Ministri Lamallari: Rishikojmë kriterin e moshës për pranimin në shërbimin zjarrfikës
Ministri për Punët e Brendshme, Besfort Lamallari, ka deklaruar në një videomesazh në rrjetin social Facebook se kriteri i moshës për pranimin në shërbimin zjarrfikës pritet të rishikohet, në kuadër të reformimit të këtij shërbimi. Lamallari bëri me dije se ka nisur puna për përmirësimin e bazës ligjore, me synim krijimin e një shërbimi zjarrfikës më efektiv, parandalues dhe të aftë për t’u përballur me situatat emergjente.
“Kemi nisur punën për përmirësimin e bazës ligjore për një sistem sa më efektiv, parandalues dhe mbrojtës kundër zjarrit në vend, përfshi dhe rishikimin e kriterit moshor për pranimin në shërbim”, u shpreh ministri.
Në kuadër të kësaj nisme, Lamallari zhvilloi një takim me profesionistë shqiptarë që prej vitesh punojnë si zjarrfikës në Finlandë dhe Gjermani, si dhe me të rinj të interesuar për t’iu bashkuar këtij profesioni. Gjatë takimit u diskutua për nevojën e një rishikimi tërësor të kuadrit ligjor dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të shërbimit zjarrfikës, duke marrë në konsideratë përvojën e profesionistëve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian.
Ministri vlerësoi kontributin e profesionistëve shqiptarë që shërbejnë në Finlandë dhe Gjermani, ndërsa theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve që kanë dëshirë t’i bashkohen strukturave zjarrfikëse.
“Përvoja e diasporës shqiptare dhe njohuritë e profesionistëve që shërbejnë në vendet e BE-së do të shërbejnë si një vlerë e shtuar në procesin e modernizimit të shërbimit zjarrfikës shqiptar”, theksoi Lamallari.
Bashkëpunimi pritet të vijojë edhe përmes trajnimeve, shkëmbimit të eksperiencave dhe kontakteve me shërbimet homologe europiane. Sipas ministrit, përvoja e diasporës shqiptare dhe ekspertiza e profesionistëve që punojnë në vendet e BE-së do të shërbejnë si një vlerë e shtuar në procesin e modernizimit dhe forcimit të shërbimit zjarrfikës në Shqipëri.
/rtsh.al/
KOHA JONË SONDAZH

