Home Aktualitet Papa Françesk...

Papa Françesku: Me Jezusin fiton jeta, vdekja dhe mëkati mposhten!

22
0
Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Françesku, përballë rreth 15 mijë besimtarëve, kujtoi të Dielën e Mëshirës Hyjnore dhe i nxiti të kenë besim gjithnjë e më të madh në Krishtin e Ngjallur. Pas lutjes, nxitja për të negociuar për t’i dhënë fund konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. dhe kërkoi të lutemi “për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

R.SH. / Vatikan

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita! Me këto fjalë Papa e nisi, si zakonisht, lutjen e Mbretëreshës Qiellore të së Dielës II së Pashkëve, kushtuar nga Shën Gjon Pali II Mëshirës Hyjnore. Ungjilli (shih Gjoni 20:19-31) na thotë se duke besuar në Jezusin, Birin e Zotit, mund të kemi jetë, në emër të Tij (shih 31). “Të kesh jetë?” – e përsëriti Françesku, këtë pyetje, që njerëzimi ia bën pambarimisht vetes e të tjerëve! Po çfarë do të thotë të kesh jetë? E si mund ta kesh jetën pa mort?

Si mund të kemi jetë?

Pyetjes “si mund të kemi jetë” – përgjigjen e së cilës dëshirojmë ta dimë të gjithë – Papa iu përgjigj: “Të gjithë duan të kenë jetë, por ka mënyra të ndryshme për ta pasur”:

“Ka nga ata, të cilët e jetojnë jetën në vrap frenetik për të shijuar një mori gjërash: për të ngrënë e për të  pirë, për t’u zbavitur, për të grumbulluar para e rroba, për të provuar emocione të forta e të reja, e kështu me radhë”.

Shumë pyetje për jetën, pa përgjigje

Është një rrugë që, në pamje të parë, duket e këndshme, por që nuk ta kënaq zemrën. Nuk mund ta “kesh kështu jetën”, sepse duke ndjekur rrugët e kënaqësisë dhe të pushtetit nuk mund ta gjesh lumturinë. Shumë pyetje që kanë të bëjnë me jetën, mbeten pa përgjigje, siç janë, për shembull, dashuria, përvojat e pashmangshme të dhimbjes, kufizimet:

 “E pastaj mbetet pa gjegje ëndrra që na bashkon të gjithëve: shpresa për të jetuar përgjithmonë, për të qenë të dashur pa fund. Sot Ungjilli thotë se kjo plotësi e jetës, në të cilën është thirrur secili prej nesh, realizohet në Jezusin, por si mund ta arrijmë atë, si mund ta përjetojmë?”.

Varrët e Krishtit, kanale mëshire

Të shohim se çfarë ndodhi me dishepujt, në Ungjill. Ata kalojnë çastin më tragjik të jetës: pas ditëve të mundimeve janë mbyllur në Çenakull, të frikësuar dhe të çkurajuar. I Ngjalluri vjen t’i takojë dhe së pari u tregon varrët (shih versetin 20): ishin shenja vuajtjeje dhe dhimbjeje, mund të ngjallnin ndjenja faji, por me Jezusin bëhen kanalet e mëshirës dhe të faljes:

“Kështu dishepujt shohin dhe prekin me duar se me Jezusin fiton jeta, vdekja dhe mëkati mposhten. E ata marrin dhuratën e Shpirtit të tij, që u jep jetë të re, si bij të dashur, të mbushur me gëzim, dashuri dhe shpresë”.

Si mund të kemi jetë çdo ditë?

Duke ndjekur këtë ngjarje të jashtëzakonshme, që ndodhi vetëm një herë në historinë e njerëzimit, nuk mund të mos pyesim “ E si mund të kemi jetë?”:

“Ja si mund të ‘keni jetë’ çdo ditë: mjafton t’i ngulni sytë mbi Jezusin e kryqëzuar dhe të ngjallur, ta takoni në Sakramente dhe në lutje, ta ndjeni të pranishëm, të besoni në të, të prekeni nga hiri i tij dhe të udhëhiqeni nga ai, të jetoni gëzimin për të dashur si Ai. Çdo takim i gjallë me Jezusin na krijon mundësinë të kemi më shumë jetë”.

Një mori pyetjesh të reja, në përfundim

Por le të pyesim veten – kujtoi Papa në lutjen e sotme të Mbretëreshës Qiellore – a besoj në fuqinë e ringjalljes së Jezusit, në fitoren e tij mbi mëkatin, frikën dhe vdekjen? A përfshihem në marrëdhënien me Të? E, a e lë veten të nxitem prej Tij, që t’i dua vëllezërit dhe motrat e mia dhe të shpresoj çdo ditë?

Pyetje të vështira, që kërkojnë ndihmë – kujtoi Papa – i cili, si zakonisht ia kërkoi këtë ndihmë Nënës së Krishtit:

“Na ndihmoftë Maria që të kemi besim gjithnjë e më të madh në Jezusin e ngjallur, për të ‘pasur jetën’ dhe për të përhapur kudo gëzimin e Pashkëve”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit