Deklaratat e Majkos, Shehu: Fishekzjarrë në një festë birre, kufirin e “rrëzoi” Berisha
Debati për kufirin Shqipëri-Kosovë vazhdon. Ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu ka komentuar deklaratat e ministrit për Diasporën Pandeli Majko që tha nga Kosova se nga 1 janari kufiri mes dy vendeve do të hiqet.
Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, deputeti demokrat thotë se kufirin Shqipëri-Kosovë e rrëzoi qeveria Berisha, ndërsa akuzon qeverinë e Rilindjes që po i komplikon gjëra për dy vendet dhe rajonin. Deklaratën e Majkos, Shehu e sheh si një fishekzjarr në një festë birre.
Për më tepër ai kujton që qeveria socialiste ‘ka vendosur traun e ndarjes edhe në Rrugën e Kombit, duke lënë Kukësin jashtë’.
STATUSI I TRITAN SHEHUT:
Kufirin Shqipëri-Kosovë e “rrëzoi” Berisha e jo demagogët e sotëm.
Disa gazetarë prej 2-3 ditësh më kërkojnë një koment për atë çfarë deklaroi Z.Majko, duke ju referuar një “vendimi tashmë të marrë” nga Kryeministri për “heqjen” e kufirit Shqipëri-Kosovë, duke filluar nga 1 janari, të paktën siç formulohet në shtyp.Nuk u nxitova në komente sepse prita për të tjera sqarime publike ose jo këto, nga autorët e asaj “deklaratë të rëndësishme”, të cilat munguan krejtësisht.
Pra qartësisht ajo “deklaratë” ngel vetëm një “fishekzjarre në një festë birre”, asgjë më shumë, që ka për qëllim veshjen e një “kostumi nacionalist” nga Rilindja, që kështu vetëm sa i komplikon gjerat për Kosovën, Shqipërinë e Rajonin.
Në fakt ishte Qeveria që kryesohej nga Berisha, që “rrëzoi” kufirin Shqipëri-Kosovë me ndërtimin e Rrugës së Kombit, duke e lidhur Kosovën me Shqipërinë, Adriatikun e Perëndimin.
Kjo është mënyra e “rrëzimit” të kufijve në epokën e integrimit europian, të cilën Rajoni po e përjeton.
Fatkeqësisht qeveria ku së fundi bën pjesë dhe Z.Majko, jo vetëm që nuk ka krijuar asnjë lehtësi të veçantë në këtë drejtim që prej 2013-tës, por përkundrazi po vendos përsëri “traun e ndarjes” në atë Kufi e Rrugë, këtë radhë duke lënë edhe Kukësin jashtë. Ato që vlerësohen e krijojnë zhvillimin janë veprat e jo demagogjia.
KOHA JONË SONDAZH

