Ankimimi i listave në Kolegjin Zgjedhor, Manja: Çështje procedure, 18 qershori e pandryshueshme
Deputeti socialist, Ulsi Manja, thotë se Partia Demokratike po përdor çdo mekanizëm për të bllokuar zgjedhjet e 18 qershorit.
I ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News, ai tha se edhe ankimimi i sotëm në Kolegjin Zgjedhor i listave të kandidatëve të subjekteve zgjedhore të regjistruara për 18 qershorin është vazhdimësi e kësaj strategjie.
Sipas tij, nëse Kolegji është pro kësaj kërkese do të rivendosë prapë subjektet për të paraqitur listën shumëemërore të kandidatëve, por data e mbajtjes së zgjedhjeve nuk ndryshon.
Kur jemi tek 18 qershori dhe përpjekjet ndërkombëtare, Manja thotë se Kushtetuta dhe ligji zgjedhor e ka bërë të pamundur futjen e opozitës në zgjedhje.
PD strategji për të bllokuar 18 qershorin- Është pjesë e strategjisë së PD për të penguar me çdo kusht zgjedhjet e 18 qershorit. Është pjesë e strategjisë për t’iu mohuar me çdo mjet dhe formë shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur me 18 qershor. Kjo i përket planit ligjor që po ndjek PD, në aspektin ligjor ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor listën kandidatëve të regjistruar nga partitë politike që do të garojnë në këto zgjedhje dhe rruga tjetër është rruga që u ka bërë thirrje PD, në datën 13 maj, që është dhe rruga e dhunës mos gaboj. Është një protestë që është njoftuar por që herë pas here nga çadra ku u mban leksione demokracie militantëve dhe mbështetësve të PD, Basha shpesh herë bie dhe pre e retorikës së dhunës për protestën e datës 13 maj, gjë e cila për një vend anëtar të NATO-s si Shqipëria duket shumë e largët por gjithësesi 13 maji është përpara dhe do ta shohim dhe protestën e opozitës.
S’ka republikë të re nga një çadër e vjetër- Nuk mund të pretendojë për një Republikë të re nga çadra e vjetër. Është një çadër ku janë strehuar jo demokratët e ndershëm, jo qytetarët e zakonshëm të këtij vendi që kanë të gjithë të drejtën e Zotit të protestojnë ndaj një qeverie kundër papunësisë, kundër varfërisë. Por ajo është një çadër antireformë, antireformës në drejtësi dhe kundër vettingut. Mjafton deklarimi i zotit Basha në atë çadër kur kërkonte kompromis dhe dialog me qeverinë ku thoshte: E vetmja rrugë e kompromisit dhe dialogut është kthimi në kompromisin e 21 korrikut. Zhbërjen e reformës në drejtësi dhe të paketës prej 7 ligjesh. Kaq më mjafton për të arritur në konkluzionin se është një çadër që nuk e do reformën në drejtësi.
Me sytë nga Kolegji Zgjedhor- KQZ ka një praktikë goxha të konsoliduar në mirëadministrimin e zgjedhjeve dhe unë jam i bindur që ka zbatuar saktësisht nenin 67 të kodit zgjedhor që thotë: Partitë politike që janë regjistruar për të garuar në një proçes zgjedhor jo më vonë se 50 ditë nga dita e zgjedhjeve duhet të paraqesin listat shumëemërore të kandidatëve ku nuk përfshihet data 18 qershor. Nuk ka shkelje. Nga vetë KQZ u bë e ditur se Komisioni ka ndjekur të njëjtën praktikë siç është ndjekur në afatet e llogaritura në 2013. Është përpjekje e dëshpëruar e opozitës për të bllokuar 18 qershorin me masa ligjore. Nuk pres ndonjë çudi nga Kolegji. Nëse i mbështet Kolegji, Kolegji rivendos prapë subjektet për të paraqitur listën shumëemërore të kandidatëve.
Shtyrje zgjedhjesh?-Absolutisht jo. Është çështje procedure, nuk ka të bëjë me datën e zgjedhjeve.
Negociatat- Referuar Kushtetutës së vendit data 18 qershor është e pakthyeshme. Data 8 maj e vënë si kufiri i fundit për tu ulur në negociata dhe dialog nga kryeministri Rama kishte të bënte pikërisht për respektimin e këtij afati kushtetues, printimin e fletëve të votimit. KQZ ka vendosur printimin e fletës dhe renditjen e subjekteve në fjalë. Data 18 qershor, përpos përpjekje të faktorit ndërkombëtar që vazhdon dhe në këto momente për të bindur opozitën të bëhet pjesë e garës së 18 qershorit, Kushtetuta dhe ligji zgjedhor e ka bërë të pamundur këtë fakt. Nuk më duket se opozita ka pasur në vokacionin e saj politik pjesmarrjen në zgjedhjet e 18 qershorit, kërkesat e saj që në 18 shkurt e në vazhdim kanë qenë maksimaliste, ka kërkuar qeverinë dhe Kryeministrin në tavolinë, ka kërkuar qeveri teknike.
KOHA JONË SONDAZH

