Basha: Rama, fitore imagjinare kundër drogës
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të Edi Ramës se tani është zgjidhur problemi i drogës. Me një deklaratë për mediat, Basha thotë se njeriu që e mohoi për 4 vite drogë, del tani e thotë se e kemi zgjidhur problemin. Por për Bashën, asnjë njeri nuk është arrestuar dhe asnjë drejtues trafiku nuk është zbuluar. Sipas kreut të PD-së, tani që droga është bërë problem për BE-në, Rama ka vendosur ta pranojë.
“Njeriu që për tre vjet mohoi problemin e drogës në Shqipëri, duke bekuar kthimin e saj në vendin kryesor të drogës në Europë, sot befas deklaroi se e paska zgjidhur këtë problem. Askush nuk është arrestuar, asnjë drejtues i trafikut nuk është zbuluar, asnjë organizatë trafikantësh nuk është goditur, asnjë rezultat konkret nuk ka patur në asnjë drejtim. Por kryeministri ka shpallur fitoren e luftës që nuk ka ndodhur”, ka deklaruar Basha.
Për Bashën, tani që droga shqiptare dhe krimi i organizuar është kthyer në problem politik për qeveritë europiane dhe BE-në, duke rrezikuar integrimin e Shqipërisë dhe kthimin e vizave për shqiptarët, Edi Rama nuk mund ta fshehë dot më, “ndaj dhe ka vendosur ta pranojë dhe menjëherë të shpallë fitoren e luftës imagjinare ndaj saj”.
“Por nga ana tjetër promovon Gramoz Ruçin, të cilit që nga viti 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës; dhe Fatmir Xhafën, i përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës”, ka thënë më tej Basha.
Në profilin e tij në facebook, kryetari i partisë më të madhe të opozitës vlerëson se, vendi ndodhet përballë një loje të rrezikshme. “Inkurajim për trafikantët dhe kriminelët që vazhdojnë të patrazuar dhe shkurajim për policët e ndershëm dhe të gjithë shqiptarët që duan ta luftojnë drogën. Është një lojë që do ketë pasoja për shqiptarët dhe të ardhmen e Shqipërisë”, ka nënvizuar Basha. Ndaj, ka shtuar ai, “ne nuk do ta ndalim asnjë ditë betejën kundër kësaj të keqe që ka pllakosur vendin, demokracinë dhe ekonominë tonë”.
KOHA JONË SONDAZH

