Home 33 vite KOHA JONE Naum Prifti n...

Naum Prifti në “AKS”, “Koha Jonë”, për “Letërsinë nën diktaturë”

36
0

“Letërsia nën diktaturë si një fushë e minuar” është titulli i shkrimit të Naum Priftit në numrin e parë të AKS (Art – Kulturë – Sport) suplement i përjavshëm i gazetës “Koha Jonë”. Është kjo speciale për artin, kulturën dhe sportin që kjo gazetë sjell duke u përpjekur për të mbushur një hendek të thellë të prezantimit, përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të vlerave dhe veprave, personaliteteve dhe personazheve të këtyre fushave, të cilët dukshëm kanë qenë të përfaqësuar në atë nivel dhe me atë dinjitet që i takon asaj që ata bëjnë, asaj që ata sjellin, asaj që është dhe do të mbetet një pasuri kombëtare.

Shkrimi i Naum Priftit i datës 3 korrik 1994 në gazetën “Koha Jonë” është një shtjellim që shkrimtari dhe përkthyesi sjell për të shumëpërfolurën periudhë të realizmit socialist dhe censurës që precipitoi me linçime dhe burgosje të poetëve, shkrimtarëve, piktorëve dhe artistëve të gjinive të ndryshme. Ai në këtë trajtesë fokusohet te letërsia në diktaturë, te mënyra se si komunizmi, sistemi i diktimit të vlerave dhe censurimi i rreptë, kërcënoi letërsinë dhe krijuesit, se si shkatërroi vlerat dhe depersonifikoi autorë. “Me dhjetëra autorë e kanë pësuar për shkak të ndonjë romani, dramë a poemë me të meta “ideologjike”, për ndonjë frazë e bile edhe për një fjalë të vetme.” Naum Prifti në këtë tekst rreket të hedh dritë se si funksiononte makineria e kontrollit dhe survejimit, e ndalimit dhe linçimit, se si vlerat e vërteta të letërsisë dhe emrat e mëdhenj të saj shtypeshin deri në asgjësim nën këtë peshë mbikëqyrjeje. Ai sjell edhe shembuj konkret dhe emra që vërtetojnë këtë. Sepse… “Partia kishte një pikëpamje të ngushtë për artin: shkurt, e konsideronte si një shtojcë të propagandës, si një mjet indoktriminimi”

Albert Vataj

Letërsia nën diktaturë si një fushë e minuar

Naum Prifti

Sikur të më pyeste dikush se si qe jeta e shkrimtarëve nën diktaturë, pa mëdyshje do përgjigjesha: si një fushë e minuar, ku çdo hap i gabuar mund të të hidhte në erë. Me dhjetëra autorë e kanë pësuar për shkak të ndonjë romani, dramë a poemë me të meta “ideologjike”, për ndonjë frazë e bile edhe për një fjalë të vetme. Nuk ka shkrimtar, duke përshirë edhe më të përkëdhelurit, që të mos i jetë ndaluar ndonjë vepër, prandaj deklaratat se në Shqipëri censura nuk ka qenë e institucionalizuar duken absurde. Do të ishte më e drejtë të thuhej se nuk ka qenë e mbështetur në asnjë ligj, por siç dihet komunistët nuk kishin nevojë për ligje. E drejta e censurës qe monopol i partisë, të cilin ajo e ushtronte nëpërmjet Drejtorisë së Shtypit dhe asaj të Kulturës, të dyja brenda godinës së Komitetit Qendror. Për ligje nuk pyeste kush. Po sjell një shembull te ligji mbi “të drejtat e autorit” thuhej shprehimisht se asnjë personi nuk mund t’i hiqej e drejta e botimit pa vendim gjyqi, mirëpo do të lodhej kot ai studiues që do të kërkonte ndonjë vendim të tillë nëpër dosjet e gjykatës, sepse si përjashtimi nga Lidhja, si heqja e së drejtës së botimit, si ndalimi i veprave, kryheshin me anë telefonatash dhe porosish nga partia.

Nëse kishte ndonjë veprimtari të organizuar mirë, kjo ishte çensura, kontrolli partiak dhe shtetëror për çdo botim. Nga dorëshkrimi deri tek botimi, libri kalonte së paku në katër filtra çensurash:

  1. Rekomandimi i dy kritikëve ose specilaistëve të asaj fushe,
  2. Redaktori përkatës,
  3. Shefi i redaksisë,
  4. Zv/drejtori ose Drejtori i Shtëpisë Botuese.

Pas çdo hallke mund të kishte vërejtje dhe autori duhej ta ripunonte veprën sipas midesë së tyre.

Mirëpo, as kjo golgotë nuk qe e mjaftueshme. Përpara se libri të shitej, shtëpia botuese dërgonte të ashtuquajturat “kopjet e urgjencës” në pesë institucione: te Komiteti Qendror, te Kryeministria, në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Kulturës. Mjaftonte që një nga këto dikastere të shprehte rezervime dhe libri bllokohej, korrigjohej ose asgjësohej në Fabrikën e Letrës në Lushnjë. Unë ruaj së paku tre ekzemplarë të tillë: Një vëllim me tregime të autorit kosovar, Ramiz Kelmendi, një monografi të M.Gjinit për Mihal Popin dhe një novelë të letrarit A.Xoxa.

Partia kishte një pikëpamje të ngushtë për artin: shkurt, e konsideronte si një shtojcë të propagandës, si një mjet indoktriminimi. Ajo nuk duronte as kritikën më të vogël, madje inatosej dhe hakmerrej kundër autorëve që guxonin të sillnin ndonjë fenomen negativ, si korrupsioni, arbitrariteti, ryshfeti, sepse donte vetëm hymne dhe lavdërime. Të gjitha veprat e ndaluara, të mallkuara ose të gabuara, kanë mëkatin se përmbajnë ndonjë kritikë të vogël kundër regjimit, qoftë edhe pa qëllim. Kisha një përvojë shumë të hidhur nga drama “Rrethimi i bardhë”, qysh nga viti 1963. Pak kohë përpara ishim prishur me Bashkimin Sovjetik dhe unë desha të shkruaj një dramë simbolike për qëndresën. Drama qe botuar, me të qe përuruar teatri i ri i Elbasanit, po e vinte në skenë Instituti i Arteve dhe teatri i Korçës. Duket se edhe korçarët e çmonin që kur ja rekomanduan edhe Enver Hoxhës. Ai e interpretoi si kritikë për partinë dhe qeverinë që nuk çante kokën për gjeologët e rrethuar nga dëbora. As u diskutua për idetë e dramës. Zeusi e kishte dënuar pa të drejtë apelimi. Shfaqja u ndalua, drama u vu në shënjestër si vepër e gabuar që “shtrembëronte realitetin”, kritikat nisën të binin breshëri në çdo mbledhje dhe autori i këtyre radhëve u bë kokë turku për katër vjet. Ne, autorët që kishim gabuar, duhej të riedukoheshim në gjirin e popullit, prandaj më tranferuan prej Tirane në Divjakë të Lushnjës si mësues fshati, “për të njohur jetën” (dhe për të larë gjynahet), ku qëndrova tre vjet e gjysmë. A nuk kthehej letërsia kësisoj në një fushë të minuar? Duhej të hapja sytë të mos gaboja për herë të dytë, se do ta pësoja më keq. Autocensura u bë dukuri e përhershme e jetës letrare në Shqipëri.

