20 vite nga ndërhyrja në Kosovë, Meta: Mirënjohje përjetë SHBA, NATO-s dhe Presidentit Klinton
Sot shënohet 20-vjetori që kur trupat e NATO-s u futën në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe shovinizmit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës.
Në ceremoninë shtetërore që u organizua sot në Kosovë për këtë datë historike për kombin shqiptar, ishin të pranishëm edhe ish-Presidenti i SHBA Bill Klinton, ish-kreu i NATO-s Uesli Klark, ish-Sekretarja amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, si dhe një përfaqësi e madhe ndërkombëtare.
Këtë ngjarje do ta përkujtonte dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, i cili përmes një foto-albumi nga takimet e sotme në Kosovë, nuk harron të falënderojë në rrjetet sociale SHBA-të, NATO-n dhe në mënyrë të veçantë presidentin Amerikane Bill Klinton.
“Gëzuar 20-vjetorin e lirisë Kosovë?? e dashur! Falënderim dhe mirënjohje përjetë SHBA??, NATO-s dhe Presidentit Klinton!”, shkruan Presidenti Meta në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”.
Njoftimi i Presidencës
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoninë përkujtimore dhe festive shtetërore me rastin e 20-Vjetorit të Hyrjes së Trupave çlirimtare të NATO-s në Kosovë.
Në prani të krerëve më të lartë të shtetit të Kosovës, si dhe të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, me të cilët u takua përzemërsisht, Kreu i Shtetit shqiptar mori pjesë në tubimin madhështor të zhvilluar në sheshin qendror të Prishtinës, që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Gjatë këtyre ceremonive shtetërore, u përkujtua me madhështi 20-vjetori historik i hyrjes së trupave të Aleancës së Atlantikut Verior në Kosovë, duke i dhënë fund genocidit të makinerisë ushtarake të Millosheviçit dhe spastrimit etnik, si dhe duke u dhuruar qytetarëve të Kosovës lirinë e shumëpritur.
Gjatë këtyre aktiviteteve, Presidenti Meta, u takua përzemërsisht me qytetarë të shumtë të Prishtinës, të cilët i uroi për këtë të ditë të shënuar për mbarë kombin shqiptar.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, i parapriu një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë.
Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson.
Me këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saja policore dhe ushtarake nga Kosova. Dita e Çlirimit të Kosovës, së bashku me pavarësinë, konsiderohen si ngjarje që kanë shënuar kthesën më të madhe në histori.
KOHA JONË SONDAZH

