Agron Çela: Akt i paprecedentë i mazhorancës
Deputeti i LSI, Agron Çela e ka cilësuar të papranueshme vendimin e mazhorancës për të bllokuar punimet në Komisionin e Jashtëm, gjatë kohës kur opozita po kërkonte sqarime nga ministri Ditmir Bushati. Në një reagim në rrjetet sociale, Çela shprehet se mazhoranca nuk mund të fshehë të vërtetën me metoda aspak demokratike. “Ndërprerja e punimeve të komisionit parlamentar të politikës së jashtme, pikërisht në momentin kur opozita do t’i drejtonte pyetje Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, është një rast i paprecedent i shkeljes së Rregullores së Kuvendit, është një shfaqje arrogante e cënimit të etikës dhe papërgjegjshmërisë së maxhorancës. Askush e aq më pak ministri ynë për Europën dhe Punët e Jashtme nuk mund e nuk duhet t’u shmanget disa të vërtetave e aq më pak t’i ikë përgjegjësisë për mosrealizimet!”,- shprehet Çela.
Ai shtoi se ministri Bushati ka detyrë ligjore që të informojë opozitën mbi procesin e integrimit. “Ministri Ditmir Bushati ka detyrimin t’u përgjigjet pyetjeve dhe interesimit të opozitës për procesin e integrimit europian, aq më shumë edhe si shenjë qytetarie e respekti, pasi përballë ndodhej një zonjë e kolege e zotit Bushati si Klajda Gjosha, jo vetëm si njohëse e gjithë problematikave të integrimit, por edhe për kontributin që ka dhënë si Ministre e Integrimit. Procesi i Integrimit ka nevojë për kontributin e të gjithëve, por edhe për klimë bashkëpunimi e respekti për kolegët”,- tha Çela.
Deputeti i LSI-së shprehet se ndan të njëjtin qëndrim me kolegen Klajda Gjosha lidhur me problematikën e integrimit dhe mosrealizimin e reformave nga qeveria. “Unë jam tërësisht dakord me qëndrimin e koleges Gjosha dhe të opozitës në tërësi e apeloj për reflektim e më shumë ndjenjë përgjegjësie në respektimin dhe vlerësimin e zërit të opozitës, i cili nuk mund të bllokohet, pasi zëri i opozitës është garant i demokracisë e cila pa të nuk mund të ketë kuptim!”,- deklaroi Agron Çela.
KOHA JONË SONDAZH

