Aksioni opozitar, Luçiano Boçi: Nuk heqim dorë nga protesta
Opozita do të vijojë me protestat dhe nuk tërhiqet në kërkesat e saj që qeveria të largojë njerëzit e inkriminuar. Deklarata vjen nga deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, i cili deklaroi në “Fax News” se qëndresa e opozitës do të vazhdojë në Kuvend, ku siç tha ai, po i mohohet e drejta e fjalës së lirë nga ana e mazhorancës.
“Aksioni opozitar do të vazhdojë në Kuvend, tashmë janë të njohura format”, tha deputeti demokrat.
Në vijim, Luçiano Boçi theksoi se shumica e qytetarëve është e zhgënjyer dhe pakënaqësia e tyre duhet të reflektohet edhe në reagim.
Sa i takon procesit të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, Luçiano Boçi deklaroi se PD-ja i ka ofruar një pakt mazhorancës sipas të cilit ajo do të jepte ndihmën e saj për negociatat nëse Rama do të largonte ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke shtuar se Basha ka lobuar për çeljen e negociatave.
“Nuk ka pakt, është kërkesë qytetare për të treguar se krimi luftohet dhe për t’i treguar Europës që edhe vullneti i mazhorancës është që të largohet krimi nga niveli i lartë. Por nuk ka pakt se edhe Basha ka kërkuar që të hapen negociatat, nuk ka lidhje kjo që po bën PD-ja në krahasim me atë që bënte PS për të bllokuar procesin e itegrimit, dihen historitë epike me Griseldën dhe të tjera”, tha deputeti i PD-së, Luçiano Boçi.
KOHA JONË SONDAZH

