për të kuptuar që në ajër, se cili prej tyre po artikulon teza që realisht i beson edhe vetë, si pjesë natyrale e formimit të tij, programit të partisë dhe kahut politik që përfaqëson. E nga ana tjetër, se cili prej tyre, po tenton që të huazojë e të artikulojë, tema dhe teza që skanë asnjë lidhje me të gjitha këto. Por që i hedh ato në treg, duke besuar se u pëlqejnë njerëzve, në përpjekjet për të notuar në ujëra elektorale që besojnë se do u sjellin nesër, “ca vota më shumë”.

E tillë mund të konsiderohet edhe teza më e fundit e artikuluar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi të tij të fundit me qytetarët e Tiranës, pjesë kjo e turit për të ftuar sa më shumë njerëz në protestën e opozitës. Shefi i së djathtës shqiptare shpalosi për herë të parë atë që ai e quajti “oferta jonë”. Sipas tij “Qeveria ka marrë paratë për oligarkët. Ndërsa ne, do ia marrim oligarkëve dhe do ia kthejmë ekonomisë dhe njerëzve.”

Ironia e kësaj oferte nga lideri kryesor i të djathtës së Shqipërisë, qëndron tek fakti, se ajo është një tezë jo vetëm tipike, por edhe thellësisht e majtë. Pavarësisht se kuptimi rreth “të majtës” dhe “të djathtës” kanë evoluar që nga koha e Revolucionit Francez kur ato lindëm (1789- 1799) e deri më sot, përsëri ato ekzistojnë ende dhe mbeten dy koncepte politike thellësisht të ndryshme.

Partitë e majta kanë përgjithësisht mbështetje më të fortë nga punëmarrësit dhe nga shtresat e mesme të shoqërisë, ndërsa e djathta kryesisht nga “oligarkët”, kapitalistët dhe punëdhënësit në përgjithësi. Nga ana tjetër, filozofët e shohin të “majtën” si të lidhur më shumë me vlerat liberale, rolin e shoqërisë që bazohet tek shteti i mirëqënies, ndërkohë që “e djathta” i mëshon nga pikëpamja social- ekonomike vlerave të tregut të lirë dhe politikës së taksave të ulëta. E majta është për taksën progresive, e djathta për taksën e sheshtë, etj.

Përtej të gjitha të tjerave në praktikën e Lulzim Bashës si formim, arsimim, si individ dhe si pjesë e një kategorie sociale të caktuar, nga ana teorike e gjitha çfarë ai e paraqet si ofertën e tij si udhëheqësi i së djathtës shqiptare, për qytetarët shqiptarë në rastin më të mirë është një utopi futuriste, ndërsa në rastin më të keq, një gënjeshtër e pastër politike.

Ti thuash vetes se je i djathtë, duke qenë mbi të gjitha edhe kryetari i partisë së parë antikomuniste, përfaqësuese kryesore politike e së djathtës tradicionale e asaj të re në Shqipëri dhe tu thuash qytetarëve se “do ia marim paratë oligarkëve” dhe do tua kthejmë ju”, është thjeshtë një mashtrim publik. Një mashtrim që nuk ka asnjë mundësi teorike që të zbatohet nga një parti e cila është përfaqësuese e “oligarkëve”, duke qenë njëkohësisht, edhe një nonsens politik dhe filozofik.

Lulzim Basha ka vetëm një mundësi që të vazhdojë për ta artikuluar sërisht këtë ofertë. Duke ua treguar njerëzve atë, thjeshtë dhe vetëm si një përrallë të bukur dimri. Duke e veshur madje veten, edhe me mantelin e Robin Hood-it nëse dëshiron, një personazhi të njohur për filmin me të njëjtin titull të shfaqur dikur me shumë bujë në Shqipëri. I cili përfaqësonte heroin e folklorit anglez, që shquhej për përdorimin e shpatave dhe harqeve, e sëbashku me grupin e “Merry Men”-ëve të tij, ua vidhte pasurinë të pasurve dhe ua shpërndante ato më pas, të varfërve.

I vetmi problem në këtë rast, është se kemi të bëjmë me një përrallë të këtu e 700- 800 viteve të shkuara. Ndërkohë që sot, pakkush mund ta besojë në këtë vend, se Lulzim Basha mund të jetë një “Robin Hood” i shekullit XXI për Shqipërinë dhe shqiptarët.

SHKARKO APP