Debati për takimin IUSY. Mehmetaj i përgjigjet FRESSH: Po gënjeni. Ja e vërteta

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj ka reaguar sot ndaj deklaratës së FRESSH lidhur me takimin e LRI-së me IUSY (Internacionalja e të Rinjve Socialistë) në Jalë. Në cilësinë e Zv.Presidentes së IUSY, Mehmetaj shprehet se FRESSH nuk ka asnjë kontribut në organizimin e këtij takimi.

 Deklarata e plotë e deputetes së LSI:

Jam ndjerë thellësisht e zhgënjyer nga deklarata që FRESSH dhe PS kanë shpërndarë për mediat përpara pak orësh. Jam ndjerë e zhgënjyer, pasi kanë gënjyer në mënyrë të paturp duke përdorur pa autorizim emrat e Presidentit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të IUSY-t dhe kanë gënjyer mbi një marrëveshje që nuk ka ekzistuar kurrë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por e vërteta është gjithmonë një dhe e pakundërshtueshme. Sidomos kur shoqërohet me fakte që nxjerrin në pah këtë gënjeshtër të orkestruar pa shije.

Swiss Digital Mobile Reklama

Disa muaj më parë LRI dhe IUSY-Internacionalja e të Rinjve Socialistë (në të cilën unë mbaj postin e Zv.Presidentes) kanë nënshkruar një marrëveshje së bashku, për të zhvilluar në kampin e LRI në Jalë Festivalin Botëror të IUSY-t. Nga ai moment dhe deri në përfundim të zgjedhjeve FRESSh nuk ka patur asnjë rol organizativ mbi zhvillimin e këtij festivali.

Ne (LRI) si të rinj dhe me dëshirën për të bashkëpunuar i ftuam të bëheshin pjesë e grupeve të punës për realizimin e kampit (dashamirësi nga ana jonë dhe pa patur asnjë lloj kontrate).

Në përfundim të procesit zgjedhor, pasi manipuluan zgjedhjet dhe ushtruan presion mbi qytetarët shqiptarë, Rilindasit menduan se mund të bënin të njëjtën gjë edhe me të rinjtë e IUSY-t duke i vendosur ata disa herë në pozitë të vështirë. Me mendësinë arrogante me të cilën edhe kanë qeverisur, arritën deri në pikën e kërcënimit me refuzim të vizave, nëse gjatë zhvillimit të kampit nuk do të vendosej logoja e FRESSh. Tentativë kjo tërësisht e pavlerë, pasi askush nuk mund të keqpërdorë procedurat standarde të Ministrisë së Jashtme.

Sërish, duke marrë parasysh se jemi të rinj dhe me njëri-tjetrin duhet të zhvillojmë ndjenja bashkëpunimi dhe jo armiqësie, IUSY së bashku me LRI vendosën ta përfshijnë FRESSh si organizatë mbështetëse të aktivitetit kundrejt përmbushjes së disa detyrimeve bazike (sërish theksoj pa asnjë kontratë). Dhe sot, tre ditë përpara zhvillimit të kampit, FRESSh shpërndan një deklaratë tejet të pakuptimtë për mua, duke nxitur dhe reagimin ti them të gjitha këto.

Megjithatë, meqënëse tashmë kjo situatë u bë e njohur për publikun,po i rikujtoj FRESSh se nuk kanë pagur ende detyrimin financiar të Kongresit të IUSY-t që organizuam bashkërisht në shkurt të 2016. Gjithashtu, dua ti kujtoj se haku i punës merret pasi e ke kryer dhe se nuk mund të kërkosh merita nëse nuk je i zoti të punosh.

Në fund, dua ti sjell në vëmendje FRESSh-it se të bëhesh një kopje e shëmtuar e politikës së mashtrimit nuk është vlerë, përkundrazi të bën të padëshirueshëm. Të përdoresh në mënyrë të ulët nga partia për të hedhur shashka zhurme në media nuk të bën të rëndësishëm, përkundrazi të deformon karakterin.

Më vjen keq që edhe njëherë të vetme që FRESSh prodhoi lajm, ky qe i pavërtetë. Shpresoj dhe uroj që delegacioni i tyre në kampin e IUSY-t të vijë në Jalë me mendje dhe zemër pozitive. Shpresoj dhe uroj gjithashtu, që të cojnë deri në fund detyrimet e tyre. Sic e kemi tashmë traditë, të cilën sado të përpiqen nuk na i mohojnë dot, ne do i mirëpresim ata dhe qindra të rinj të tjerë nga e gjithë bota në një kamp që do të jetë i paharrueshëm nga momentet fantastike që do të krijohen.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?