Demarkacioni me Malin e Zi, reagon Rama: Rrugës për në Prishtinë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vendimin historik për dy vendet, arritjen e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Përmes një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut kreu i qeverisë tregoi edhe faktin se ishte rrugës për në Prishtinë, ku do të marrë pjesë në festimet në kuadër të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Rrugës për Prishtinë ku sapo dëgjova për hapin e rëndësishëm drejt finalizimit të demarkacionit me Malin e Zi!Uroj të mbyllet sa më parë????”, shkruan Rama.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanovic kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka uruar qytetarët e Kosovës për këtë ankes-marrëveshje për Demarkacionin. “Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen. Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, në formën e aneks-marrëveshjes si instrument ligjor detyrues ndërkombëtar, i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë. Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. Kjo deklaratë e dy presidentëve erdhi pas vizitës dy ditëshe të kryeministrit malazez, Dushko Markoviç.
KOHA JONË SONDAZH

