Basha: Marrëveshja me Ramën nuk ishte objektivi im, u detyrova…
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryetari i PD-së Lulzim Basha është shprehur se me intervistën e një dite më parë të ish-kryeministrit Sali Berisha për syri.net del qartë se kush e drejton realisht Partinë Demokratike.
Basha tha se këshillohet me Berishën, por vendimet dhe peshën për vendimet e mban vetë përsipër.
“Pa dyshim që ai ka një rëndësi të madhe si themelues i Partisë Demokratike. Por në fund jam unë që marr peshën e vendimeve që i takojnë kryetarit të Partisë Demokratike. Të paktën pas ditës së djeshme kjo pyetje ka marrë një përgjigje definitive”,-u shpreh Basha.
Basha ka pranuar se marrëveshja me Ramën nuk ishte objektivi i tij politik dhe se u detyrua ta pranonte.
“Marrëveshja me Ramën nuk ishte objektivi im politik. Unë doja largimin e Ramës. Mirëpo, ishim në kushte kur elementë të BE-së po bënin thirrje për zgjedhje pa opozitën. Erdhën amerikanët dhe ofruan paketën McAllister +. Unë isha i bindur se me Ramën nuk kishte zgjedhje të ndershme. Nëse PD dhe aleatët do të refuzonin paketën e fundit, SHBA-të do t’i bashkoheshin BE-së se mund të kishte zgjedhje pa opozitë. Nëse ne do të vazhdonim me JO-në tonë nuk do të hynim në Parlament për herë të parë në demokraci. Kauzat tona do të izoloheshin dhe Shqipëria do të kthehej në vitin 1990 me një parti-shtet. Në këto kushte vendimmarrja ishte e detyruar”, tha Basha.
KOHA JONË SONDAZH

