Bylykbashi: Të largohen kriminelët, por edhe bedelët e krimit nga pallati i pushtetit
Nga Oerd Bylykbashi
Deputeti, ministri dhe gjyqtari janë figura kushtetuese të të njëjtës kategori, të barzvlefshme, por në pushtete të ndryshme.
Për ta thjeshtuar, pallati i pushtetit ka tre shkallë, parlamentin, qeverinë dhe gjykatën, dhe secili hyn në shkallën e vet; deputeti në legjislativ, ministri në ekzekutiv dhe gjyqtari në gjyqësor. Por që të tre zyrat i kanë në të njëjtin kat të pallatit të pushtetit, në katin më të lartë.
Nëse gjyqtari me vetingun për lidhjet me krimin largohet nga detyra, po aq duhet të largohet deputeti apo ministri.
Ta thjeshtojmë më tej: një gjyqtar i lartë është larguar sepse nipi i tij është dënuar për një cigare hashash. Nëse gjyqtari që mbrohet nga kushtetuta më shumë se ministri dhe deputeti që të sigurohet pavarësia, largohet skandalozisht sepse marrëdhënia me nipin që ka kryer krimin e “tmerrshëm” të pirjes së një cigareje hashash quhet kontakt i papërshtatshëm me krimin, pse nuk duhet larguar nga parlamenti apo qeveria deputeti apo ministri që deklaron se ka marrëdhënie familjare me një trafikant që është dënuar me 7 vite e dy muaj burg apo nga zyra e ministrit ka promovuar e mbrojtur trafiqet e kushërinjve?!
Nëse një gjyqtar rezulton se ka vendosur në favor të një krimineli të dënuar me 21 vite burg të cilin deklaron se e ka mik shtëpie dhe nga vendimet e tij krimineli ka fituar tendera me miliona euro, ai largohet pa diskutim nga vetingu. Po ashtu, kur një deputet deklaron miqësinë me një kriminel të dënuar me 21 vite burg dhe kur krimineli fiton tendera me miliona euro në zonën elektorale të deputetit mik shtëpie, deputeti duhet të largohet sepse i ka hapur kriminelit derën e institucionit publik përveç derës së shtëpisë.
Nëse një deputet apo ministër, në mes të një operacioni antidroge, merr dhe fsheh në makinën e tij një trafikant në kërkim dhe çan postobllokun e policisë me imunitetin e tij parlamentar duke shpëtuar trafikantin, siç ka ndodhur në legjislaturën e shkuar, nuk mund të presin shqiptarët deri sa ta ndajë drejtësia nëse ka bërë apo jo krim ky zyrtar. Ai zyrtar duhet të largohet menjëherë nga detyra pa pritur të kalojnë vite deri sa të dënohet sepse mund të vazhdojë ta shpëtojë sërish kriminelin. Më pas duhet të shkojë edhe në burg, por të largohet si fillim.
Ligji i Dekriminalizimit që është një lloj vetingu, largon kriminelët e dënuar nga parlamenti, qeveria dhe gjyqësori. Rama u kap gafil me shpurën e kriminelëve që futi në institucione. Por ndërroi taktike; zëvendësoi kriminelin me bedelin. Në vend të kriminelit, ai tani ka futur në institucione fëmijën, kushëririn, apo ushtarin e bindur të kriminelit. Ndaj me vetingun e lidhjeve të politikanëve me krimin, duhet rrëzuar tuneli i nëndheshëm që lidh politikën me krimin, atë tunel të errët ku të dyja palët bëjnë pazare qeverisjeje.
Dhe për ata që thonë se një politikan i korruptuar është më i rrezikshëm se një politikan që ka marrëdhënie me krimin e organizuar, pra i ka hapur derën e qeverisjes krimit të organizuar, u them që ky është palaçollëk! Të dy kriminelë janë por është njësoj si të thuash që hajduti është më i rrezikshëm se mafiozi.
KOHA JONË SONDAZH

