Alibeaj: Ka një asfiksim të drejtësisë që do të lindte
Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj e ka cilësuar jo vetëm të jashtëligjshëm, por edhe të pamoralshëm takimin mes kryeprokurores Arta Marku dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i zhvilluar disa ditë më parë.
Alibeaj tha se shqiptarët duhet ta kuptojnë se Kryeprokuror është Edi Rama, që sistemi politik ka rënë dhe është asfiksuar drejtësia e re që do të lindte.
“Ministri i Brendshëm është në konflikt të hapur interesi. Bashkëpunimi mes institucioneve të pavarura (ndjesë pastë) dhe qeverisë nuk bëhen në takime tek e tek.
Sot prokuror është Edi Rama. Ka një asfiksim total i drejtësisë së re që do të lindte. Shqiptarët duhet të kuptojnë që këtu ka rënë sistemi politik, dhe ky ishte guri i fundit. Pasi kjo ka nisur që në 25 qershor”, u shpreh Alibeaj, në një intervistë televizive.
Në vijim ai shtoi se për aq sa e njoh ligjin, në ka një gjë të shenjtë e cila duhet ruajtur fort si baza e demokracisë, është distanca institucionale mes pushteteve. Në këtë kuadër, Alibeaj tha se është sakrilegj që të ketë kontakte te tilla mes ministrit Xhafaj dhe pjesës tjerër, që janë organet e drejtësisë.
“Pushteti politik menaxhon pushtet dhe rrjedhimisht mund të jetë edhe subjekt i hetimeve të ndryshme. Në çdo vend të botës ka një distancë që e mbron sistemin e drejtësisë. Jo vetëm që është e jashtëligjshme po është edhe e pamoralshme”, vijoi më tej Alibeaj.
KOHA JONË SONDAZH

