A ndryshon qëndrim PD-ja pas protestës? Deda: Sot paqësor, ftoj skeptikët…
Deputetja e PD-së, Albina Deda, shprehet se protesta e sotme në bulevard, që mbledh të gjithë shqiptarët, do jetë paqësore. Por për kryeministrin Rama, deklaron se do jetë i pashpresë. “Protesta e sotme do jetë paqësore, ashtu siç dëshmuar opozitarët 3 muaj në çadër”, shprehet Deda.
Deputetja në një prononcim për “Koha Jonë”, nënvizon se shqiptarët nuk do të lejojnë që demokracia të asfiksohet nga narkoqeveria. “Fryma e një rendi demokratik është vota. E kur vota rrezikohet atëherë oksigjeni mbarohet. Ne nuk do të lëmë demokracinë të asfiksohet nga narkoqeveria. Edi Rama që sot është pa asnjë shpresë”.
Por a do të ndryshojnë qëndrim PD-ja pas protestës? Deputetja pohon se nuk do të ketë asnjë ndryshim të kauzës, ku PD do jetë me qëndrimin e saj konstant. “Si përpara dhe pas 13 majit, PD dhe opozita do ketë qëndrim konstant: asnjë kompromis për deformimin e votës së lirë, asnjë marrëveshje politike dhe as pazar që shkel interesin e qytetarit shqiptar”.
E pyetur se si është lexuar në çadër, qëndrimi dhe letra e komisionerit Hahn, deputetja Deda e vlerëson si qëndrim jashtë realitetit. “Deklarata të tilla janë jashtë realitetit dhe nuk kanë as në formë dhe as brendi lidhje me kontekstin e protestës sonë”.
Sot do të jemi me protestën më të madhe, shton Deda ku fton dhe skeptikët të keqinformuar sipas saj, që të shikojnë se si shqiptarët janë pro zgjedhjeve të lira e të ndershme. “Skeptikëve e të keqinformuarve vendas a të huaj qofshin, ju them të shikojnë sot protestën më të madhe qytetare post-diktaturë në rajon”.
E për kritikat e pyetur nëse PD-ja ka humbur mbështetjen nga ndërkombëtarët, Deda nënvizon se: “Nuk është e vërtetë që nuk kemi pasur mbështetje ndërkombëtare. Personalitete botërore, kongresmenë, senatorë dhe ambasadorë, na kanë përkrahur dhe asistuar në forumet publike në Çadrën e Lirisë”.
R.Shtylla
KOHA JONË SONDAZH

