3 nga aleatët e Ramës tërhiqen nga gara: PS duhet të marrë 71 mandate
Marrëveshja Rama-Basha që i ja fund krizës politike dhe siguron zgjedhje gjithëpërfshirëse, ka një pikë e cila nuk lejon koalicione. Kjo ka bërë që aleatë të partive të mëdha të tërhiqen nga gara, duke mos penguar votat e partive të mëdha.
Sot nga gara janë tërhequr 3 aleatët e vegjël të majtë, duke kërkuar nga mbështetësit e tyre që të votojnë Partinë Socialiste. Ata u kanë bërë thirrje elektoratit të tyre që në datën 25 qershor “të mos e hedhin votën kot”, por të votojnë PS-në.
PSV 91, Partia Socialiste e Moderuar (PSM) si dhe Uniteti Kombëtar edhe pse janë regjistruar në KQZ si forca garuese në zgjedhjet parlamentare, kanë vendosur sot të dalin nga gara.
Vendimi i tre partive të majta erdhi pas takimit të krerëve të tyre me kryetarin e PS dhe njëherazi kryeministrin Edi Rama si dhe Sekretarin për Koalicionet në PS, Musa Ulqini.
Kryetari i PSV91, Petro Koçi pohoi se mbështetësit e tij të votojnë për PS. “Duke pasur parasysh që nuk janë regjistruar koalicione, kemi vendosur që të mbështesim PS që të sigurojë 71 mandate. Çdo votë e hedhur për partitë e vogla dëmton Partinë Socialiste. Disa subjekte janë regjistruar, që do të thotë se cdo votë e hedhur për ato dëmton PS”, tha ai. Koçi i bëri thirrje edhe Gjinushit dhe Milos që të tërhiqen nga gara dhe që vota të shkojë për PS.
Ndërsa Gjergj Koja i PSM, thekoi se “Mbledhja vendosi që aleatët e PS t’u bëjmë thirrje mbështetësve të votojnë PS si e vetmja mundësi për të vazhduar reformat pas 25 qershorit. Çdo aventurë tjetër do të ishte e rrezikshme. Vendimmarrja ishte totalisht e pavarur, unanimiteti ishte i plotë. Kjo është e vetmja mënyrë ne të mos bëjmë eksperimente për të ardhmen e Shqipërisë”, tha ai.
Ndërsa Idajet Beqiri, kryetar i Partisë Uniteti Kombëtar, deklaroi se “nuk ka asnjë zhgënjim te aleatët, kjo është strategji e partive të majta për maksimizuar fitoren. Premtimi i vetëm nga Rama është që të vazhdojë reformat dhe ne këtë kërkojmë”.
KOHA JONË SONDAZH

