Anëtari i KQZ-së, Skënderi: Idrizi jashtë Parlamentit, s’fiton dot mandat
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi me shumë gjasë nuk do të ulet në Parlament për katër vitet e ardhshme. Vetëm për 0.01 përqind të votave Idrizi mbetet jashtë parlamentatit.
Këtë e deklaroi sot edhe anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi, i cili vjen nga radhët e Partisë Socialiste, teksa tha gjatë një interviste në Report Tv se të dhënat paraprake, ndonëse po verifikohet çdo tabele, e lënë jashtë parlamentin kreun e kësaj force politike.
“Me këto shifra nuk ndryshojnë rezultatet në qark. PDIU mbetet pa mandat.Aristoteli thotë se ligji është i verbër do të thotë se pragu elektoral është 3 përqind. Dhe llogaritja bëhet në bazë të votave të vlefshme në të gjithë qarkun. Në bazë të rezultatit paraprak në qarkun e Tiranës vota të vlefshme janë 215400 vota dhe 3 përqind i këtij pragu është 12500 vota. Por këto janë rezultate paraprake. Në këndështrimin tim nuk do të ketë ndryshim shifrash edhe pse Idrizi ka marrë mbi mesataren e votave krahasuar me partitë e tjera politike por kodi parashikon edhe këtë pragun elektoral 3 përqind dhe Idrizi ka 2.99%, ndryshim për vetëm 0.01%”, u shpreh Skënderi.
Menjëherë pas kësaj deklarate do të vinte dhe reagimi i PDIU-së e cila e ka dënuar deklaratën e anëtarit të KQZ. PDIU thotë se Bledar Skënderi sillet si militant partie, pasi nuk ka as durimin më minimal të presë dhe rezultatet zyrtare të KQZ. “Ky është rasti kur anëtari i KQZ sillet si militant partie, dhe jo si komisioner e administrator i procesit. Ne po presim verifikimin e të gjithë procesverbaleve dhe rezultatin përfundimtar për të bërë me dije pozicionin tonë ligjor dhe në gjithë informacionet që ne kemi, ky është mandati i PDIU-së. Anëtari i KQZ nuk ka as durimin më minimal të presë dhe rezultatet zyrtare të vetē KQZ, që ka 5 ditë që nuk i hedh të gjithë të dhënat në sistem. Kemi pritur deri tani certifikimin e të dhënave sipas procesverbaleve, proces i cili ka nisur me korrektësi, sipas Kryetarit të KQZ. PDIU dënon deklaratet e anëtarit të KQZ që prononcohet pa dalë rezultatet e vetë KQZ. I kujtojmë që është vendosur në atë post nga një parti politike, por për të administruar vetëm sipas Kodit Zgjedhor, votat e shqiptarëve. I bëjmë thirrje KQZ të mos sillet si trupë partiake, por si administratorë të betuar për administrimin e votave të shqiptarëve bazuar vetëm në Kodin Zgjedhor”- mbyll reagimin e saj të djeshëm PDIU.
KOHA JONË SONDAZH

