Balla: Reforma në Drejtësi është kryefjala e reformave tona

Kryesuesi i PS në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 25 Qershorit, Z. Taulant Balla, mori pjesë në një takim elektoral në Mollas, ku zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e kësaj zone.
Në fjalën e tij Balla u shpreh se: “Gjëja e parë që them, sa herë jam në zonat e Cërrikut, është falenderimi për mbështetjen e pakursyer që kjo zonë i ka dhënë PS.”
Pasi përmendi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare këto 4 vite, Balla u ndal tek reforma kryesore:
“Reforma në Drejtësi është kryefjala e reformave tona. E bëmë këtë reformë me bindjen se ne duhet t’i jepnim fund historisë që në këtë vend drejtësia blihet me para….E mbani mend Lulin edhe Saliun te çadra? Sa herë në ditë thonin dhe betoheshin se nuk do ta votonin Vettingun? Luli thoshte “për kokë të Saliut” e Saliu “për kokë të Lulit”; e në fund erdhën me vrap dhe e votuan. Nuk ju bënte dot zemra e dora që ta shtypnin atë butonin atje. E kisha shumë merak se mos e shtypnin gabim.
Nga ajo marrëveshje nuk ka përfituar Luli dhe Saliu, por ka përfituar i gjithë populli shqiptar dhe sigurisht fitues jemi edhe ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, që e bëmë reformën në drejtësi si gurin e themelit të ngritjes së Shqipërisë që Duam. Se Shqipëria që duam, të dashur miq, është një Shqipëri ku ka më shumë drejtësi, e ku drejtësia nuk blihet me para.”
Më tej Balla u ndal tek kryefjala e 4 viteve të ardhshme të qeverisjes socialiste, punësimi:
“Përsa i përket punësimit, unë dua t’ju them shumë qartë se me të njëjtin angazhim dhe të njëjtën vendosmëri që punuam për Reformën në Drejtësi, për Reformën në Sistemin Energjetik, për Reformën Administrative-Territoriale, për të gjitha reformat që kemi ndërmarrë, ne do të punojmë në 4 vjeçarin e ardhshëm për punësimin. Është punësimi gjëja më e rëndësishme që kanë nevojë shqiptarët. Dhe për t’u rikthyer përsëri tek dëmi që çadra i bëri për tre muaj Shqipërisë, është se çadra ishte kundër ekonomisë dhe ndikonte drejtpërsëdrejti tek punësimi. Një ndër arsyet që ne e mbyllëm çadrën, për ta kthyer PD-në në punë, është se na i bënte dëm ekonomisë. Se këta janë mësuar të rrinë kot, të flenë gjumë dhe donin çadrën për të fjetur gjumë.”
Në përfundim të fjalës së tij, Balla u bëri thirrje të gjithë të pranishmëve në këtë takim që në 25 Qershor të votojnë PS, të votojnë për Shqipërinë që Duam.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?