Demarkacioni, Meta: Pranverë europiane për Kosovën
Kreu i shtetit Ilir Meta ka përshëndetur deklaratën e përbashkët Thaçi-Vujanoviç për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi. “Mali i Zi, partner i shkëlqyer i shqiptarëve”, thotë Meta duke shpresuar që miratimi i saj “ do të sjellë një pranverë europiane për Kosovën e qytetarët e saj”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi përpara medieve dhe opinionit publik arritjen e një qëndrimi të përbashkët për rishikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me kryeministrin malazez, Dusko Markoviç.
“Në 10-vjetorin e Pavarësisë, Kosova po arrin një progres të qenësishëm”, deklaroi Thaçi, duke e ilustruar këtë pohim me dokumentin që ka marrë edhe mbështetjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, një prej zërave më të ashpër kundër paktit në formën e tij të deritanishme. “Është jetike”,- u shpreh Thaçi, ”që pakti të marrë ‘dritën jeshile’ në Kuvend”.
“Në këtë 10-vjetor të Pavarësisë, Kosova po shënon progres të rëndësishëm, që po përshëndetet nga të gjithë. Duke vlerësuar edhe vullnetin e mirë të shtetit të Malit të Zi dhe udhëheqësisë kosovare në 48 orët e fundit, si dhe përpjekjet tona për dy vite e gjysmë, unë si President i Kosovës dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç nxorëm një deklaratë të përbashkët, që të inkurajojmë Kuvendin e Kosovës të ratifikojë marrëveshjen e Demarkacionit. Me këtë përfundojmë detyrimin e fundit për liberalizimin e vizave, në lirinë e qytetarëve tanë”, tha Thaçi.
KOHA JONË SONDAZH

