Adriatik Llalla: Ky është keqinformim i ambasadorit Donald Lu
Adriatik Llalla, ish-Prokurori i Përgjithshëm, të cilit një ditë më parë iu ndalua hyrja në SHBA, ka folur për mediat amerikane në lidhje me vendimin e firmosur nga Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.
Llalla ka mohuar akuzat për korrupsion, ndërsa i është përgjigjur përmes e-mail pyetjeve të Wall Street Jornal. “Unë jam i sigurt se ky është një vendim i marrë pas një keqinformimi të dhënë nga Ambasadori Lu në Departamentin e Shtetit”, tha ai.
Gjithashtu ish-Kryeprokurori është shprehur se kurrë nuk është vënë nën hetim nga autoritetet shqiptare.
Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi ish-prokurorit të Përgjithshëm shqiptar, Adriatik Llalla, hyrjen në SHBA duke pretenduar se ishte i përfshirë në raste madhore korrupsioni.
Adriatik Llalla, gruaja e tij dhe dy fëmijëve, iu bllokua të hyjnë në SHBA sipas një ligji të vitit 2017 që autorizon Departamentin e Shtetit të vendosë ndalime për viza ndaj zyrtarëve qeveritarë që janë gjetur të jenë “të përfshirë në korrupsion madhor ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.
Ligji autorizon ndalimin e anëtarëve të familjes së këtyre zyrtarëve. Llalla shërbeu si prokuror i përgjithshëm i Shqipërisë nga dhjetori 2012 deri në dhjetor 2017, thuhet në artikullin e botuar në median amerikane.
Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit tha të premten se Departamenti “ka informacion të besueshëm se z. Llalla ishte i përfshirë në korrupsion madhor gjatë qëndrimit të tij” në detyrë, por ajo nuk pranoi komente të mëtejshëm.
Gazetari i Wall Street Journal, Samuel Rubenfeld shkruan se Llalla dhe Lu janë përplasur për reformën në drejtësi, duke kujtuar këtu se pasuesja e Llallës (Arta Marku) u zgjodh mes bombave tymuese në parlament.
Llalla ka thënë për Wall Street Journal se ai nuk di çfarë provash për korrupsion ka ShBA për të, por ai ka fajësuar Donal Lu duke thënë se “keqinformoi dhe keqinformoi me qëllim”.
“Ai më ka ofenduar mua dhe familjen time dhe të gjithë trupën gjyqësore dhe të prokurorëve, duke na trajtuar i kriminelë, duke na denigruar publikisht dhe personalisht” ka thënë Adriatik Llalla për WSJ.
Por në të njëjtën ditë, Zëri i Amerikës kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme një qëndrim “nëse do të ndërmerret apo jo ndonjë veprim ndaj ish Kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për t’i ndaluar atij hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste të mëdha korrupsioni”
“Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë i jep përparësi integritetit moral dhe profesional të zyrtarëve. Populli shqiptar pret dhe meriton që zyrtarët të punojnë me ndershmëri dhe integritet në të mirë të interesit publik”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme ndërsa shton se ky institucion “u jep mbështetjen e plotë të gjithë prokurorve që punojnë me përkushtim, dinjitet dhe integritet” e se “gjithashtu mbështet qëndrimin për ndëshkimin e cilitdo që cënon parimet e Shtetit të së Drejtës”.
Rasti i zotit Llalla ishte i pari i një zyrtari të lartë shqiptar ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara marrin sanksione të tilla. Javën e shkuar ish kryeprokurori u tërhoq nga e drejta për të qenë gjykatës në Apel duke prefruar të mbetet jashtë sistemit të Drejtësisë. Një vendim i cili solli sot dhe ndërprerjen e procesit të rivlerësimit të nisur ndaj tij.
Duke komentuar lëvizjen e pak ditëve më parë të zotit Llalla, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu u shpreh se “tërheqja nuk i shfajëson këta ish zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga Vetting-u, duhet të kenë frikë dhe nga hetimet e pashmangshme penale”.
KOHA JONË SONDAZH

