“124 emrat e drogës”, Luan Rama: Ç’po ndodh me listën e Ramës dhe Demirajt?!
Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Policisë së Shtetit, arrestimin e kokave të hashashit. Si Kryeministri edhe Ministri i Brendshëm teknik, Dritan Demiraj, kanë pohuar se disponojnë një listë me 124 emra të personave të përshfirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Por kur kanë kaluar 4 ditë nga këto deklarata, Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama në një postim në rrjetin social “Facebook”, i drejtohet Ramës dhe Demirajt që të japin llogari se ç’po ndodh me personat që gjenden në listën e zezë të qeverisë.
Edhe pse shprehet se kaq nuk mjafton për luftën kundër kanabisit, Luan Rama i kërkon shpjegime kryeministrit dhe ministrit të tij nëse i janë drejtuar apo jo Prokurorisë, në mënyrë që të nisin hetimet.
Por nga ana tjetër, deputeti i LSI-së thekson se Prokuroria nuk është para ndonjë thashethemi, por para deklarimeve zyrtare e publike të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, dhe nuk ka pse të presë denoncimet e tyre për të nisur nga puna.
Reagimi i plotë i Luan Ramës
Çfarë po ndodh me listën e paralajmëruar të 124 kriminelëve të drogës?!…
E paralajmëroi Kryeministri, e pas tij e konfirmoi edhe Ministri i Brendshëm se kanë në dorë një listë me 124 emra kriminelësh që merren me kultivimin dhe trafikimin e drogës!
Po deri tani vetëm kaq! Ose të paktën për publikun asgjë më shumë…
Natyrisht që jo çdo gjë i duhet thënë publikut, pasi specifika e shërbimeve të këtij lloji imponon rregulla strikte të ruajtjes së sekretit profesional.
Por një gjë duhet të na e thotë Kryeministri:
A është, përkatësisht, a janë relatuar çështjet në Prokurori?
Dhe nga ana tjetër, çfarë po bën Prokuroria?
Kaq ditë pas shpalljes publike se ekziston një listë me emra trafikantësh të drogës, madje edhe të lidhur e suportuar prej policisë apo segmenteve të politikës, a ka ndërmarrë ajo ndonjë veprim procedurial qoftë edhe kryesisht?…
Sepse mund të ndodhë që zjarret që po djegin vendin, të djegin edhe listën e kriminelëve të drogës!
Prokuroria nuk është para ndonjë thashethemi, po para deklarimeve zyrtare e publike të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm.
KOHA JONË SONDAZH

