Home Aktualitet Mashtrimet e ...

Mashtrimet e mikrokredive. Për 160 mijë lekë të marrin 20 milionë lekë!

389
0

Disa firma private që kanë liçensa nga Banka e Shqipërisë në fushën e mikrokredive, kanë gjetur forma në thelb të paligjshme veprimi duke mashtruar njerëzit e thjeshtë që iu duhen kredi të vogla. Fjala vjen merr 200 mijë lekë të vjetra dhe ka ndodhur siç kemi parë edhe në FIKS FARE që firma i ka kërkuar më vonë 14 milionë lekë!

Kreditë ua japin në moment njerëzve të thjeshtë, që kanë urgjenca jetësore, por që firmosin pa e ditur një mal me dokumenta, të cilat në thelb janë varri i tyre financiar. Por jo vetëm financiar, iu marrin edhe jetën.

Rasti më i freskët është një burrë nga Lezha.

Pal Trashaj, 63-vjeçari që piu fotoksinë para SPAK mesditën e djeshme pasi kishte shkuar për të takuar një hetues të BKH-së, ka ndërruar jetë. Burime nga QSUT bënë me dije se ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm. Trashaj ishte viktimë e mashtrimeve me mikrokreditë, ndaj ai kishte shkuar për të takuar një hetues të BKH-së në SPAK.

63-vjeçari, i cili njihej si historian në qytetin e tij, prej vitesh ka denoncuar kalvarin me kredinë e marrë që më pas ndër vite u shumëfishua deri në bllokimin e pasurisë. Mësohet se Pal Trashaj kishte pasur një kredi të mbetur që nga viti 2008, në vlerën e 760 mijë lekë (të vjetra). Kredinë e kishte blerë te një firmë e cila kërkonte 4.8 milion lekë duke bllokuar për 5 vjet: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën që Trashaj merrte nga puna. Ai kërkonte që SPAK të merrte përsipër çështjen e grabitjes së pronës së tij nga përmbarues, për të cilët më herët kishte bërë një padi civile në Gjykatën e Lezhës. Ai argumentonte se kredinë e kishte shlyer dhe se veprimet e kryera për sekuestrimin e pronës së tij ishin të paligjshme.

Por janë me mijëra raste nëpër Shqipëri që mashtrohen nga gjoja kreditë e vogla dhe të shpejta. Prokuroria e Tiranës ka bërë disa arrestime në drejtim të një kompanie mashtruese dhe ka kërkuar nga SPAK hetim për rolin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në dhënien e këtyre licensave firmave private në fushën e mikrokredive.

Ndërkohë që po hetohen përsëri shikojmë reklama pa fund nga këto kompani private në fushën e mikrokredive!

Kjo që i ndodhi historianit nga Lezha, që punonte e rropatej në punë, ndërkohë që për 760 mijë lekë të vjetra, të cilat i kishte paguar, por që kompania private ia kishte shtuar vlerën në 4.8 milionë lekë e që sipas kontratës i rritej në mënyrë gjeometrike, duke kapur shifra që sollën marrjen e tokës, shtëpisë, makinën, pagën e tij; kjo histori e dhimbshme tregon se shteti duhet të reagojë në hetimin e këtyre firmave të tipit SUDE.

SPAK ka për detyrim ndaj ligjit dhe publikut, nisur edhe nga rasti që iu helmua qytetari te dyert e tij, të hetojë Guvernatorin dhe krejt zinxhirin poshtë tij se si jepen këto licensa, si janë hartuar kontratat e huadhënies nga ato firma në dëm të qytetarit, etj.

Nuk mund të ndodhë askund në botë që për fjala vjen 170 mijë lekë të vjetra, nëse i vonon, të paguash 20 milionë lekë. Kjo është çmenduri shqiptare e cila po shkatërron jetët e qytetarëve të thjeshtë, të cilët përfundojnë në vetvrasje për shkakun e kontratave aspak ligjore ndaj klientëve.

Këto kompani po shfrytëzojnë varferinë dhe paditurinë e qytetarëve, dhe iu marrin firmat shpejt e shpejt dhe me pas i çojnë në gjykatë duke iu marrë shtëpinë, tokën, jetën.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit