Boçi: Ky portal qenka për të sorollatur e përqeshur njerëzit
Portali i bashkëqeverisjes vazhdon të jetë në qendër të kritikave nga opozita, referuar edhe dëshmive të qytetarëve. Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi shkruan përmes rrjeteve sociale se ky portal është shndërruar thjeshtë në një pikë shfryrje mllefi dhe jo zgjidhe e problemeve, siç komenton kryeministri dhe vartësit e tij. Boçi i referohet rastit të mësuesve që kërkojnë sipas ligjit, paratë e transportit.
Statusi i plotë:
Përqeshja e bashkëqeverisjes
I hapur me bujën e zakonshme që Rama u jep veprimeve të veta, portali i bashkëqeverisjes është shndërruar thjesht në një pikë shfrimi, ku qytetarë të ndryshën nxjerrin mllefin e tyre për hallet e problemet e pafund, pa gjetur asnjë zgjidhje. Sepse në anën tjetër të tij janë qeveritarët, që qeshen, përqeshen e bëjnë gallatën e radhës me njerëzit.
I shkruajnë hartime me cinizëm hallexhinjve, se filan ligj, kollan maliq, X paragraf, Y shkresë me numër 123, 122, 132,….., i pengon. Ose i thonë me tallje: “Problemi juaj është i drejtë, por ju s’keni të drejtë”. Ose e kalamendin në zyra pa fund: “Do shkosh tek zyra majtas, pastaj korridori djathtas, pastaj ndërtesa afër rrugës, aty është një njeri me kapele, kati i …..”, derisa njeriu i shkretë e le gjithçka në mes.
Kështu i ndodhi dhe mësuesve që kërkojnë sipas ligjit, lekët e transportit. Mirë që rroga nuk i rrisin, por nuk i japin dhe mundin që i takon. Dhe e dini cila është përgjigja përqeshëse e portalit? Nuk ju paguajmë sepse Ministria e Arsimit ka humbur gjyqet për pushimet e padrejta të mësuesve nga puna!!? (shkresa në foto).
Hajde tallje hajde!!! Se ç’lidhje ka paaftësia e kësaj ministrie me mësuesin e shkretë që rropatet për ato pak lekë, hajde gjeje. Por portali për këtë punë na qenka: Për të sorrollatur e përqeshur njerëzit. Sipas qeverisë: Me mbajt njerëzit me gajret, se për zgjidhje askujt s’i pëlcet.
KOHA JONË SONDAZH

