Delegacionet dhe zyrtarët e lartë i bashkohen nismës “Tirana pa makina”
Bllokimi i Unazës së Vogël në Tiranë nuk ka penguar delegacionet e huaja dhe zyrtarët e lartë të shtetit që të kryejnë veprimtarinë e tyre. Një prej atyre që respektoi nismën “Tirana pa makina” është edhe Jorg Asmussen, Sekretar Shteti në Ministrinë Federale të Punës dhe Çështjeve Sociale në Gjermani, i cili i është drejtuar në këmbë Bashkisë së Tiranës për të takuar kryetarin e saj, Erion Veliaj. Zyrtari gjerman është parë që të kalojë në sheshin Skënderbej gjatë orëve të pasdites, ndërkohë që në këtë zonë zhvilloheshin aktivitete kushtuar Ditës Ndërkombëtare pa Makina.
Më herët ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu, që mbërriti me biçikletën e tij përpara Hotel Dajtit, ku u prit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe mori pjesë në aktivitet kushtuar ditës pa makina.
Një tjetër delegacion që respektoi nismën “Tirana pa makina” ishte ai i Çekisë, i kryesuar nga ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Michaela Marksova, e cila shkoi në këmbë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të takuar drejtuesin e kësaj ministrie, Blendi Klosi. Në respekt të ditës pa makina, edhe delegacioni i Korpusit të Paqes ka zhvilluar takimet e parashikuar duke i përshkruar rrugët në këmbë.
Krahas delegacioneve, edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka preferuar që të ecë në këmbë drejt zyrës së tij për të vijuar punën e përditshme. Ndërsa ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, kanë përdorur biçikletat për të shkuar në punë.