Home Aktualitet Papa Françesk...

Papa Françesku në G7: Asnjë makinë nuk duhet të vendosë t’i marrë jetën njeriut

20
0
Françesku foli në samitin e G7, në Borgo Egnazia, Pulia. Në seancën e përbashkët me prijësit e botës, u kujtuan mundësinë, rreziqet dhe pasojat e inteligjencës artificiale: njerëzimi është i dënuar për një të ardhme pa shpresë, në se të gjithë njerëzve u hiqet aftësia për të vendosur mbi veten e tyre, e jetët e tyre të varen nga zgjedhjet e makinave

R.SH. – Vatikan

Rreziku fatkeqësisht është më real se kurrë: “Asnjë makineri nuk do të duhej të vendosë t’i marrë jetën një qeniejeje njerëzore. Në G7 të Borgo Egnazia, Pulia, Françesku është Papa i parë që merr pjesë në një samit të ‘Njerëzve të Mëdhenj të Tokës’. Pasi mbërriti rreth orës 13:00 me helikopter në një hapësirë ​​mes ullinjve, mbajti katër bisedime dypalëshe me Georgieva-n (FMN), Zelensky-n, Macron-in dhe Trudeau-në, përpara se të shkonte, i shoqëruar nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, në Sallën e Arenës, ku u prit me duartrokitje nga liderët në seancën e përbashkët.

Urgjente të rimendohet përdorimi i të ashtuquajturave ‘armë vdekjeprurëse autonome’

Papa u foli për inteligjencën artificiale, ndër temat kryesore të G7. “Mjet magjepsës” por njëkohësisht “i tmerrshëm” – u kujtoi – “mjet” i  aftë për të sjellë përfitime, ose për të shkaktuar dëme, si të gjitha “mjetet” e krijuara nga njeriu qysh në natën e kohëve. Kësaj teme Papa ia ka kushtuar Mesazhin për Ditën e 58-të Botërore të Komunikimeve shoqërore. Tani, përballë burrave dhe grave që mbajnë mbi supe fatet e botës, shqyrton mundësitë, por mbi të gjitha, rreziqet dhe “efektet mbi të ardhmen e njerëzimit”. Shikimi është mbi këtë luftë me ‘copa’ gjithnjë e më të njëjtësuara:

“Në një dramë si ajo e konflikteve të armatosura, është urgjente të rimendohet zhvillimi dhe përdorimi i pajisjeve të tilla, si e ashtuquajtura ‘armë vdekjeprurëse autonome’ për popullatën, duke filluar tashmë me një angazhim aktiv dhe konkret për një kontroll gjithnjë më të madh njerëzor”.

Papa me presidentin ukrainas Zelensky

Gjenia njerëzore vs. Inteligjencës Artificiale

Mos ndodhtë kurrë që makinat të vrasin njeriun, i cili i krijoi! Pikërisht nga gjeniu njerëzor e merr Françesku reflektimin e tij në skenën e G7, për të sqaruar se nuk ka paragjykime mbi përparimin shkencor dhe teknologjik, por më tepër frikë devijimi: “Shkenca dhe teknologjia janë produkte të jashtëzakonshme të potencialit tonë krijues, si qenie njerëzore” – pohoi Papa – Dhe “pikërisht nga përdorimi i këtij potenciali krijues, që Zoti na e dha del në dritë inteligjenca artificiale”. “Mjet jashtëzakonisht i fuqishëm” – vijoi – i përdorur në shumë fusha veprimi njerëzor: mjekësi, punë, kulturë, komunikim, arsim, politikë. “Tani është e arsyeshme të hamendësohet se përdorimi i saj do të ndikojë gjithnjë e më shumë në mënyrën tonë të jetesës, në marrëdhëniet tona shoqërore, në të ardhmen edhe në mënyrën se si e konceptojmë identitetin tonë si qenie njerëzore”.

Papa, i sapombërritur në Borgo Egnatia

Vendimarrja duhet t’i mbetet njeriut

Prandaj, nga njëra anë, mundësitë që ofron IA (Inteligjenca artificiale) janë emocionuese; nga ana tjetër janë të frikshme për pasojat që parashikohen. Para së gjithash, për Françeskun është e nevojshme të bëhet dallimi i duhur ndërmjet një makine që “në disa forma dhe me këto mjete të reja, mund të prodhojë zgjedhje algoritmike” e, si rrjedhim “zgjedhje teknike ndërmjet mundësive të shumta” dhe qenies njerëzore që, në vend të kësaj , “jo vetëm që zgjedh, por që, në zemër të vet, është i aftë të vendosë”:

Për këtë arsye, përballë mrekullive të makinerive, të cilat duket se janë në gjendje të zgjedhin në mënyrë të pavarur, duhet ta kemi të qartë se qenies njerëzore duhet t’i lihet gjithmonë vendimi, qoftë edhe me tonet dramatike dhe urgjente me të cilat kjo ndonjëherë paraqitet në jetën tonë”.

