9 kongresmenë amerikanë në Tiranë, zbardhet biseda me Nishanin e Metën
Për ti dhënë zgjidhje krizës politike, 9 kongresmenë amerikanë kanë zbarkuar sot në Tiranë. Fillimisht kongresmenet janë takuar me Presidentin Nishani. Nga njoftimi i presidencës, thuhet se në takim u vlerësua roli institucional i Presidentit Nishani, për ndërmjetësimin mes palëve.
Takimi vjen në një kohë kur PD-ja së bashku me partitë e vogla opozitare, ende janë në çadër dhe nuk marrin pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.
“Presidenti Nishani dhe kongresmenët amerikanë diskutuan dhe ndanë mendime e pikëpamje mbi çështje të ndryshme si: situata politike në Shqipëri, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ecuria e reformës në drejtësi, rëndësia e shtetit ligjor, shqetësimi për dukurinë e kanabisit dhe trafikut të drogës, krimit të organizuar si dhe rreth buxhetit financiar për shpenzime ushtarake dhe mbrojtjen, duke pasur parasysh që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aleat besnik e i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në takim u vlerësua edhe roli institucional e përkushtimi i Presidentit Nishani në ndërmjetësimin e dialogut mes palëve politike në vend”, thuhet ne njoftimin e Presidences.
“Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend me fokus të veçantë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, avancimin e reformës zgjedhore, zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë, rritjen e buxhetit në fushën e mbrotjes në kuadër të NATO-s dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe kredencialeve demokratike të Shqipërisë. Dy palët diskutuan gjithashtu edhe mbi forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku vëmendje e veçantë iu kushtua fenomenit të trafiqeve të paligjshme të lëndëve narkotike dhe kultivimit masiv të drogës në vend si një aktivitet që lidhet edhe me rrezikun e terrorizmit dhe krimit të organizuar në të gjithë rajonin.
Duke biseduar mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit, u theksua rëndësia e forcimit të partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA duke ndarë bindjen se Shqipëria është një partner solid i NATO-s me peshë të rëndësishme për avancimin e axhendës euro-atlantike të vendeve fqinje.
Në këtë kuadër Meta vuri në dukje se forcimi i sigurisë dhe kontrollit të kufijve ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në rajonin e Ballkanit, ku SHBA kanë interesa strategjikë afatgjatë.
Në përfundim Kryetari i Kuvendit Meta nënvizoi se pavarësisht sfidave dhe problemeve në vend, Shqipëria është e përkushtuar ndaj axhendës së saj euro-atlantike dhe populli shqiptar ndjehet mirënjohës për miqësinë e veçantë me Shtetet e Bashkuara, e cila kontribuon në zhvillimin demokratik dhe në forcimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin”, thuhet ne njoftim.
Delegacioni i Kongresit Amerikan përbëhej prej Kryetarit të Komisionit të Ligjeve z. Bob Goodlatte, z. Steve King, z. Dave Trott, z. Matt Gaetz, z. Peter DeFazio, z. David N. Cicilline si dhe prej Ambasadorit të SHBA në Tiranë z. Donald Lu.
KOHA JONË SONDAZH

