Home 33 vite KOHA JONE Mark Bazaiti ...

Mark Bazaiti veneciani me origjinë shqiptare i Rilindjes Evropiane

49
0

Moikom Zeqo në faqe 12 të gazetës “Koha Jonë”, datë 23 shtator 1994 publikon një shkrim, në të cilin ai hedh dritë për një nga personalitete e spikatura të rilindjes evropiane, për të cilin flitet si venecian, por në referencës e origjinës së tij shqiptare, ka pak informacion, ose më saktë është qartësuar me kalimin e viteve, por pamjaftueshëm për të thënë gjithçka.
Ky shkrim i studiuesit dhe poetit, publicistit dhe hulumtuesit rreket të hedh dritë jo vetëm mbi rolin që Marko Bazaiti pati në pikturën veneciane, së cilës i përket, por edhe qartësimin e imazhit të tij të origjinës shqiptare, e cila është e pamohueshme.

Ai gjatë kohërave është përmendur me disa emra, duke përfshirë Marco Baxaiti, Marcus Basitus dhe Marcus Baxiti, dhe në këtë trajtesë si Mark Bazaiti. Vasari, një nga hulumtuesit dhe shkruesit për jetën dhe veprën e mjeshtrave të asaj periudhë, besonte se Marco Basarini dhe Marco Basaiti ishin dy artistë, por informacionet e mëvonshme zbulojnë se këta të dy ishin në fakt i njëjti piktor. Në rrafshin informues flitet se ka pak dokumentacion për Marco Basaitin (Marko Bazaitin), përveç nënshkrimeve të pikturës së tij dhe librit të vitit 1530 që e regjistron atë si një piktor i figurave.
Pikërisht për të hedhur një dritë njohjeje të së vërtetës dhe për të fashitur mjegullën që mban të zhytur në errësirë këtë emër të madh të pikturës, Moikom Zeqo sjell këtë trajtesë, e cila qartëson shumë pamje dhe i jep përgjigje shumë pikëpyetjeve.
Albert Vataj

Mark Bazaiti piktori shqiptar i Rilindjes Evropiane

Piktori shqiptar Mark Bazaiti ka jetuar në vitet 1460 e 1530 në dhe të huaj, larg atdheut të tij, Shqipërisë.
Ai qe një nga piktorët e shquar të artit e kulturës së Rilindjes Evropiane, një talent i fuqishëm i popullit shqiptar, që krijoi kryevepra artistike, që ruhen sot, në galeri e pinakoteka, në vende të ndryshme të Evropës, por sidomos në Venedik të Italisë.
Për shqiptarin e madh të pikturës, Mark Bazaitit për herën e parë ka shkruar dijetari gjerman Franc Babinger.
Babingeri, në një studim të tij të vitit 1962, shënon: “Nxënës i piktorit të njohur Alvise Vivarini nga Murano, ka qenë, nënkuptohet në Venedik, një piktor i përmëndur e me emër. Mark Bazaiti, i cili në 1530 i mbyll sytë e vdes. Nuk janë të pakta veprat e tij, si në Venedik, ashtu dhe në Padova, por edhe në shumë vende të tjera, që i përkasin një arti fisnik. Emri Bazaiti është i një familje shqiptare, i një familje stratiotësh”
Profesor Eqrem Çabej e mbështet këtë zbulim të Babingerit, duke shkruar, disa vite më vonë, “mendimi i Babingerit, që Mark Bazaiti, piktor i njohur venecian, i viteve 1500 – 1530, është shqiptar gjen vërtetim tani me faktin e diktuar prej nesh, që një familje me emër Bazaiti ka edhe sot në qytetin e Delvinës në Shqipëri”.


Mark Bazaiti ka punuar për ca kohë me Alvise Vivarinin, (1451- 1502), e më vonë ka vazhduar punën e lënë përgjysëm nga vdekje të Vivarinit, në pikturimin e afreskave të Kishës së Frarëve, në Venedik, nga 1502, deri në vitin 1510:
Piktori shqiptar Mark Bazaiti e përfundoi me sukses të plotë pikturimin e këtij monumenti madhështor e të njohur të Venedikut.
Gjatë këtyre viteve ai u tregua një mjeshtër i denjë, për të zëven- dësuar mjeshtërit. Më 1510 Mark Bazaiti është në kulm të forcave të tij krijuese. Në këtë lak kohor ai përfundon edhe disa kompozime të mëdha si “Thirrja e bijve të Zabedeos”, “Lutja e lindjes”. Piktura e parë është edhe kryevepra e tij e sot ndodhet në Galerinë e Vjenës e mban datën 1515 (datë me sa duket e regjistrimit në galeri). Në këtë pikturë ka një harmonizim të mrekullueshëm të figurave njerëzore, sfondit ujor, pejsazhit shkëmbor e arkitekturës së kështjellave.

Accademia – Prayer in the Garden with Saints Louis of Toulouse, Francis, Domenic, and Mark by Marco Basaiti

Në 1520 Mark Bazaiti përfundon tabllonë “Shën Gjergji vret kuçedrën”, ku nëpërmjet alegorisë biblike paraqet figurativisht fitoren e njeriut rilindas mbi vdekjen, fitoren e së bukurës e humanistes mbi të shëmtuarën e të keqen. Puna e fundit, e firmosur nga Mark Bazaiti, është një “Portret burri”, e vitit 1521 (e rregjistruar në koleksionin Moreli të Akademisë në Bergamos).
Vepra të tjera të piktorit shqiptar janë portreti i “Shën Jeronimit, i cili, siç dihet, ka qenë me origjinë ilire nga Stridoni i Dalmacisë e ka lënë edhe shënime historike mbi ilirët e gjuhën e tyre, “Krishti midis engjëjve”, (në galerinë e Venedikut), “Madona me fëmijën”, (në muzeun e Padovës), të cilat vlerësohen për frymën humaniste e për artin e lartë rilindas.

Pala di sant’Ambrogio dei Milanesi da Alvise Vivarini e Marco Basaiti ai Frari

Vepra të Bazaitit ndodhen në Pinakotekën e Monakos, në Muzeun e Berlinit, në Galerinë Nacionale të Londrës.
Koleksioni i tij është i shpërndarë në kontinent.
Emri i Mark Bazaitit përmendet në librin e piktorëve në Venedik, në vitin 1530.
Mbas këtij viti ai do të ketë vdekur, se nuk përmendet më. Një historian arti ka shkruar: “Ndërmjet piktorëve që punuan në Venedik në shekullin e XV e periudhën e parë të shekullit të XVI nën influencën e Xhentile Belinit rikujtojmë Mark Bazaitin, mjeshtër në peizazhet e sfondet”.
Mark Bazaiti përveç me Alvise Vivarinit ka bashkëpunuar edhe me Xhentile Belinin (1429- 1507).


Kështu në librin “Apollo”, botuar në Paris 1927, nga studiuesi i njohur Solomon Reinach mësojmë, se Mark Bazaiti ka pikturuar së bashku me Giovani Belinin (1430-1516) një tabllo të madhe të quajtur “Virgjëresha me fëmijët dhe të shenjtët”.
Tablloja sot ndodhet në koleksionin Bensen të Londrës. Ajo ka gjashtë figura njerëzore (tri femrash, dy burrash dhe Krishtit fëmijë).
Kjo tabllo shquhet për trajtimin rilindasve të figurave biblike e të historive që lidhen me to, për kompozimin harmonioz, për një qetësi monumentale tek portretet e një lirizëm të lehtë të mjedisit.
Moikom Zeqo

Fotot e pikturave për ilustrimin e shkrimit janë marrë nga Wikipedia

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit