“124 emrat e drogës”, Luan Rama: Demiraj dhe Rama të dorëzojnë listën
Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Policisë së Shtetit, arrestimin e kokave të hashashit. Si Kryeministri edhe Ministri i Brendshëm teknik, Dritan Demiraj, kanë pohuar se disponojnë një listë me 124 emra të personave të përshfirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Lidhur me këto deklarata ka reaguar edhe zëvendëskryetari i LSI-së. Luan Rama në një postim në rrjetin social facebook, është shprehur se kaq nuk mjafton për luftën kundër kanabisit. Thirrja e Ramës, është se si funksionarë të lartë të shtetit ata kanë për detyrë që këtë listë ta dërgojnë në Prokurori.
Postimi i Plotë
Kryeministri e më pas edhe Ministri i Brendshëm, deklaruan se disponojnë një listë me 124 emra të implikuarish në veprimtarinë kriminale të kultivimit e trafikimit të drogës në Shqipëri! Kaq nuk mjafton! Si funksionarë të lartë të shtetit ata duhet ta dinë se e kanë për detyrë të veprojnë në zbatim të ligjit duke kryer si hap të parë dërgimin e listës së emrave dhe të të gjithë të dhënave që kanë në Prokurori! Ndërkaq, Prokuroria, nëse nuk e ka bërë, duhet të nisë menjëherë procedurat që ligji e detyron, për hetimin dhe fillimin e çeshtjes penale për emrat e listës që disponon Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm! Shteti ka ligje dhe funksionon përmes zbatimit të ligjit!- shkruan Rama.
KOHA JONË SONDAZH

