Artistët në komisionin për median, Ndrenika: Rasti i teatrit është vjedhje
Artistët kanë qenë këtë paradite në komisionin për Median dhe Edukimin, në një seancë dëgjimore që ishte parashikuar me ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, por që nuk ka qenë.
Edhe deputetët socialistë nuk kanë qenë në mbledhjen e komisionit, ku kanë folur artistët si Robert Ndrenika, Alfred Trebicka, Alert Celoaliaj, Taulanda Jupi, Robert Budina.
Robert Ndrenika në fjalën e tij tha se kjo lloj forme partneriteti publik-privat në rastin e teatrit është vjedhje.
“Faleminderit që na thirrët dhe po na dëgjoni, do të doja të ishte pala tjetër këtu, deputetët e PS. Bojkoti i tyre tregon se këtu duhet të fillojë lufta, jo me Korenë e Veriut, por… nuk e kuptoj këtë gjë.
Erdha me mendjen që të hyja në debat të arsyetoja me ata, nuk di se çfarë të them. Di t’u them që, PPP në këtë rast me teatrin, është shqeto vjedhje, grabitje dhe për këtë le të analizojnë të tërë, ka 20 vite që ka filluar kjo histori, pa pyetur aktorët.
Arbitraritet. Me keqardhje, por këtu fillon lufta, nuk na dëgjon kush, na përbuzin, na braktisin. Jo vetëm neve, por edhe juve po u poshtërojnë. Kjo është grabitje me veprim.
Ka 20 vite kjo tentativë për grabitje. Ajo tokë vërtetë quhet e shtetit, por është e komunitetit teatror, por të vijë një fusha, male apo kodra, këtu më vete mendja se duan të vjedhin të gjithë. Më falni për tonin, por këto i kam nga mendja dhe nga shpirti’, tha Ndrenika.
Artistët kanë paralajmëruar se nëse deri ditën e premte nuk do të ketë reagim për kërkesat e tyre për teatrin, ata do të ngujohen brenda tij.
Ka qenë skandaloze sjellja e shumicës së televizioneve në vend gjatë paradites së sotme.
Në vend që të transmetonin fjalën e aktorit të madh Robert Ndrenika, kanë vendosur që të transmetojnë një fjalim të Gramoz Ruçit.
Përjashtim në këtë moment ka bërë vetëm FaxNews, që nuk e ka nderprere transmetimin live nga komisioni.
Aktori Robert Ndrenika, së bashku me një përfaqësi aktorësh të Teatrit Kombëtar dhe jo vetëm, ishin të pranishëm sot në Komisionin e Medias në Kuvend për të kundërshtuar shembjen e godinës së Teatrit.
Televizionet shqiptare ndërsa kërkojnë para nga taksapaguesit shqiptarë zgjedhin të transmetojnë Gramoz Ruçin që flet për projekte imagjinare suksesi dhe ndërpresin transmetimin e fjalës së artistëve që rrezikojnë të mbeten pa Teatër.
Në kohën kur në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Komunikimit po fliste aktori Robert Ndrenika, media me porosi bëri ‘black’ sinjalin nga komisioni dhe menjëherë u lidh me Gramoz Ruçin që fliste për bujqësinë.
Një censurë kjo ndaj teatrit dhe artistëve dhe aktorëve të mëdhenj shqiptarë?
KOHA JONË SONDAZH