“Njohja e jetës dhe përvetësimi i ideologjisë marksiste qenë shinat ku duhej të lëviznim, refren i porosive të partisë. Dobësitë e letërsisë nuk shiheshin și cungim i lirisë së krijimit që zbatonte partia, por si pasojë e e boshllëqeve ideologjike që kishte edukata jonë. Kritika se ne nuk e njihnim jetën e shoqërisë sonë ishte krejt absurde. Çfarë jete tjetër njihnim ne veç botës shqiptare ku ishim lindur, rritur dhe edukuar? Kontradikta qe se ata kërkonin një realitet tjetër, të shpikur, të lustruar, krejt ndryshe nga realiteti i ashpër i jetës që na rrethonte. Fitorja më e madhe e partisë në fushën morale konsiderohej “njeriu i ri”, “Njeriu i epokës socialiste”, i përsosur nga virtytet morale, i ndershëm, i ditur, altruist, punëtor, i dashur me popullin, i pamëshirshëm ndaj armiqve, i gatshëm të japë jetën për të mirën e përbashkët në çdo çast. Mirëpo kjo “specie humane” ekzistonte vetëm në imagjinatën e tyre dhe nuk mund të hasje kurrkund në jetë sikur ta kërkojë edhe me qiriun e Diogjenit. Përkundrazi edhe vlerat morale të trashëguara prej shekujsh kishin humbur ose ishin degjeneruar nga diktatura. Hipokrizia, spiunimi, egoizmi, konformizmi, intriga, amoraliteti karakterizonin njerëzit tanë. Më të degjeneruarit qenë funksionarët e partisë, organet e drejtësisë dhe punonjësit e Sigurimit. Frytet e çdo regjimi diktatorial janë tepër të hidhura në fushën morale. Shqipëria do të ngrihet ekonomikisht brenda një periudhe të shkurtër, kurse për të rifituar vlerat morale do t’i duhej ndofta një shekull.

Pas viteve 1975 detyra e shkrimtarit u vështirësua tej mase për shkak të së ashtuquajturës letërsi revolucionare. Në Shqipëri nuk mundi të zhvillohej një disidencë e hapur, se diktatura vigjilonte edhe mbi vetë veprat e pabotuara. I vetmi shkrimtar që meriton të quhet disident është vetëm Kasem Trebeshina, i cili e pagoi kërkesën që letërsia të çlirohej nga vargonjtë e partisë me burgime dhe internime të gjata, dhe do ta kishte pësuar akoma më keq sikur ta kishte rrethin familjar dhe biografinë të dyshimtë.

Shumë shkrimtarë në atë kohë filluan të trajtonin tema “historike” për t’iu larguar realitetit. E kam fjalën për ata shkrimtarë që e ndjenin përgjegjësinë morale të profesionit para ndërgjegjes dhe historisë, sepse nuk mungonin rrogëtarët që i shërbenin me zell diktaturës nga që ishin majtistët ose konformistët, as dhe kategoria tjetër që e shihte letërsinë si një mjet për të nxjerrë paratë e kafesë. Unë në atë kohë zgjodha letërsinë për fëmijë, ku e ndjeja vetëm më të lirë.

Aty gjeta një fare kënaqësie nga pritja e ngrohtë e publikut, por shpejt e ndjeva se kjo nuk qe e mjaftueshme. Duhej diçka më shumë. Dhjetra subjekte vërtiteshin në trurin tim pa më lënë të qetë. Çdo njeri brengoset kur i mbetet diçka pa thënë, kurse për shkrimtarin kjo është torturë dhe vdekje civile njëkohësisht. Duhej gjetur një shteg që ta çliroja presionin e brendshëm dhe përgjegjësinë morale.

Nisa të shkruaja “për vete”, i liruar krejtësisht nga prangat e censurës dhe të autocensurës. Mbase do të vinte një kohë që do të botoheshin. Ai regjim nuk qe i përjetshëm dhe plasaritjet shiheshin te anarkia, korrupsioni dhe paraliza e shtetit. Kështu lindi vëllimi “Tregime për një kohë tjetër, pasqyrë e jetës shqiptare nën diktaturë, ende i pabotuar.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit