Basha: Liria është substancë e antikomunizmit

 

Kryebashkiaku njëherësh lideri i opozitës Lulzim Basha theksoi se ky instalacion është sot një kujtesë dhe homazh për  të gjithë ata që dhanë jetën, u burgosën dhe persekutuan vetëm e vetëm se donin të ishin të lirë,  të mendonin dhe vepronin në liri. Në këtë ditë të përkujtimit të martirëve dhe heronjve shqiptarë, zoti Basha e ka cilësuar përdhosjen më të madhe valëvitjen prej një viti mbi kokat e drejtuesve të lartë të qeverisë fotografinë e Enver Hoxhës.

 

Prej një viti përballemi me dëshirën për rehabilitimin e figurës së Enver Hoxhës. Fotografitë e tij porositen të tunden në çdo aktivitet të qeverisë Rama-Meta. Valëviten mbi kokat e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, të një vendi anëtar në NATO dhe kandidat për Bashkimin Europian, portretet e atij që ishte armiku më i egër i Shteteve të Bashkuara, Europës së Bashkuar.

 

Kjo është përdhosja më e madhe që i bëhet sakrificës dhe gjakut të mijëra e mijëra bijve e bijave të këtij vendi që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë. Përdhosja më e ndyrë ndaj atyre mijëra intelektualëve, patriotëve, klerikëve, qytetarëve dhe të rinjve në lulen e moshës që u torturuan, u vranë, u burgosën dhe u internuan sepse donin lirinë.

 

Është turpi, fyerja dhe provokimi që i bëhet të gjithë shqiptarëve që provuan në trup dhe shpirt barbarinë, skamjen, shtypjen çnjerëzore të diktaturës të tij”- theksoi zoti Basha.

 

Në respekt të martirëve të komunizmit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë që kanë kontribuar me akte dhe me votë për ndarjen nga komunizmi dhe në  25 vjetorin e  lëvizjes për demokraci, zoti Basha ka lancuar  projektin e kujtesës dhe nderimit të titulluar "Drejt Lirisë", i cili  do të startojë në  8 dhjetor.

 

Mesazhi i gjithkohshëm që na ka dhënë qëndresa dhe  ndarja me votë të lirë e shqiptarëve nga komunizmi?

 

Ky mesazh është Liria!

 

Liria ka qenë dhe është substancë e antikomunizmit.

 

Liria e fjalës, liria  e mendimit, liria e shprehjes, e  fesë,  e votës, liria e iniciativës, liria e pronës, liria  e  krijimit, liria e lëvizjes, liria e grumbullimit, e manifestimit, e protestës.

Liria dhe shteti ligjor janë dy kolonat e demokracisë, janë  identiteti ynë politik,  janë busulla jonë në sfidat e sotme dhe të nesërme.

 

Një mesazh tjetër i gjithkohshëm është forcimi i institucionit të Kujtesës mbi ideologjinë, praktikat dhe  krimet e komunizmit.

 

Për këtë qëllim, dua të njoftoj sot se në respekt të thellë të martirëve të komunizmit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë  që kanë kontribuar me akte dhe me votë për ndarjen nga komunizmi, ne do t’i japim akoma  më shumë hapësirë se deri tani asaj që quhet kujtesa e mirë, duke shpallur projektin "Drejt Lirisë" që do të startojë në  8 dhjetor të këtij viti dhe do të vazhdojë gjatë gjithë vitit të ardhshëm, vitit të 25 vjetorit të Lëvizjes Demokratike, Partisë Demokratike, ndryshimit të madh demokratik në Shqipëri. Ky projekt, do të përshijë ngjarje dhe personazhe në  gjithë vendin, pa dallime politike”-deklaroi zoti Basha.

 

Besim Ndregjoni, kryetari i Unioni Mbarëkombëtarë të Integrimit të Burgosurve dhe të përndjekurve politik të Shqipërisë ndërsa është kundër kremtimeve që mazhoranca i bënë 29 Nëntorit, pasi e quan si ditën më të zezë për shqiptarë, ai ka dhe një mesazh për mazhorancën e majtë. Ndregjoni i kërkon asaj të kërkojë ndjesë për krimet e komunizmit dhe të dënojë dhe lartësojë figurën e Enver Hoxhes.

 

Ne të përndjekurit politikë dhe familjarët, toleruam( festimet për 29 Nëntorin) sepse jemi shqiptarë të mirë dhe të ndershëm, por jemi edhe shqiptarë trima sepse ai që fal është edhe trim. Por ne nuk falëm që drejtësia shqiptare të mos veprojë mbi kriminelët të cilët na shfaqën pas 24 vitesh me shallat e kuq dhe me portretet e kriminelit. Ne kurrë nuk do tolerojmë.

Ne po bëjmë një apel sot, për gjithë shqiptarët: Të dënojmë krimet e komunizmit, të dënojmë  krimet e Enver Hoxhës, që shoqëria të shkojë drejt pajtimit kombëtar. Pa u dënuar këto krime shoqëria shqiptare do të jetë e ndarë.

 

Në kuadër të 102 vjetorit të Pavarësisë, në prezencë të kryetarit të opozitës edhe të gjithë bashkëvuejtësve të mi, kam një apel për mazhorancen: Kërkoni falje këtyre shqiptarëve të mirë dhe të ndershëm, këtyre profetëve të lirisë, kërkojuni falje se falja vetëm do t’u burrnojë dhe nuk do t’u zhburrnojë, pasi ka 24 vite që vetëm po zhburrnoheni duke nderuar kriminelin dhe duke përbuzur viktimat.

 

Rroftë ajo Shqipëri që i dha pavarësi jo vetëm Ismail Qemali por edhe Lef Nosi i cili sot nuk ka ende  një varr sot, dhe që po e kërkojn prej 24 vitesh”- deklaroi Ndregjoni.

 

·         Sot pas 25 vjetësh, eshtrat e mbi 4500 të pushkatuarve nuk janë gjetur ende

 

·         5.037 burra dhe gra u pushkatuan

 

·         21.788 bura dhe 7.367 gra u burgosën

 

·         48.217 burra dhe 10.792 gra u internuan

 

·         11.536 familje u dëbuan nga qytetet kryesore

 

·         64 shtetas të huaj u pushkatuan

 

·         1.215 burra dhe 38 gra shtetas të huaj u burgosën

 

·         95 shqiptarë nga Kosova u pushkatuan

 

·         120 klerikë katolikë u burgosën ose ekzekutuan

 

·         80 klerikë bektashian u burgosën ose ekzekutuan

 

·         60 klerikë mysliman u burgosën ose ekzekutuan 

 

·         39 klerikë ortodoksë u burgosën ose ekzekutuan

 

Arkivi i shfaqur përmban 657 fotografi dhe një databazë më të dhënat personale të 1.262 shqiptarëve të pushkatuar, datën dhe vendin e pushkatimit.

SHKARKO APP