Basha kërcënon kryeministrin: Mos kalo caqet se …!
Lulzim Basha në konferencën e shtypit në ora 17.00 tha ndër të tjera se “Nata e mbrëmshme ishte një natë dramatike, kulmim i një krize nga më të thellat dhe që prek aspektet më të ndjeshme në jetën e qytetarëve shqiptarë. Nga aspekti ekonomik, te pasiguria për të nesërmen, që burojnë nga asgjësimi i sigurisë juridike, barazia përpara ligjeve, apo pandëshkueshmëria e autoriteteve që duhet të veprojnë për sundimin e rendit dhe të ligjit. Pasiguri jo vetëm për qytetarët që dalin rrugëve, apo duan të konsumojnë një kafe në barin e lagjes, por edhe pasiguri për vendin e punës. Gjithçka e përmbledhur në një krizë ku pasiguria është ulur këmbëkryq në të gjitha fushat”, tha Basha.
Sipas kreut të demokratëve, dje qytetarët shqiptarë u “bombarduan” nga gazi lotsjellës i sunduesve prej 6 vitesh të këtij vendi.
“Gjithçka ka humbur për një arsye të thjeshtë, sepse prej 6 vitesh vendi nuk qeveriset por sundohet nga disa persona që janë atje tërësisht jashtë vullnetit të popullit. Fati i tyre nuk është në dorën e ligjit. Kjo ndjenjë mori forma dramatike mbrëmjen e kaluar, ku protestues të ardhur nga i gjithë vendi për t’i kthyer Shqipërisë normalitetin dhe për t’u bërë një shoqëri e ngjashme me ato europiane, u përballën me përgjigjen e një junte kriminale ndaj protestuesve dhe gjithë qytetarëve dhe banorëve të qendrës së Tiranës, që dje morën në shtëpitë e tyre doza të shumta të gazit helmues dhe gazit lotsjellës, që u përdorën kundër qytetarëve që kishin dalë në të drejtën e tyre për të protestuar kundër një qeverie të dalë nga vota e deformuar e qytetarëve”, deklaroi më tej Basha.
Basha theksoi sërish se beteja e PD-së nuk është për pushtet, por për t’i rikthyer normalitetin vendit.
“Urdhëruesi i vërtetë i kësaj maskarade ka dalë para shqiptarëve, ndërsa urdhëruesi i vërtetë i gazit helmues u pa qartë sesa larg realitetit është, teksa pa gjithçka nga vila e tij shumë milionëshe. Ky urdhërues, herë bën gaztorin, e herë arrogantin, cinikun. Është e qartë që kështu nuk mund të vazhdohet më. Beteja jonë nuk është një betejë për pushtet, as personale mes meje dhe Edi Ramës. Unë atë e kam mundur, por atë e ka mundur edhe lodhja, pushteti dhe zullimi, e ka mundur varfëria e popullit, por edhe hajnia e arroganca. Sot, Partia Demokratike është nisur për t’i rikthyer normalitetin këtij vendi, në mënyrë që çdo shqiptar të jetojë në vendin e vet”, tha Lulzim Basha.
Basha paralajmëroi Ramën përpara protestës tjetër të programuar për pasditen e së hënës, në të njëjtën orë 18:30.
“Në prag të protestës kombëtare të thirrur nesër, në 18:30, dua t’i bëj një paralajmërim të qartë kreun e klikës në pushtet: Mos i kalo caqet, mos u fshih pas blindave të Gardës. Në rastin më të mirë do të lutesh të kesh fatin e Nikola Gruevskit”, tha Basha
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kreu i PD-së Lulzim Basha përsëriti edhe një herë se, largimi i kryeministrit Edi Rama është kusht i panegociueshëm.
Sipas tij, hapi i parë i zgjidhjes së krizës, është largimi i Ramës.
“Ose te futemi me kobure në brez, që siç ju thashë, ne e kemi refuzuar, ose rruga politike që kemi ndjekur duke djegur mandatet dhe duke thirrur qytetarët të vendosin ata kë do të zgjedhin deputet apo kryebashkiak. Kjo betejë bëhet që kjo e drjetë t’u kthehet qytetarëve, sepse kjo e drejtë është asgjesuar nga Edi Rama me krimin. Do ta përsëris për të gjithë ata që kanë iluzionin se me Edi ramën do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Do të ketë një tentativë të Edi Ramës për të përsëritur 2017 dhe 2016. Ndryshimi këtë herë është që përvec kandidatëve të krimit, do të ketë kandidatë fallsco bga opozita fallco. Kjo nuk do të ndodhë. Për ne është mision kombëtar të mos lejojmë zgjedhje të diktuara nga krimi. Do të ketë vetëm zgjedhje të lira e të ndershme. Ne kemi treguar edhe rrugën e vetme që këto mund të garantohen pa favorizuar palët, pa i dhënë pushtet në tavolinë asnjë pale. Ka dy palë zgjedhje që Edi Rama merr pushtet në tavolinë me krimin. Kjo nuk ka për të ndodhur më. Hapi i parë i zgjidhjes së krizës është largimi i kryeministrit të lidhur me krimin. I mirëkuptoj ata që më thonë se po kërkon shumë pak. Sepse ky duhet të ishte në burg për ato që kanë bërë. Kjo që po kërkojmë është e panegociueshme. Është e panegociueshme, sepse nuk ka mënyrë tjetër për t’i shërbyer interesit publik. Gjithçka tjetër do ta shndërronte këtë në atë që jemi akuzuar me të padrejtë, për një Pazar”, deklaroi Basha.
KOHA JONË SONDAZH

