Bylykbashi: Nën hundën e Arta Markut ngjarje të rënda për drejtësinë, prokurorët e kanë marrë mesazhin
Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, deklaron se mazhoranca e ka kthyer në një farsë reformën në drejtësi.
I ftuar në interevistën e mbrëmjes në Ora News, ai thotë se produkt i kësaj farse është dhe kryeprokurorja provizore nën hundën e së cilës po ndodhin ngjarje shumë të rënda për sistemin e drejtësisë.
Bylykbashi: Ne thjesht ekspozojmë këtë farsën e reformës në drejtësi të Edi Ramës, një reformë që ka prodhuar prokurorin e përgjthshëm provizor. Nën hundën e saj po ndodhin një seri situatash të rënda në sistemin e drejtësisë, i kthehet pasaporta Saimir Tahirit, lirohet bashkëpunëtori i tij, nuk bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë për çështjen Xibraka. Dhe e fundit fare, ajo që ndodhi me ekstradimin e dëshmitarit kyç në çështjen Tahiri-Habilaj në prokurorinë e krimeve të rënda, e çuan me proces të përshpejtuar në Itali vetëm për ta hequr nga duart e drejtësisë shqiptare vetëm që Tahiri të mos dënohet.Hiqet dëshmitari kyç për rrjedhojë nxirret i pafajshëm.
Sipas Bylykbashit, prokurorët e kanë marrë mesazhin e Arta Markut dhe do të vihen në rresht për të votuar shumicën që i duhet Ramës në KLP për të propozuar prokurorin e përgjithshëm dhe 10 prokurorët e SPAK.
Bylykbashi: Prokurorja e përgjithshme provizore sot është duke dhënë mesazhe të njëpasnjëshme. Shkarkon, transferon në kundështim me ligjin pa pasur kompetencë. Për rrjedhojë prokuroria që është një organ i centralizuar, prokurorët e kanë marrë mesazhin: Kjo prokurore të bën gjëmën, të degdis diku, të shkarkon dhe për rrjedhojë bindju se deri sa ti mbarojë afati i përkohshëm që nuk dihet se kur mbaron mund të humbasësh vendin e punës aty ku je. Për rrjedhojë prokurorët do të vihen në rresht dhe do të votojnë ata 6 prokurorë që i duhet Edi Ramës, të paktën 4 prej tyre që i duhen Edi Ramës për të bërë një shumicë në KLP që do të marrë të gjitha vendimet, si: Për të propozuar kandidatin për prokuror të përgjithshëm dhe për të përzgjedhur 10 prokurorët e SPAK.Do të zgjidhen ata prokurorë që i duhen Edi Ramës, do të jenë ata prokurorë që bëjnë hetimin dhe do të mbyllin çështjen duke thënë: Nuk shohim asnjë vepër penale të Edi Ramës, Ministrave të tij, Saimir Tahirit e me rradhë.
Lidhur me listën e kandidatëve të përzgjedhur sot me short për anëtarë të KLP dhe KLGJ, deputeti i PD-së thotë se është një listë politikisht e korruptuar.
Bylykbashi: Ne kemi ekspozuar jo vetëm problematikën e madhe kushtetuese që ka ky proces por edhe faktin se ky proces selektiv ka çuar në një numër kandidaturash që janë në kundërshtim flagrant me ligjin. Kemi kandidatë që janë të skualifikuar nga ONM.I kanë futur përkundrejt vullnetit të ONM se u duhen ata kandidatë.Ka kandidatë që kanë qenë një ish-sigurimin e shtetit, apo kandidatë që kanë qenë hetues, gjyqtarë, prokurorë në kohën e komunizimit në gjyqe politike, kanë dënuar njerëz për politikë.Njerëz që kanë kryer krime praktikisht. Ka kandidatë që nuk kanë paguar taksat. Kemi një kandidat që ka mashtruar me deklaratën e dekriminalizimit, është dënuar dhe ka nuk ka treguar. I gjithë ky korpus kandidaturash ka bërë që çfarëdo që zgjedh me dorë apo me short të del një listë që është politikisht e korruptuar dhe masivisht në kundërshtim me kriteret e ligjit. Sot ishte raundi i dytë se kandidatët janë po ata.
Por ai nënvizon se reforma në drejtësi nuk bllokohet dhe zgjedhja e KLP dhe KLGJ është e pashmangshme.
Bylykbashi: Ne kemi garantuar se procesi i reformës në drejtësi nuk bllokohet. KLGJ dhe KLP do të ketë, do të jetë e kapur totalisht nga Edi Rama, të mbajë ai koston në sytë e shqiptarëve.Ne do të vazhdojmë të luftojmë.Gjykata Kushtetuese ka votuar 4/3 për të shfuqizuar këto mekanizmat e kontrollit në ligjin për organet e sistemit të drejtësisë.Praktikisht është rrëzuar kërkesa e PD por shumica e gjyqtarëve kanë qenë në favor. Nëse do të kemi një moment kur do të bëhen 5 gjyqtarë ato dispozita do të shfuqizohen, ne e kemi betejën të hapur. Kështu si është sot , Gjykata Kushtetuese është e kapur. Nga 9 anëtarë janë 7, 6 janë me mandat të plotë, 1 anëtareje i ka mbaruar mandati. 2 të tjerë janë larguar.Kanë garantuar që të mbeten raporte 4 me 3 dhe vendimet të Gjykatës Kushtetuese po dalin njëra pas tjetrës 4 me 3, është bllokuar Gjykata Kushtetuese, si një mundësi e fundit për drejtësi. Për të garantuar këtë status quo, mazhoranca ka bllokuar Këshillin e Lartë të Emërimeve në Drejtësi, i cili duhet të bëjë renditjen e kandidaturave që shkojnë për Gjykatën Kushtetuese. Dhe meqë nuk i leverdis shorti që ka rënë do të vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar siç e mbajtën gjatë gjithë 2017.Kjo mund të mos jetë një çështje se kush shkon në burg. Sigurisht një numër gjyqtarësh, prokurorësh, politikanësh do të përfundojnë pas hekurave të drejtësisë, por ajo që na duhet tani është një drejtësi që funksionon për 20-30 vitet e ardhshme.
Bylykbashi deklaroi se PD është në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadorët në vendin tonë, që sipas tij janë të shqetësuar për mbylljen e dosjes Tahiri.
Bylykbashi: Komunikojmë me të gjithë Ambasadat. Janë të interesuar vazhdimisht që të ngrihet çështja e Tahirit që të procedohet më thellë, janë të shqetësuar që po mbyllet çështja dhe çështje të tjera. Ne ua bëjmë të qartë, kanë filluar të kuptojnë tashmë se diçka e rëndë nuk po shkon. Nuk ka mundësi që një qeveri të luftojë për reformë në drejtësi, nga ana tjetër është kaq e zhytur në krimin e organizuar. Njëra në propocion të kundërt me tjetrën nuk ka mundësi. Bandat i kemi në rrugë, krimin e organizuar e kemi në shesh, droga po mbyt Shqipërinë dhe Europën dhe ky Kryeministër që Ministrin e ka të përfshirë në këto historira thotë unë dua reformën në drejtësi. Këtë lloj psalmi shqiptarët nuk e blejnë.
/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

