Arrestimi i DAR Lushnje, Rama: Maja e ajsbergut

Në takimin e zhvilluar nga Ministria e Arsimit pasditen e djeshme, Rama i është referuar dhe rastit të Drejtoreshës Arsimore në Lushnje, e cila u arrestua për mitmarrje. Rama theksoi se ky rast është maja e ajsbergut. Në këtë kuadër Rama theksoi se pasi mësuesit t’i nënshtrohen provimit dhe të liçensohen, nuk do të jetë më në dorën e drejtorëve apo të zyrave arsimore rajonale punësimi apo largimi i mësuesve nga puna. “Edhe pse ka ndryshime rrënjësore e të ndjeshme, vazhdon të ketë një shprehje të përgjithshme shqetësimi për mitmarrje në sistemin arsimor. Ngjarja e rënde të zyrës arsimore të Lushnjës nuk është një aksident i veçuar, por është maja e një ajsbergu që ne do ta bëjmë copë-copë pa kursyer askënd. Duke filluar nga ky ndryshim rrënjësor që do të kurorëzohet në muajin dhjetor në fazë të parë, dhe më pas me fazat e tjera të vitit tjetër, asnjë drejtor dhe asnjë zyrë arsimore nuk do ketë në dorë të bëjë emërime e ç’emërime mësuesish. Rrugën e konkurrencës së ndershëm do ta përcaktojë mënyra e re e prezantuar nga ministrja e Arsimit, ku çdo kush që ka arsimin përkatës dhe në profilet e caktuara, të jetë i gatshëm të konkurrojë me të tjetër përmes një procesi transparent dhe të sekretuar”, tha Rama. Kryeministri foli dhe për situatën në të cilën ndodhet sistemi arsimor në vend, duke u shprehur së qeveria që ai drejton synon të vendosë këtë sistem në binarët e duhur, dhe sipas standardeve evropiane. “Situata kur ne e morëm vendin, përfshirë sistemin arsimor, ishte he mbetet një situatë që është shumë larg ëndrrave dhe shpresave të këtij vendi për fëmijët e tyre. Është shumë larg ambicies sonë për Shqipërinë evropiane. Tashmë ministria e Arsimit është vendosur në atë rol që është dashur të vendosej që më parë për të mos lejuar sistemin arsimor të katandisej aty ku është katandisur”,- tha Rama.