Basha, takim me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”

Basha ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të PD për kontributin e jashtëzakonshëm që “Vatra” ka dhënë për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare gjatë 102 viteve të ekzistencës së saj.
Ndihma dhe kontributi i diasporës shqiptare në SHBA dhe i federatës Pan-Shqiptare “Vatra” sipas tij është i pazëvendësueshëm në mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në rrëzimin e regjimit komunist dhe në konsolidimin e demokracisë.
Bucaj shprehu falënderimet për bashkëpunimin e shkëlqyer që ka pasur gjatë këtyre viteve mes PD dhe kësaj organizate. Si një ndër organizatat shqiptare në SHBA që u investua fuqimisht kundër regjimit komunist në Shqipëri, “Vatra” shpreh sot shqetësimin për përpjekjet për rehabilitimin e figurës së diktatorit Hoxha.
Nga ana e tij, kryetari i “Vatrës” dënoi ashpër shfaqjen e fotografisë së diktatorit Hoxha, duke e konsideruar këtë si përdhosje të gjakut të mijëra viktimave të regjimit komunist.
Basha ka mirëpritur propozimin e “Vatrës” për të emërtuar disa rrugë në kryeqytet me emrat e personaliteteve të shquara të kësaj organizate të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për çështjen kombëtare.