Basha porosi për rimëkëmbje, ja udhëzimet që iu dha krerëve lokalë
Partia Demokratike ende është nën ndikimin e fortë të rezul tatit katastrofik në zgjedhjet e 25 qershorit, rezultat i ci li është objekt debatesh dhe përplasjesh të forta mes demokratëve. Mbledhja e Kryesisë së PD-së është pasuar dje nga një takim i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me drejtuesit lokalë demokrat.
Takimi me krerët e degëve të PD-së në rrethe konkludoi në disa porosi, që në ditët në vijim do të përkthehen edhe në formë udhëzimi të detajuara për të vijuar punën. Takimi me krerët lokal kishte në qendër rezultatin që mori PD-ja në zgjedhje dhe analiza që pritet të bëhet. Pikërisht, duket se Basha ka vendosur që këtë analizë ta nis me të dhëna që do të mblidhen në çdo degë të Partisë Demokratike.
Burime nga takimi në selinë blu bënë me dije se, Basha u ka udhëzuar krerëve të PD-së në rrethe që të mbledhin të dhëna për manipulimin e zgjedhjeve të 25 qershorit. Ai i ka qëndruar faktit se zgjedhjet në masë shumë të madhe u manipuluan nga para të pista dhe u vodhën. Ky proces fakt-mbledhës do të zgjas dy muaj. Në fund të këtij procesi dy mujorë, krerët e degëve do të kenë nga një dokument me të dhëna për manipulimin dhe shkaqet e humbjes në çdo zonë.
Nga mbledhja është mësuar se Basha nuk ka vënë “gishtin” mbi shkaqe të brendshme që mund të kenë sjellë rezultatin, ndërsa ka kërkuar verifikimin e anëtarësisë. Për këtë kryetarët e degëve do të ngrenë nga një grup pune që do të udhëhiqet prej vetë atyre dhe të deleguarve nga qendra. Gjatë këtyre dy muajve do të ketë konsultime me çdo anëtarë i bazës, që sipas është shprehur Basha, ka nisur një proces të ndryshimit të vetes.
Ndryshime në statut
Në kuadër të asaj që e ka cilësuar ringritja e Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se çdo anëtar i PD-së mund bëjë propozim për ndryshim të statutit. Basha më parë ka deklaruar disa propozime për ndryshime në statut, ndërsa tani e tutje propozime mund të bëjnë edhe anëtarët. Nuk dihet nëse ky propozim ka të bëjë me fraksionet e lindura në PD. Kujtojmë që grupi antiBasha, që kryesohet nga ish-kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi tashmë ka bërë disa propozime për ndryshime në statut. Grupi anti-Basha ka paralajmëruar se do të ketë propozime të tjera, pasi sipas tyre, kjo do të ishte e vetmja mënyrë për ringritjen e partisë më të madhe opozitare.
Qëndrimi i Bashës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin që ka zgjatur mbi një orë me kryetarët e degëve ka dhënë edhe qëndrimin e tij për shkaqet e humbjes së zgjedhjeve dhe mbi ato u ka kërkuar drejtuesve lokalë të PD-së që të nisin punën për mbledhjen e të dhënave. Në fjalën e tij kryetari i opozitës është shprehur se: “zgjedhjet ishin një lufte me krimin, bandat, paratë e drogës dhe presionin shtetëror. Ndaj ne duhet të identifikojmë skemën e tyre të blerjes e manipulimit të votës emër për emër. Të përgatisim skemën dhe përgjigjen tonë përballë tyre”, mësohet të jetë shprehur Basha. Në vijim, ai u ka folur për konsulta të gjera dhe modernizimin e partisë.
“Nevojitet konsultim me çdo anëtar, për bashkim, rinovim e modernizim të partisë. Çdo anëtar i PD-së të përfshihet në konsulte. Ndryshime statutore për të forcuar rolin e anëtarësisë në vendimmarrje. PD ka nisur një proces të ndryshimit të vetes që do të ndryshojë të gjithë politikën shqiptare. Ky nuk është proces i thjeshtë, ka kundërshti, ka përplasje, pengesa, por është një proces që do sjelle një rezultat: Partia Demokratike do jetë një parti moderne perëndimore, një parti e njerëzve dhe e anëtarëve të saj dhe jo e kryetarëve dhe oligarkëve. Për ne nuk ka tërheqje, nuk ka kthim mbrapa”, u ka thënë Basha krerëve të degëve./Shekulli/
KOHA JONË SONDAZH

