Braimllari merr mandatin e Metës në Kuvend
Pas tërheqjes së Ylli Manjanit dhe Ardit Çelës, ai që do të zëvendësojë presidentin Ilir Meta do të jetë sekretari i përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari.
I kontaktuar nga Top Channel, Braimllari ka pohuar se në momentin e parë që KQZ do t’i ofrojë mandatin e deputetit, ai do ta pranojë atë.
Braimllari do të jetë deputet vetëm për pak javë i kësaj legjislature, ndërsa ai do të jetë në Parlamentin e ri pasi është në listën e deputetëve të LSI-së në zgjedhjet e 25 qershorit.
Por kur çështja e mandatit të deputetit të lënë vakant pas zgjedhjes së Metës si presidenti i Republikës është zgjidhur, një tjetër mandat është kthyer në qendër të debatit.
Bëhet fjalë për mandatin e këshilltares së Bashkisë së Tiranës, Genta Mezini, e cila pak ditë më parë votoi për rritjen e çmimit të ujit dhe u përjashtua nga grupi i këshilltareve të LSI-së.
Pas përjashtimit, Mezini dhe këshilltari tjetër Agim Kraja iu bashkuan grupit të këshilltarëve socialistë. Mezini rezulton e 19-a në listë, por Lindita Veliasi e ka cilësuar si të kundraligjshëm përzgjedhjen e saj, pasi ajo ishte e renditur e 17-a dhe mandati duhet t’i takonte asaj.
KOHA JONË SONDAZH

