FSHZH publikon projektin për ristrukturimin e qendrës së turizmit në Valbonë

Fondi Shqiptar për Zhvillim, me financimin e qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit Europian ka ndërmarrë një projekt për rikonstruksionin e qendrës së turizmit në Valbonë, sipas njoftimin të publikuar në faqen e saj zyrtare.

Sipas FSHZH ndërhyrjet do të konsistojnë në:

  • Restaurim arkitektonik dhe funksional i dy objekteve ekzistuese për t’u përshtatur me funksionet e reja të qendrës.
  • Ndërtim i 4 bungalow për t’iu përgjigjur nevojave të qendrës në kohën e pikut turistik. Ndërtimi është projektuar i thjeshtë me një interpretim modern të arkitekturës tradicionale të zonës.
  • Ndërtim i një dyqani dhuratash, për të promovuar artin dhe prodhimet e zonës

Mbi 120,000 turistë vendas dhe të huaj vizitojnë Valbonën çdo vit dhe aktualisht turizmi malor është zhvilluar kryesisht në këtë luginë. Megjithatë e gjithë zona ka një numër të madh atraksionesh të tjera që mbeten ende të pashfrytëzuara. Projekti ka për qëllim rritjen e standardit të aktiviteteve dhe shërbimeve të ofruara në zonë, diversifikimin e ofertës turistike dhe nxitjen e nismave të reja turistike, përmbyll mesazhin FSHZH.

SHKARKO APP