Sesioni i përbashkët i G7-ës
Në rrezik, dinjiteti i njeriut

Paralajmërimi i Papës është i prerë: “Ne do ta dënonim njerëzimin me një të ardhme të pashpresë, nëse do t’u hiqnim njerëzve aftësinë për të vendosur për veten e tyre dhe për jetën e tyre! Do t’i dënonim njerëzit të varen nga zgjedhjet e makinave. Kemi nevojë – vijon  – të garantojmë dhe të mbrojmë një hapësirë ​​kontrolli të konsiderueshëm të qenies njerëzore mbi procesin e zgjedhjes së programeve të inteligjencës artificiale: është në rrezik vetë dinjiteti njerëzor”.

Revolucioni njohës-industrial

Kjo nuk është vetëm çështje e përparimit shkencor, ndërsa jemi përballë “një revolucioni të vërtetë njohës-industrial, i cili – kujtoi Papa Françesku – do të kontribuojë në krijimin e një sistemi të ri shoqëror të karakterizuar nga transformime komplekse epokale”.

Inteligjenca artificiale mund të lejojë një demokratizim të hyrjes në botën e dijes, në përparimin eksponencial të kërkimit shkencor, mundësisë së kalimit të punës së mundimshme tek makineritë; por, në të njëjtën kohë, mund të sjellë me vete padrejtësi më të madhe ndërmjet kombeve të përparuara dhe kombeve në zhvillim, ndërmjet klasave shoqërore sunduese dhe klasave të shtypura shoqërore, duke rrezikuar kështu mundësinë e ‘kulturës së takimit” në dobi të “kulturës së hedhurinës”.

Papa, ndërsa flet në G7
Etika dhe algoretika

Prandaj Françesku flet për “etikën”: pikërisht në të luhet kushti njerëzor i “lirisë” dhe i “përgjegjësisë”; pa të “njerëzimi i shtrembëron qëllimet e qenies së tij duke u shndërruar në armik të vetes dhe të planetit”. E sot, siç vëren Papa, “ka humbje ose të paktën eklips të ndjenjës së njeriut e edhe  shpërfillje të dukshme për konceptin e dinjitetit njerëzor”, ndërsa programet e inteligjencës artificiale “duhet të jenë gjithmonë për të mirën e çdo njeriu”. Domethënë, duhet të kenë “frymëzimin etik”.

Në këtë kuptim, Papa përmend në mënyrë të favorshme nënshkrimin në Romë, në vitin 2020 të tronditur nga pandemia, të Thirrjes së Romës për Etikën e AI dhe mbështetjen për atë formë moderimi etik të algoritmeve të përmbledhur në neologjizmin “algoretikë”.

Megjithëse e kemi të vështirë të përcaktojmë një grup të vetëm vlerash globale, gjithsesi, mund të gjejmë parime të përbashkëta me të cilat të përballojmë dhe të zgjidhim çdo dilemë apo konflikt të jetës.

Përshëndetja e presidentit amerikan Joe Biden
A mund të funksionojë bota pa politikë?

Ndërmjet rreziqeve të ndryshme, Papa ka frikë edhe atë të një “paradigme teknokratike”. Pikërisht këtu – shprehet – veprimi politik bëhet “urgjent”. Politika, sot për shumëkënd është “fjalë e keqe”, që të kujton “gabimet”, “korrupsionin”, “paaftësinë e disa politikanëve”, e, së cilës i shtohen “strategjitë që synojnë ta dobësojnë atë, ta zëvendësojnë me ekonominë ose ta dominojnë me ndonjë ideologji”.

Megjithatë, “a mund të funksionojë bota pa politikë?”, pyet Papa. “Po, politika është e dobishme”. Por, përballë skenarëve të përshkruar, kemi nevojë për një “politikë të shëndetshme” që mund të na bëjë ta shikojmë të ardhmen tonë me shpresë dhe besim.

Urgjenca për një “politikë të shëndetshme”

Do pranuar se ka “gjëra që duhen ndryshuar me rivendosje themelore dhe shndërrime të rëndësishme” dhe se “vetëm një politikë e shëndetshme mund t’i udhëheqë ato, duke përfshirë sektorët më të ndryshëm dhe njohuritë më të ndryshme” – siguron Papa – Në këtë mënyrë – shton –  ekonomia e integruar në një projekt politik, social, kulturor dhe popullor që synon të mirën e përbashkët, mund të hapë rrugë drejt mundësive të ndryshme, të cilat nuk synojnë ta ndalojnë krijimtarinë njerëzore dhe ëndrrën e saj për përparim, por përkundrazi, ta kanalizojnë këtë energji në një mënyrë të re “.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit