Sadik Çobani, themeluesi i shkollës shqipe në fshatin Vajzë!
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Nga fisi ilir i amantëve në shkollën e parë shqipe për vajziotët
Shkolla e fshatit Vajzë ka ditëlindjen. Ajo feston së afërmi 110-vjetorin e krijimit të saj. Drita e diturisë u përhap në këtë fshat me rrënjë amantine, në truallin ilirik. Mësuesi që themeloi shkollën për herë të parë është mendjendrituri Sadik Çobani/Bora. Vajziotët krenohen me historinë e tyre. Fati i ka përkëdhelur, pasi, në 72 fise ilire dhe 14 iliro-jugore, një prej tyre ka qenë në Vajzë, rrëzë Beunit, mbështetur në faqen e malit të Tartarit. Vajziotët janë vijues të amantëve, këtij fisi ilir që jetonte këtu dhe që njihej për karakterin luftarak, qëndrueshmërinë dhe organizimin e tyre shoqëror e politik. Jeta këtu është ndërtuar në mijëvjeçarë më parë, në shpatin perëndimor të pllajës së Beunit, 600 m lartësi mbi nivelin e detit, pak kilometra nga Vlora, me emrin që simbolizon vijueshmërinë e jetës dhe nuk ka të dytë: “Vajzë”. Gjurmët e lashta në truallin e Vajzës e kanë zanafillën e vet, sipas dokumenteve, nga neoliti, rreth periudhës së vonë të parahistorisë, që daton rreth 3000 vjet para erës sonë.
Qyteti antik i Amantëve lidhet me një nga qendrat më të rëndësishme të Ilirisë së Jugut. Trashëgimia e Amantëve lidhet ngushtë me historinë, kulturën, edukimin dhe qytetërimin e lashtë ilir në këto treva. Mësuesi i parë i fshatit Vajzë, Sadik Çobani, në shtatorin e vitit 1916, plot 110 vite më parë, kishte parasysh vijueshmërinë e një tradite që vinte që nga kohët e lashta. Ai mbante mbi supe misionin e përhapjes së dritës së diturisë, asaj diturie për të cilën Naimi i madh thoshte: “Dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë”. Ky identitet dëshmohet nga gjetjet arkeologjike antike, monedhat e Amantias, mbishkrimet që flisnin për traditën në edukim, skulpturat, objektet e jetës së përditshme, stadiumi, fortifikimi dhe tempujt, të cilët tregojnë për zhvillimin politik, kulturor e besimtar, si dëshmi të historisë, kulturës dhe identitetit të Amantëve si një komunitet i lashtë i trevave ilire. Mësuesi Sadik Çobani erdhi në Vajzë, në oxhakun e të parëve, i ngarkuar me abetare të shtypura nga patriotë shqiptarë në Stamboll, Bukuresht, Sofje etj., por edhe me fletore e lapsa për vogëlushët e Vajzës, të etur për dituri. Krahas “ABC-së”, këtë gjuhë të bekuar amtare, Sadik Çobani u mësonte djelmoshave të Vajzës edhe historinë e kësaj treve të mbushur me trimëri e lavdi, trevë me identitet amantin, me territor ku shtypeshin dikur monedha, shkruheshin mbishkrime, praktikoheshin besime dhe ngriheshin monumente, si dhe ruheshin tradita që dallonin nga fiset e tjera ilirike.
Themeluesi i shkollës, Sadik Çobani, gjeti mbështetje të fuqishme nga klerikët bektashinj të zonës, nga ata bektashinj që kishin mbështetur edhe Qazim Hoxhën, mësuesin që themeloi shkollën e Sevasterit më 1911. Mbështetësit bektashinj në themelimin e shkollës ishin Sheh Mehmeti (Mehmet Beqiri), një figurë e rëndësishme që ishte përhapës i arsimit dhe i shkollës së parë shqipe, por edhe Hysni Shehu, i cili përmendet në shumë dokumente si veprimtar që punonte për mësimin e shqipes në kuadër të veprimtarisë patriotike në këtë trevë. Vajziotët, për përparimin e tyre, sidomos për arsimimin, janë mbështetur edhe nga Baba Hasani, së bashku me dy dervishët e tij, Dervish Zemanin dhe Dervish Velikun, që prehen te mekami i Vajzës. Ka një domethënie interesante edhe për emrin e mësuesit të parë të Vajzës. Nuk është e rastit që edhe vetë emri i mësuesit të parë, “Sadik”, është kaq domethënës. Sadik do të thotë “mik”, “besnik”, “i sinqertë”, “ai që thotë të vërtetën”, “ai që mban premtimin”. Dhe, në fakt, përmbajtja e emrit të tij kishte brenda një premtim të mbajtur, atë premtim që u kishte bërë rilindësve të mëdhenj në zemër të perandorisë për ngritjen e shkollës së parë shqipe në fshatin e tij, në Vajzë. Emrin Sadik, nga viti 1916 deri në vitin 2026, sipas “IA-së”, e kanë mbajtur rreth 4500–5000 vetë, ndërkohë që aktualisht në vendin tonë ka rreth 1900 vetë. Ndoshta edhe si një ogur i mirë, në kujtim të mësuesit të parë të fshatit Vajzë. Por edhe mbiemri “Bora” është gjithashtu me rrënjë ilirishte, si nga burimet e toponimeve popullore, ashtu edhe nga ato dokumentare e gjuhësore.
Nga “mësues shëtitës” në çeljen e shkollës së parë shqipe në Vajzë nga Sadik Çobani
Për shkollën e gjuhën shqipe në të gjitha trevat shqiptare është derdhur gjak përballë pushtuesve por dhe në përgjakje me fqin jët që donin ta shuanin historinë shqiptare, gjuhën dhe arsimimin dhe një prej dëshmorëve të gjuhës është padyshin Petro Nini Luarasi, që thoshte: “Gjuha shqipe është shpirti i kombit”. Por shprehja më e fuqishme e tij është: “Vritmëni, por gjakun ma mblidhni, se iu duhet fëmijëve tuaj, që ta shkruajnë gjuhën e nënës”. Shkolla e parë e Vajzës ishin shtëpitë e vetë vajziotëve, ku katërmbëdhjetë fëmijët e parë u ulën në bankat e improvizuara nga fshatarët që e kishin dashur, pritur dhe ëndërruar që drita e dijes të përhapej edhe në fshatin Vajzë. Deri në 1916, vajziotët ishin të rrallë që kishin mundur të arsimoheshin në “Ruzhdiye”, “mektepe”, por dhe në gjimnazin “Zosimea”, që e kanë mbaruar pak vajziotë në kryeqendrën e ish-vilajetit të Janinës dhe akoma më të rrallë ishin ata që kishin mundur të shkonin në Stamboll, apo në shkollat e perëndimit, megjithëse familjet shqiptare përpiqeshin ta ruanin gjuhën përmes mësimit në shtëpi.
Në Labërinë gjatë Perandorisë Osmane, pati edhe shkolla të fshehta shqipe, sidomos në disa fshatra dhe zona të jugut, ku si në Kaninë, Tragjas, Sevaster, Vajzë, Kuç, Himarë dhe fshatrat përreth, mësuesit ishin klerikë kryesisht bektashinj. Fakt është se Osmanët e kishin ndaluar shqipen me urdhër “për ndalimin absolut të shkollave shqipe”, pra ishte urdhri (iradeja) nga Sulltan Abdyl Hamidit II për ndalimin e shkollave me mësim në gjuhën shqipe: “Meqenëse gjuha e Shtetit Osman është gjuha osmane, hapja e shkollave, në të cilat mësimi do të zhvillohej në gjuhën shqipe, nuk mund të lejohet në asnjë mënyrë.” (në origjinal: “devlet-i Osmaniye’nin lisanı lisan-ı Osmani olduğu cihetle Arnavud lisanıyla tedrisat icra edilecek mektepler küşadı asla caiz olmayacağı” (sipas Arkivit Osman BOA, İrade-i Hususiye, 1315 RA 26, nr. 100; si dhe referuar historianit turk: Prof. Dr. Ali Arslan, İstanbul Üniversitesi, Edebiyat Fakültesi, Tarih Bölümü).
Me afrimin e pavarësisë, brenda pak vitesh ishte kaluar nga mësimi i fshehtë i gjuhës shqipe në shtëpi dhe nga mësuesit shëtitës te një rrjet shkollash të njohura nga administrata shqiptare, edhe për Vlorën dhe fshatrat përreth saj. Është fakt se shkolla e Vajzës bën pjesë në shkollat e para të Vlorës pasi më 1908 në Muradie u çel shkolla e parë në Vlorë, e njohur më vonë si Shkolla Nr. 1, sot shkolla “28 Nëntori”, me drejtor të parë Leonidha Naçi, ku jepnin mësim Hamit Lumi, Hamza Isai, Jani Minga. Nga viti 1912–1916, në rrethinat e Vlorës u hapën dhjetra shkolla shqipe, një në qytet dhe në Kaninën, Sevaster, Vajzë, Matogjin, Vranishtin, Kudhësin, Dukatin, Tragjasin, Oshtimën, Drashovicën, Smokthinën, Tërbaç etj. Në tetor 1908 hapet shkolla e Kaninës nga Jani Minga, në shtator 1916 hapet shkolla në Vajzë nga Sadik Çobani. Përmendim disa prej tyre, në Dukat, më 21 janar 1913, në shtëpinë e Mahmut Hoxhës, mësuesi Islam Gjoni jepte mësim për rreth 25 nxënës. Në Matogjin të Smokthinës më 1913, Halim Xhelo u bë figurë e arsimit kombëtar në krahinën e Vlorës dhe më 1913 ai u vizitua në shkollë nga ministri i Arsimit Luigj Gurakuqi; në Tragjas u hap shkolla në janar 1913 me mësues Islam Halil Ramohiton.
Figurat kryesore të arsimimit vlonjat në fillimshekullin e kaluar ishin: Jani Minga, Leonidha Naçi, Sadik Çobani, Halim Xhelo, Hamit Lumi, Kolë Kamsi, Ibrahim Abdullahu, Beqir Velo, Kristo Karbunara, Peço Kauri, Elmas Kanina, Murat Miftari etj. Shkolla që themeloi mësuesi Sadik Çobani Bora në Vajzë më 1916 ishte dallandyshja e parë e diturisë që shënoi një etapë të re të arsimimit një shekull e një dekadë më parë, prandaj edhe kujtohet dhe do të përkujtohet përjetë. Vajziotët kujtojnë shkollën kudo ku janë shkollën e parë. Brezat shqiptarë sikurse vajziotët shekujve mësuam dhe u frymëzuam, nga ata që na mësuan, u mëkuan me maksimën popullore: “Të duam Adhenë, si shqiponja folenë”, origjinën, kombin, trashëgiminë e të parëve. Në këtë kontekst janë me qindra familje me origjinë vajziote që nuk I harrojnë kurrë lidhjet me vendorigjinën e gjyshërve e stërgjyshërve. Origjinën nga Vajza e ka edhe legjenda e futbollit shqiptar Rei Manaj, pasi të parët e origjinës së tij mësuan, punuan dhe jetuan në Vajzë. Familja Manaj/Resulaj kanë jetuar në Drenie, afër shtëpisë së Iliaz Zagoll Bilbilaj.
Nga oxhaku i Toto Resul Manaj janë paraardhësit e Rei Manaj, ndërsa babai i tij është Hajro Resul Toto Manaj, i vendosur në Lushnjë në vitin 1949, por kanë mbajtur në vijueshmëri lidhje me vendlindjen Vajzën, ku vinin shpesh, ishin dhe ngelen një familje shumë atdhetare e patriote. Po nga Vajza dhe që hapat e parë i kanë hedhur pikërisht në Vajzë janë edhe Resulajt e Fushëbardhës nga ka prejardhjen dhe Resul Beqo Resuli/Onjea, që ka rënë dëshmor më 1897 në luftën e tretë për vilajetin e Janinës. Pasardhësit e tij jetojnë sot në Fushëbardhë vëllazëria Nexhip Resul Resuli/Onjea dhe Altin Resul Resuli/Onjea, por që mbajnë lidhje dhe janë pjesë në çdo aktivitet të Vajzës, duke e quajtur atë fshatin e të parëve të tyre. Gjithëkush e dinte që Vajza ka qenë nyja e hershme, që lidhte Vlorën, bregdetin me jugun e vendit, dhe më tej, rruga shekujve shkonte këndej, faqes së Beunit rrëzë Tartarit, për në Tepelenë, Gjirokastër, Janinë, Selanik e më tej, nëpër botë, drejt “Romës së re”. Vajziotët shpesh na thonë se, koha na kthen kokën prapa na çon në vendorigjinën, na kujton gjithëçka, por mbi gjithçka na shpie tek rrugën e vështirë të Abetares, që erdhi duke trokitur në çdo vatër të varfër shqiptare, për çeljen e syve të vogëlushve, edhe për këtë fshat të njohur dhe me tradita të njohura në arsimimn.
Rilindasit që kanë ecur në këtë rrugë për të zgjuar ndërgjegjen e njerëzve, kërkuan hapjen e shkollave, mësimin dhe shkrimin në gjuhën amëtare, por perandoria osmane e kishte të ndaluar rreptësisht, madje kush kapej me ndonjë abetare ilagale, dënohej me burgosje dhe në internim. Vajza kishte burra me mend, intelektual të shkolluar, jashtë vendit si, në: Janinë, Stamboll, Itali, etj. Mësimin nuk e kishin marrë në gjuhën shqipe, por ata dinin dhe donin shkrimin e gjuhës amatare, synonin e luftonin të përhapnin Abetaren kudo ku flitej shqip, ku këndohej e qahej shqip. Elitat donin të zgjonin ndërgjegjen, t’u mësonte gjuhën e shkruar njerëzve, ku “Kongresi i Manastirit”, përpjekjet e “Klubit Labëria”, mësonin gjuhën shqipe ilegale dhe po ilegalisht rrugëtonte abetarja jonë në çdo fshat të Shqipërisë. Kështu mësuesi i parë i Vajzës nuk hapi vetëm një shkollë por ndezi një pishtar të pashur për dritë diturie në çdo vatër vajziote. Nuk është e rastit se në Vajzë për çdo gjë që kërkonte “një mendje”, thoshin: “…të pyesim mësuesin dhe u drejtoheshin mësuesve të shkollës për rrugëzidhje të halleve të kohës”.
Plejada e mësuesve nga fillore, në 5 vjeçaren, 7, 8 e 9 vjeçaren për të vijuar shkollat e mesme e të larta e kanë bërë Vajzën të nxjerrë një aramtë të madhe specialistësh dhe kuadrosh të të gjithë fushave: diplomat, nëpunës, specialist, mjek inxhinier, agronom, gazetarë, mësues, ekonomist, financier, ushatark, punonjës sigurie, ministra, zv/ministra, deputetë, punonjës arti e kulture, biznesmenë të sukseshëm, etj. Vitet rrjedhin si ujët e lumit, dhe do të vijojnë të kalojnë, por do të ruhet në memorjen e tyre, të njerëzve dhe të pasardhësve, të kohës dhe do të mbetet e shënuar, edhe kjo pjezës të historisë së zhvillimit të arsimit në Vajzë, ndërkohë që emri i mësuesit të parë të Vajzës Sadik Çobanit do të vijojë të vijë gjithmonë e më i lartësuar. “Mësuesi i fshatit Vajzë”, në dekada ka merituar përgëzim e gjithë brezave që erdhën pas tij për figurën e pastër me pikëpamjet e tij përparimtare si një figurë atdhetare, komisar drite dhe përçonjës i diturisë dhe edukimit atdhetar, për dritën e diturisë që çoi në çdo vatër vajziote, për pishtarin e parë që ndezi për gjuhën, dijen, historinë, kujtesën kombëtare. Fryma e gjuhës shqipe që ndezi Sadik Çobani po buçiste në çdo vatër vajziote, në ato vatra që shekujve kishin luftuar me pushkë dhe jatagan kundër çdo pushtuesi. Por intelektualët mendjendritur si Sadik Çobani e kishin kuptuar mirë atë që kërkonte koha dhe i dhanë dimension vlerash në kohët më të vështira që kalonte Atdheu. Atdheu dhe amanetet e të parëve nuk mbrohen vetëm me pushkë, por edhe me mençuri me dritën e diturisë, me këtë dritë që ndriçon në Vajzë dhe në të gjithë Shqipërinë për një shekull e një dekadë nga dita e çeljas së shkollës së parë shqipe.
Biografi e mësuesit të parë të fshatit Vajzë, shkruar në zemrat dhe këngët e vajziotëve
Mësuesi Sadik Çobani do të mbetet një emër i veçantë në historinë e fshatit Vajzë. Me veprën e tij, ai u bë një nga pararendësit e asaj rilindjeje arsimore që i dha dritë një brezi të tërë, që vijoi rrugën e tij. Në vjeshtën e parë të vitit 1916, në një kohë kur arsimi shqip ishte ende një përpjekje e vështirë dhe e guximshme, ai themeloi në Vajzë shkollën e parë shqipe, duke hapur jo vetëm dyert e një shkolle, por edhe një udhë të re për fëmijët dhe për gjithë djemtë e vajzat vajziote. Në atë shkollë u hodhën themelet e dijes për shumë breza në dekada. Aty mësuan abetaren edhe bijtë e Vajzës që më vonë do të jepnin jetën për atdheun, ndër ta 39 dëshmorë të fshatit Vajzë, që janë sot në panteonin memorial, ndër më të bukurit në Labëri, në kodrën “Allatoj”. Emri i mësuesit Sadik Çobanit nuk i përket vetëm historisë së arsimit, por edhe kujtesës historike të fshatit Vajzë. Është interesante të sjellim disa rreshta nga libri i Maliq Sadushit, “Zgjimi i kujtesës” (f. 39): “Shkollën fillore e kreva në vitin 1939, por pa mbyllur ciklin e fundit të mësimeve, që do të mbaronin në qershor. Kjo ndodhi për shkak të pushtimit fashist të 7 prillit. Shkolla u mbyll më 7 prill. Mësuesi ynë, Sadik Çobani, që më datën 6 prill, mblodhi nxënësit dhe na tha: ‘Shkolla mbyllet, Italia fashiste po sulmon vendin tonë. Populli do të shkojë në luftë për të mbrojtur Atdheun, aq sa të ketë fuqi. Unë do të nisem që sonte në mbrëmje në Vlorë, atje do të luftojmë…’”.
Të gjitha këto ndodhnin te “Lëmi i Krekës”, ku ishte dhe shkolla dhe vendi i kuvendimeve për fshatin Vajzë. Pas çlirimit, shkolla u ribë e re në Krekës, në qendër të fshatit, dhe rreth viteve ’50 kishte rreth 50 nxënës, ku mësues kanë qenë Mitat Bello dhe Tare Sejdia nga Vlora. Biografia e tij nuk është e gjatë në libra dhe nuk gjendet lehtë në arkivat e kohës, sepse arkivat në atë kohë ishin vetëm një ëndërr. Por ajo ka mbetur e gjallë në kujtesën e njerëzve dhe në këngët e popullit. Në Vajzë dhe në të gjithë Labërinë ka pasur burra që jetën e tyre e shkruan me pushkë, ndërsa ka edhe burra që e shkruajnë jetën e tyre me abetare, me dritën e dijes. Sadik Çobani e shkroi jetën e tij me dritën e dijes.
Në ditët e sotme, krahas figurave të shquara që Vajza i ka dhënë kombit, si heroi dhe dëshmori Perlat Rexhepi, poeti i madh Ali Asllani, emri i mësuesit Sadik Çobani meriton të kujtohet si pishtari i parë i arsimit shqip në Vajzë, njeriu që ndezi një dritë që nuk u shua më kurrë. Ajo dritë vazhdon të përcillet nga brezi në brez, si një amanet i çmuar i dijes, gjuhës dhe dashurisë për vendin. Në qendër të fshatit, brezat që do të vijnë, me siguri, do të ngrenë edhe një bust për pishtarin e arsimit në Vajzë, për mësuesin Sadik Çobani, që do të ishte nder e krenari për fshatin, mençuri dhe dituri për brezat. Pse jo edhe ringritjen e stendave të fshatit, që të flasin për heroizmin e trimërinë, por të flasin edhe për jetën, trashëgiminë, mësuesin e parë dhe gjithë atë armatë mësuesish që shkruan mençuri me emrin e tyre. Biografia e arsimit vajziot meriton të ringrihet mbi bazën që dikur kanë bërë mësuesi Nesip Xhelili, si dhe mësuesit e tjerë dhe intelektualët, të cilët Vajza i ka pasur dhe i ka me shumicë.
Biografia e mësuesit të parë ndriçon në të gjitha rregjimet. Një nga intelektualët më në zë të fshatit Vajzë, Mynyr Hanaj krijues, ish-ekonomist, më 10 janar 2009 ka bërë një krijim që nuk është thjeshtë një vargëzim poetik, por vetë jeta biografike e mësuesit të parë të Vajzës. Edhe pse sikurse thotë Lefter Hitaj, autori Mynyr Hanaj ka ndërruar jetë, vargjet poetike të tij janë në fakt një lapidar për mësuesin e parë të fshatit të para 110 viteve: “1.Për Atë që nuk vdes kurrë,/Për Sadik Çobanin/Bora që mbeti kollonë, mbeti burrë,/Për themeluesin e shkollës së fshatit Vajzë,/ Për mësuesin e parë të saj../ Vajza mbi fshatrat e tjerë,/ Ka nxjerr burra ka pat krerë,/ Nga tabani, burrë zakoni,/ Me një peshë si Napoloni./ 2. Vije nga një portë e madhe,/ Dera që kishte nishane,/ Në mëhallën e Çobane, Sadiku një Majë, Maje./ 3.Sadiku një mendje hollë,/ Mësues i të parës shkollë,/ Ishe pjesë e një elite,/ Nga një vatër erudite./ 4.Sadik Çobani pinjollë,/ Se hapi të parën shkollë,/ Nxënësit u ndjenë në klasë,/ Si në sisën e Mamasë./ 5.Patriot e i paepur,/ Ish një nacionalist i thekur,/ Mbi të gjitha atdhetar,/ Nga Perëndimi kishte parë…/ 6.Je nga kurorat e mira,/ Je nga treva parësia,/ Sadik Çobani i Bore,/ Ishe, mbete shpirti i asaj shkolle./ 7. Ishte luftë e nuk ishte paqe, /U nda fshati në dy kampe,/ Ishte Balli me Partinë,/ Ishin me krerët zinxhirë. /8 Historia ka dy faqe, /Njera luftë e tjetra paqe,/ Aty është madhështia,/ Aty futet djalëria. /9. E di nëna fatëkeqja,/ Kur me grusht u mblodh urrejtja,/ E dinë shokët rreth e rrotull,/ E di Labëria e vuajtur./ 10. Sadik Çobani me baçe,/ Me fëmijtë ngjan me krajle,/ Eksponent i Labërisë,/ Në djepin e diturisë./ 11. Kur u martua Sadiku,/ U mblodhën shokët, /erdhi miku,/ Me filxhan e pinë rakinë,/ Haxhiu godet me opingë…/12.Kështu i tha xha Rexhepi, Barjamit aty tek vreshti,/ Bëhuni burra si ata,/ Se vijnë nga dyer të mëdha./ 13.U fshih balta, egoizmi,/ U ringjall nacionalizmi,/ Po lëvizin dru e gurë,/ Lartësohet një figurë. /14. Horizonti mendimtarit,/ Mirënjohje Sadik Çobanit,/ Për atë që nuk vdes kurrë,/ Mbeti kollonë, mbeti burrë…”.
Sadik Çobani/Bora ishte dhe mbeti mençuri dhe pishtar diturie i fshatit Vajzë. Sadik Çobani/Bora lindi rreth vitit 1895 dhe ishte një nga bijtë më të shquar të familjes Boraj të Vajzës, një familje e njohur ndër breza për traditat e saj patriotike, luftarake, arsimdashëse dhe atdhetare. Sadik Çobani është pasardhës i trungut të Bora Çobanit, Nuredin Boros, Çoban Nuredinit, të shquar edhe në trashëgiminë patriotike. I rritur në këtë mjedis, Sadiku trashëgoi ndjenjën e dashurisë për vendin dhe bindjen se dija dhe arsimi ishin një nga rrugët më të rëndësishme të përparimit kombëtar. Çobanajt/Borajt ishin fisnikë dhe, deri diku, edhe të mesëm në pasuri, me djersën e ballit dhe me mençuri, por edhe të shkolluar. Me zgjuarsi, talent dhe karakter të fortë, ai iu kushtua arsimit dhe u bë një nga mësuesit e njohur të trevës së Vlorës. Shërbeu në Kaninë, Mavrovë, Ramicë dhe në fshatra të tjerë, ndërsa kontributin e tij më të rëndësishëm e dha në Vajzë, vendlindjen e tij, ku mbetet i kujtuar si mësuesi i parë i fshatit. Në një kohë kur arsimi shqip ishte ende një mision i vështirë dhe i lidhur ngushtë me fatet e kombit, ai e pa shkollën jo vetëm si vendin ku mësohej shkrim e këndim, por si vatër të kulturës, dijes dhe ndërgjegjes kombëtare.
Sadik Çobani ishte njëkohësisht i përfshirë në jetën patriotike dhe politike të kohës. Fakt historik është se komandanti i çetës së Vajzës në Luftën e Vlorës ishte Çoban Nuredini, që u plagos edhe në këmbë, por ngeli në këngë, sepse iu thurën vargjet: “Vajziotë gjuhëbilbilë,/ Kishin Çoban Nuredinë,/ Me dy plumba ç’e godinë,/ Tha, në tel çorra kërcinë…”. Sadik Çobani mori pjesë në veprimtari dhe shoqëri me karakter arsimor e kombëtar dhe, në vitin 1924, shërbeu për disa muaj si sekretar në qeverinë e Fan Nolit. Karakteri i tij i pavarur, bindjet demokratike dhe qëndrimi i drejtpërdrejtë ndikuan edhe në rrugëtimin e tij profesional, duke përjetuar emërime dhe largime nga detyra deri në vitin 1932. Në Vajzë vazhdoi të shërbente si mësues deri më 7 prill 1939, kur pushtimi fashist i Shqipërisë solli mbylljen e shkollës dhe ndërprerjen e veprimtarisë së tij arsimore. Me ndjenja antifashiste, nacionaliste e demokratike, gjatë Luftës së Dytë Botërore u rreshtua fillimisht me forcat nacionaliste, me bindjen se kjo forcë do të luftonte kundër pushtuesit. Fashistët italianë, me operacionin e parë të prillit 1943, dogjën fshatin Vajzë, shtëpi e kasolle, si dhe dogjën edhe shtëpinë e Borajve, si antifashistë që ishin edhe ata. Edhe në rrethanat e ndërlikuara të luftës, nuk mori pjesë në veprime të armatosura kundër forcave partizane, duke i qëndruar besnik pikëpamjeve të tij. Por Borajt patën aktivitet edhe gjatë LANÇ-it. Feti Çobani Bora, ish-aktivist i luftës antifashiste, u arrestua dhe u internua në nëntor të vitit 1943 dhe u ekzekutua në kampet naziste.
Myqerem Çobani, ish-partizan, ishte oficer në ushtri deri në vitet ’50. Metlli Çobani ka ndihmuar shumë lëvizjen në qytetin e Vlorës me materiale e fonde. Borajt, si oxhak fisnik, janë shtrirë në katër degëzime familjare. I pari i këtij fisi del të ketë qenë i quajturi “Bora”. Brezi i dytë përfaqësohet nga Nuredin Bora, brezi i tretë nga Çoban Nuredinaj. Brezi i katërt nga Sadik Çobani, Fehti Çobani, Myqerem Çobani dhe Metlli Çobani. Brezi i pestë nga Leka Sadik Çobani, Ylli Sadik Çobani, Bardhyl Fehti Çobani etj. Brezin e gjashtë aktualisht e përbëjnë pasardhësit e brezit të pestë. Familjet e Borajve nuk kanë banuar në fshat që pas mbarimit të Luftës Nacionalçlirimtare. Fehti Çoban Bora (1905–1944, Gjermani), i ekzekutuar nga hitlerianët në kampin e përqendrimit në Mathauzen, është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”, me vendim nr. 119, datë 30.5.1986, të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Vlorës (draft i librit: Zaho Golemi, “Yje mbi Beun”, faqe 121–124). Për kohën e lindjes dhe kur ka ndërruar jetë Sadik Çobani Bora ka disa variante, por duhet të vërtetohen dhe të riverifikohen nga disa burime dokumentare. Metlliu u vra aksidentalisht në vitin 1947. Myqeremi jetoi për shumë vjet në Fier. Kanë banuar në Vlorë e Fier dhe zhvillimi i saj na paraqitet në gjashtë-shtatë breza (sipas Maliq Sadushi, “Fshati ynë i mirë”, Tiranë, 2002, f. 54). Qëndrimi për pasluftën bëri që edhe veprimtaria e Sadik Çobanit të lihej disi në hije dhe biografinë e tij duhet ta kërkojmë në skutat më të thella të historisë së dokumentacionit shqiptar.
Ndërkohë, burra me dituri të plota për fshatin Vajzë, si Maliq Sadushi, Mitat Bello, Irfan Birbilaj, Lefter Hitaj e dhjetëra të tjerë, e kanë vlerësuar shumë atë, me shumë të drejtë. Jeta e Sadik Çobanit mbeti e lidhur me arsimin, atdhetarinë dhe historinë e Vajzës. Në vitin 1991 ai u shpall i pafajshëm nga dokumentet zyrtare, ndërsa kontributi i tij në fushën e arsimit u nderua me Urdhrin “Naim Frashëri”. Të dhënat që vijnë nga mbesat e mësuesit të parë, Etleva Bora dhe Diana Bora, flasin se në dasmën e gjyshit tonë, Sadik Borës, që u martua me Metulla Beqirin nga Velça, morën pjesë gjithë fshati, por edhe miq e shokë të largët, edhe Osman Haxhi Muhameti, që e kishte mik babain e tij, por edhe vetë Sadikun. Borajt ishin soj trimash të mençur dhe me një rreth të gjerë miqësish. Ylli Bora na shkruan se vitlindja është e diskutueshme, 1894–1895, ndërsa edhe viti i vdekjes vjen po me memorien e tyre dhe i referohen si vit vdekjeje 1976. Sadiku kishte edhe tre vëllezër: Fetiu, Myqeremi dhe Metlliu. Të dhënat thonë se shkollën e ka ngritur pranë shtëpisë së tij dhe ka punuar mësues me periudha, se disa vite i ndalohej. Nga viti 1924 deri në vitin 1932 iu ndalua mësimdhënia dhe pas vitit 1932 iu hoq kufizimi. Sadik Bora ka punuar gjithashtu si sekretar në qeverinë gjashtëmujore të Fan Nolit, nga qershori deri më 24 dhjetor 1924. Në kujtesën e brezave thuhet se Sadik Bora ka vendosur autobusin e parë nga qendra e Vlorës deri në Skelë në vitin 1939. Në fshatin Vajzë ka dhënë mësim deri në prill të vitit 1939. Në vitin 1991 ose 1992, nuk e kujtoj të saktë, është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri”. Nga ana tjetër, fshatin e ka ndihmuar shumë edhe në përgatitjen e dokumentacionit dhe titujve të pronësisë, por një ndër meritat e tij të njohura ishte se, në të gjitha periudhat e jetës së tij, ai ka nxitur shkollimin e fëmijëve të fshatit të tij të lindjes, Vajzë. Emri i tij mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës historike të Vajzës, si një prej atyre burrave të mençur që, në një periudhë të vështirë të historisë sonë, i shërbyen vendit përmes dijes, shkollës dhe përkushtimit ndaj brezave të rinj.
Nderimi i mësuesve është krenari dhe respekt për dijen
Janë të shumtë ata që duan të kujtojnë me nostalgji mësuesit, drejtorët, ata që i mësuan të ecnin në jetë. Fjala “mësues” dikur kishte peshë, emocion, ishte prind i dytë për këdo. Janë të shumtë ata që i duan, i respektojnë dhe nderojnë mësuesit, që kanë përçuar dijen, këtë “armë” magjike për jetën. Fakt është se në Shkollën e Vajzës kanë mësuar qindra djem e vajza të këtij fshati, personalitete që i bëjnë nder Vajzës në çdo epokë të zhvillimeve në më shumë se një shekull. Ndërkohë, kur flasim për Sadik Çobanin, flasim për një pasuri dhe kujtesë historike që klasifikohet natyrshëm si një ndër personalitetet më të spikatura vajziote. Më të vjetrit e Vajzës na flasin për mësues Sadikun si burrë i mençur, me horizont e kulturë të gjerë, nacionalist në mendime, por atdhetar. Të ngjante me një arkiv lëvizës që kujdesej deri në detaje për nxënësit e tij. Janë të shumtë ata që kanë dalë nga bankat e shkollës në Vajzë, që, në një vështrim të përgjithshëm, i kanë shërbyer vendit dhe kombit shqiptar, përkatësisht në radhë kronologjike, me abetare, me penë, me pushkë, me dije dhe në frontin e ringritjes së Shqipërisë së re, në mbrojtje, në sigurinë publike, në aksione kombëtare, në arsim, mjekësi, ekonomi, në drejtësi e deri në nivelet më të larta të lidershipit shtetëror.
Pa pretenduar se kemi ezauruar gjithçka në lidhje me nxënësit që kanë rrezatuar dhe kanë dhënë kontribute në shumë fusha të jetës, në këtë shkrim modest për themelet e shkollës së Vajzës po përmendim disa nga figurat kryesore të këtij fshati me emër të shquar në Shqipëri. Natyrshëm, ndjesa është për çdo pasaktësi, por edhe për çdo mangësi, që besoj pjesa e elitës intelektuale do ta plotësojë, për vetë njohjet edhe më të thella të vendlindjes. Komuniteti vajziot mburret me të drejtë me Ali Asllanin, poet i madh i letërsisë shqipe, bashkëpunëtor i ngushtë i Ismail Qemalit, diplomat, nëpunës dhe ish-kryetar i Bashkisë së Vlorës, figura kulturore më e njohur e Vajzës, me një vepër të vyer të trashëgimisë kombëtare shqiptare. Të tjera figura që kanë studiuar në Vajzë ose kanë lidhje shpirtërore me të janë Perlat Rexhepi, Hero i Popullit dhe Dëshmor i Atdheut, një nga figurat e njohura të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që ra në Shkodër më 1942, së bashku me Jordan Misjen dhe Branko Kadinë. Gjeneral Maliq Sadushi, drejtues i lartë ushtarak dhe historian, që mori pjesë që i ri në Luftën Nacionalçlirimtare dhe më pas pati një karrierë të gjatë në strukturat e mbrojtjes shqiptare, është një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne të Vajzës.
Lavdosh Ahmetaj, figurë politike dhe shtetërore, i përmendur si ish-ministër, që ka dalë nga Vajza. Sokol Sadushi, jurist dhe gjyqtar i lartë shqiptar, aktualisht kryetar i Gjykatës së Lartë, ndër figurat bashkëkohore më të njohura me origjinë nga Vajza, ka qenë një nga mbështetësit e aktiviteteve kulturore të fshatit. Sadik Çobani, mësuesi që, sipas traditës dhe materialeve të dokumentuara, lidhet me themelimin e shkollës së parë shqipe në Vajzë në vitin 1916, që meriton edhe në të ardhmen kërkim të posaçëm në arkiva. Edhe përpara hapjes së shkollës, janë të shumtë bijtë e Vajzës që kërkonin arsimim për fëmijët e tyre, por mundësitë ishin minimale. Kështu, Sulejman (Kapo) Rexhepi, që ishte gjyshi i Perlat Rexhepit, ka qenë figurë patriotike e penës dhe e pushkës në kohën e Rilindjes Kombëtare, ndër bijtë e fshatit që lidhen me traditën e luftës dhe atdhetarisë. Laze Sulejmani, luftëtar dhe veprimtar i njohur i fshatit Vajzë. Dr. Rexhep Sulejmani ose Kapiten Rexhep Sulejmani, titull e gradë që ia dha KMK, ka qenë edhe komandant i kampit të robërve italianë që u krijua në Vajzë deri më 3.9.1920.
Burrat e shquar të periudhës së Luftës së Vlorës të vitit 1920, si Kalo Veselaj, Hajro Resulaj, Zagoll Bilbilaj, Fako Çobaj, Shako Nazaj, Muhamet Maskaj, Begë Hitaj, Çoban Boraj, Dino Tafilaj, Shefit Hazizaj, Veledin Hanaj, Feçor Lulo, Mezan Beqari, Zigur Ahmetaj etj., patën bijtë e tyre që mësuan pikërisht në bankat e shkollës së Vajzës, të çelur më 1916. Piro Rexhepi dhe gjithë bijtë e Rexhep Sulejmanit kanë dëshmuar për historinë familjare të Perlat Rexhepit dhe Ali Asllanit, ku dëshmitë e tij janë përdorur në shkrime historike e publicistike për Vajzën. Gani Vajza, luftëtar dhe ushtarak madhor, mjaft i njohur i fshatit. Por Vajza ka dhe mjaft personalitete që arsimin bazë e kanë marrë në fshat, si Xhipe Mersini, Çize Hamiti, Kamo Tare, Azbi Nurçe Hitaj dhe tri vajzat e tij, Sali Mezini, Daver Elezi, Myfyt Zaçe, Qemal Bilbilaj, Pandeli Bilbilaj, Irfan Birbilaj, Avni Birbilaj, Mitat Bellaj, Syrja Bellaj, Nertil Ëngjëllush Bellaj, kryetari aktual i Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, një djalë energjik dhe i palodhur për gjithë zonën që mbulon bashkia e tij, Gëzim Çobaj, Patriot Çobaj, Aleks Çobaj, Luan Rexhepi, Riza Çize (Brahimi), Mynyr Hanaj, Lefter Hitaj, Kristo Hitaj, Gjergji Habilaj, Sokrat Habilaj, Erjon Habilaj, Kudret Habilaj, Zini Shakaj, Mynyr Resulaj, Elham Manaj, Ahmet Azizi, Fiqiret Elezaj, Pajtim Majko, Demir Majko, Xhevahir Hanaj, Ollga Sheraj, Sheqere Çaushaj. Fiqirete Kapaj, këngëtare e përmendur ndër bijat e njohura të Vajzës, pjesë e traditës kulturore të fshatit. Armando Bora, regjisor dhe një nga figurat e njohura që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e “Vajzë Fest”, aktivitetit kulturor që synon të përcjellë traditën e fshatit te brezat e rinj dhe që, në gushtin e këtij viti (2026), u zhvillua për herë të katërt radhazi.
Mësuesit e fshatit Vajzë, misionarë të dijes
Mësuesit ishin dhe mbetën drita e dijes dhe zemra e fshatit Vajzë përmbi një shekull. Në bisedë me vajziotë të kujtojnë edhe kohën kur përpara shkollës rreshtoheshin 250 deri në 300 nxënës dhe komandanti i çetës, sikurse në mënyrë të unifikuar në mbarë vendin, çdo mëngjes, para fillimit të mësimit, lëshonte thirrjen: “Pionierë, në luftë për çështjen e Partisë dhe të popullit të jemi gati!”, dhe përgjigjja në një zë ishte: “Gjithmonë gati!”. Nga Vajza kanë dalë kuadro të shkëlqyer falë dijeve që morën në vendlindje dhe u shpërndanë në të gjitha degët e ekonomisë, në mbrojtje, në polici, në mjekësi, kudo në veprat energjetike dhe kudo ku kishte nevojë Atdheu. Nga Vajza e Beuni, rrëzë Tartarit, rrezatuan dritën që morën në vendlindje, në shkollën si vatër e pashtershme diturie. Sipas Henry Adams, “një mësues prek përjetësinë. Ai kurrë nuk mund ta dijë se ku përfundon ndikimi i tij”. Por një gjë është plotësisht e vërtetuar në këtë jetë: mësuesit e vërtetë e kanë fituar përjetësinë me profesionin e tyre, plot fisnikëri dhe misionarë të dijes. Nga të dhënat e ish mësuesit Mitat Bello, në vitet 1952 deri në 1956, mësues në Vajzë ishin Mitat Bello dhe Tare Sejdia nga qyteti i Vlorës. Shkolla në këtë periudhë akoma nuk e kishte marrë emrin që ka sot, “Perlat Rexhepi”, dhe ishte në ish qendrën e fshatit, në Krekës. Fshati në këtë periudhë kishte rreth 120 shtëpi të rindërtuara pas djegies së fshatit gjatë luftës, ndërsa shkolla e re e ringritur kishte rreth 46 deri në 50 nxënës. Ishte një shkollë katërvjeçare, me klasat e grupuara, klasa I dhe II dhe tjetra klasa III dhe IV.
Irfan Birbilaj, kryetari i SHKA “Vajzë”, tregon me nostalgji për vitet e studimit në shkollën tetëvjeçare, sot nëntëvjeçare, të fshatit Vajzë, për periudhën 1.9.1964 deri më 30.6.1972, ku drejtor ishte Rami Memushi e më tej edhe Kujtim Leskaj, Fiqiret Elezi, Elsa Kordha, e motra e Milto Kordhës, ndërkohë që para tyre ka qenë drejtor edhe Agron Belshi, Leka Bora etj. Por në këtë fshat me emër kanë dhënë mësim edhe Mitat Bellaj, Bashkim Gjonbrataj në vitet 1963 deri në 1964 dhe shumë mësues edukatorë të zotë dhe me kompetencë të plotë profesionale, që kanë lënë gjurmë në breza. Mësues në Vajzë gjatë kësaj periudhe kanë qenë Violeta Rrokaj, Ahmet Azizi, matematikë, Fiqiret Elezi, matematikë, Elsa Kordha, letërsi, Eli Papa, letërsi, Dafina Qejvani, Skënder Bitri, kimi, Luiza Dhimitri, kimi, si dhe Vitori etj. Shkolla, në vitet ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar, kishte rreth 300 nxënës dhe përmblidhte të gjithë nxënësit e klasave të pesta deri në të teta, pasi në atë kohë ishte sistemi tetëvjeçar. Por në Vajzë arsimoheshin edhe nxënësit e fshatrave fqinjë, si Ploça, Amonica, Velça dhe Matogjini. Xhevahir Hanaj na thotë: “Unë kam filluar shkollën fillore në vitin 1961 dhe kam bërë klasën e parë dhe të dytë lart te lëmi i Krekës, që i thoshim ne! Tani, me sa kam dëgjuar, është shtëpia e djalit të Shako Shakaj. Mësuese në klasën e parë kam pasur Suzana Papa në vitin 1961, kurse në klasën e dytë kemi pasur mësuese Aretinën nga Palasa e bregdetit.
Klasën e tretë e kam bërë te shkolla e re, poshtë ku është sot, por e kompozuar në formë “L”, me mësues Bekim Pipën! Në klasën e 7 të dhe të 8 të kemi pasur mësues kujdestar Nasip Xhelilin, që ka edukuar shumë breza në fshatin Vajzë, por është edhe pjesë e historikut të fshatit dhe ka grumbulluar edhe shumë të dhëna për muzeun, për mësuesin e parë Sadik Çobani. Mësues matematike ka qenë Ahmet Azizi dhe drejtor ka qenë profesor Rami Memushi, që jepte gjuhë e letërsi, ndërsa mësues për histori e gjeografi ka qenë dhe Leka Bora. Shkolla ishte vendi ku shkonim me qejf dhe nga nisi rrugëtimi i dhjetëra, qindra kuadrove të lartë të dalë nga fshati Vajzë”. Nga kontaktet me profesor Rami Memushin: “Ruaj kujtimet më të mira për fshatin Vajzë. Kam qenë drejtor i shkollës së Vajzës nga shtatori 1968 deri më 15 gusht 1970, në të vërtetë, nga marsi 1969; shtator 1968 deri në shkurt 1969 qe zbori gjashtëmujor. Mbaj mend se në ato vite mësues qenë Bekim Pipa me Dritën, të shoqen, Dafina Qejvanaj nga Kallarati, Nako Zile nga Narta, një mësuese minoritare me emrin Vitori, Eleni Mboqe nga Himara, Nasip Xhelili, Eli Papa nga Vlora, Ahmet Azizi me të shoqen, Farinë, Mersin Agaj nga Kuçi dhe dy mësues në Ploçë, të cilëve nuk ua kujtoj emrin, pra gjithsej 14 mësues. Kishim rreth 200 nxënës, vajziotë, nga Ploça dhe Buallari. Një kolektiv që punonte dhe nxënës që mësonin. Kishim ndihmën e madhe të këshillit të fshatit dhe të kryetarit të kooperativës, Thoma Papa. Vitin e dytë, aty nga shkurti 1970, hapëm mensën e shkollës, ku fëmijët hanin drekën. Lekët për ushqimin i siguruam nga puna fizike dyjavore e nxënësve, që na u vlerësuan si ditë pune. Në rrethin e Vlorës vetëm Dhërmiu kishte shkollë me drekë. Po atëherë nuk dinim ta reklamonim këtë arritje.
Mensa u mbyll me mbarimin e vitit shkollor. Më 16 gusht 1970 u transferova në fshatin Vranisht dhe pas meje vijoi ta drejtonte shkollën drejtori Fiqiri Elezi”. Ndërsa Kujtim Bishaj, kryetari aktual i SHKA “Vëllazërimi Kuciot”, i cili ka bërë një vit mësim në fshatin Vajzë në vitin 1967, më shkruan: “Në vitin 1967 kam bërë një vit shkollë në Vajzë, ku drejtor në Vajzë ishte Vullnet Elbasani, mësuese Qamile Balili nga Kuçi. Vullneti dhe Qamilja, që ishte mësuese beqare në Vajzë, u martuan, ndërkohë që ne kemi qëndruar në një dhomë te shtëpia e Perlat Rexhepit. Agron Belshi, Leka Bora, Kujtim Leskaj, Fiqiret Elezi, Elsa Kordha etj”. Në bisedë përmes rrjeteve sociale, Zini Shakaj na përcjell informacion interesant: Mësuesit ndër vite, Shkolla 9 vjeçare “Perlat Rexhepi”, Vajzë, para viteve 1990 dhe pas viteve 2000: Drejtorë gjatë viteve 1990 deri në 2000 kanë qenë: Jolanda Hitaj, Bezhan Zenelaj, Çezar Çobaj, Etleva Përallaj. Mësues ndër vite: Ahmet Hazizaj, Farie Hazizaj, Burbuqe Çaushaj, Aftolina Çaushaj, Amazona Ilazaj, Albana Kamberaj, Nexhmije Hametaj, Jolanda Hitaj, Merita Ilazaj, Anila Hitaj, Evluda Bellaj, Valbona Çobaj, Arian Përallaj, Albert Abazaj, Shkëlqim Rukaj, Yllka Sheraj, Esmeralda Hametaj, Nasip Xhelili, Irfan Hoxhaj, Refat Lleshi, Jolanda Kadaj, Viktor Lamaj, Stefan Pina, Luiza Dhimitri, Luiza Murataj, Moisi Demiraj, Jolanda Kasaj, Dhimitër Moska, Sotir Bollano, Anita Bitri, Memo Likaj, Laureta Dhefto, kimi, biologji, Majlinda Lesko, gjuhë dhe letërsi, Jolanda Myrto, Kasaj, gjuhë dhe letërsi, Shaneta Sevo, kimi, biologji, Eduart, nga Tërbaçi, histori, gjeografi, Noshe Habili, Leka Boraj, Bekim Pipa, Skënder Kulluri, Arqile Paço, Kujtim Azizi, Skënder Bitri, Durim Rodaku, Kujtim Leskaj, Rami Memushi, Agron Belshi dhe shumë të tjerë. Një armatë mësuesish që përgatitën bijtë e bijat e fshatit Vajzë dhe, natyrshëm, kanë mirënjohjen e të gjithë vajziotëve.
*
Nga të dhënat e marra nga Ëngjëllush Bellaj korrespondojnë edhe me të dhëna të tjera. Po i vendosim ashtu sikurse mbërritën nga fshati Vajzë, në mbrëmjen e datës 26 gusht 2026, përmes rrjeteve sociale. Kështu, mësues të viteve 1970 deri në vitet 1990 kanë qenë: Farie Azizi, Ahmet Azizi, Nasip Xhelili, Eli Xhelili, Luiza Dhimitri, Vasil Buco, Fiqiret Elezi, Liljana Hysaj, Mehmet Majko, Stefan Pine, Shaniko Shakaj, Aftolina Çaushaj, Bezhan Zeneli, Irfan Lamaj; ndërsa nga viti 1990 deri sot kanë qenë: Amazona Iljazi, Anila Hitaj, Vitori Sheraj, Brunila Peralli, Nexhmie Ahmeti, Albana Kamberi, Evluda Bellaj, Valbona Çobaj, Ermal Koçiu, Etleva Peralli. Drejtimin e shkollës, në vite, nga vitet ’70 deri në ’90 e kanë mbajtur Liljana Hysaj dhe Ahmet Azizi; pas vitit 1990 kanë drejtuar Etleva Peralli dhe Evluda Bellaj. Kolonel Avni Bilbilaj, me nostalgji dhe krenari për edukatorët e fshatit Vajzë: Farije Azizi, mësuese në ciklin e ulët; Stefan Pine, gjuhë dhe letërsi; Nasip Xhelilaj, mësues për histori dhe gjeografi; Luiza Murataj, kimi dhe biologji; Ahmet Azizi, matematikë; Dhimitër Mosko, ish drejtor.
Po kështu, interesante kanë qenë bisedat edhe me vajziotë të tjerë, si me ish mësuesin në Vajzë, Nasip Xhelili, me profesor Rami Memushaj, mësues në Vajzë në vitet 1968 deri në 1971, me Mitat Bellaj, kolonel Avni Bilbilaj, Ëngjëllush Bellaj dhe shumë të tjerë. Aktualisht, Shkolla “Perlat Rexhepi” e fshatit Vajzë ka pasur 35 nxënës në vitin e kaluar mësimor, 2025 deri në 2026, dhe drejtohet nga shkolla e Kotës. Shkolla ka 6 mësues dhe, nga 35 nxënës, këtë vit të ri shkollor 2026 deri në 2027 ka të regjistruar 30 nxënës. Personeli mësimor definitiv i shkollës së Vajzës përbëhet nga: Klorida Karabollaj, kryemësuese, si dhe mësuesit Jeta Kapo, Eni Mataj, Adrian Çobaj, Enkeleda Çaushaj, si dhe Eglantina Ormënaj, edukatore në kopshtin e Vajzës. Nxënësit e shkollës nëntëvjeçare “Perlat Rexhepi”, Vajzë, që do të ulen në bankat e shkollës këtë vit të ri janë: Klasa e II ka 2 nxënës: Arlind Abazi, Mariglen Murataj.
Klasa e III ka 3 nxënës: Albion Kasaj, Erika Bregaj, Xhesika Hitaj. Klasa e IV ka 7 nxënës: Ajla Çaushaj, Armela Rukaj, Alesja Bregaj, Benardo Murataj, Danilo Islamaj, Damjano Islamaj, Klento Murataj. Klasa e VI ka 3 nxënës: Alidije Murataj, Kadrimuço Islamaj, Mezhdrije Murataj. Por edhe nxënësit: Albano Murataj, Eda Habazaj, Marinela Kasaj, Ledjo Begaj, Antinela Kasaj, Esmeralda Kasaj, Mirela Hametaj, Myfit Nazaj, Deon Ahmetaj, Fredi Hitaj. Si dje, edhe sot, mësuesit ishin dhe ngelën misionarë të dijes. Albert Ajnshtajni, kur fliste për mësuesit, thoshte se: “Arti suprem i mësuesit është të zgjojë gëzimin e krijimtarisë dhe të dijes”. Në këto ditë përvjetori të 110 të shkollës së Vajzës kujtohet natyrshëm Sadik Çobani/Bora, por edhe patriotët vajziotë që e kishin kuptuar se arsimi ishte themeli i së ardhmes së kombit dhe se pa arsim nuk mund të ketë të ardhme. Për ta, shkolla, dija dhe kultura ishin themeli i zhvillimit kombëtar.
Arsimi në Vajzë, si dje, edhe sot, nuk është luks, por një investim i domosdoshëm në të ardhmen, ndërsa vlerësimi për mësuesit dhe nxënësit është pjesë e këtij investimi. Nuk është një maksimë proverbiale, por është e vërtetë se: “Një komb mund të humbasë shumë, por pa dije, edukim dhe vlera humbet edhe drejtimin e së ardhmes”. Dija, me një mësues të mirë, bëhet një zjarr i brendshëm për ardhmërinë e sigurt të rinisë. Prandaj, shpesh mësuesit quhen ata që konsumojnë veten për t’u dhënë dritë të tjerëve, dritën e diturisë dhe mençurisë, që jo vetëm nuk shuhet kurrë, por do të ndriçojë përherë.
KOHA JONË SONDAZH

