“Deputetët e inkriminuar”/ Debati me dyer të mbyllura – Ja si PS do ndryshojë Rregulloren

Nga Herion Mesi

Në procesverbalin e mbledhjes me dyer të mbyllura të 30 tetorit, rezulton përfaqësuesit e mazhorancës në Konferencën e Kryetarëve të grupeve dhe komisioneve parlamentare janë përfshirë në debate të forta mes tyre sa i përket çështjes së ndryshimit nga socialistët të Rregullores së Kuvendit, ku do të forcohen rregullat që Prokuroria të kërkojë arrestimin e deputetëve.

Sipas opozitës këto ndryshime bëhen për të marrë në mbrojtje deputetët e implikuar në afera korruptive dhe lidhje kriminale.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Me anë të një Udhëzuesi të përgatitur për të interpretuar Kodin e Etikës të miratuar vetëm nga rilindja, haptas dhe pa cipë ngrihet një mburojë e hekurt për të mbrojtur deputetët e inkriminuar”- do të deklaronte më 31 tetor të këtij viti kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërsa socialistët, përmes kryetarit të grupit të tyre parlamentar, Taulant Balla, shprehen një ditë para kësaj deklarate se këto ndryshime duhet të bëhen për shkak se një prej akteve më të rëndësishme të punës së Kuvendit, siç është Rregullorja nuk është në konkordancë me Kushtetutën e vendit.

“Aktualisht Rregullorja e Kuvendit, në formë dhe në përmbajtje, bie tërësisht në kundërshtim me ndryshimet kushtetuese që janë bërë, por dhe me vendimet sqaruese të Gjykatës Kushtetuese”- rezulton të jetë shprehur kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla në mbledhjen me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve.

Por duke qenë se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit aktualisht është jashtë funksionit si pasojë e bojkotit të opozitës, ku së paku i duhen 6 anëtarë nga 5 që ka aktualisht për t’u mbledhur, atëherë dilema e socialistëve mbetet rruga që duhet të ndiqet për të realizuar ndryshimin e Rregullores.

I prerë, Taulant Balla ia jep këtë kompetencë Komisionit të Ligjeve, por kryetari Ulsi Manja nuk është i qartë nëse ka ndonjë praktikë të ngjashme parlamentare që këto ndryshime të kalojnë përmes komisionit që ai drejton. Një dilemë të tillë e ka dhe vetë kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi. E në referencë ekspertët e Kuvendit sjellin një praktikë të vitit 2004.

Më poshtë debati i 30 tetorit mes kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, nënkryetares së Kuvendit Vasilika Hysi, kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla, kreut të “Ligjeve” Ulsi Manja, si dhe ekspertes së Kuvendit Mimoza Pano.

Diskutimet me dyer të mbyllura

Gramoz Ruçi – Të nderuar anëtarë të Konferencës së Kryetarëve. Hapim mbledhjen me këtë rend dite:

1) Miratimi i kalendarit tri javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 5 – 23 nëntor 2018.

2) Miratimi i Planit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të KE-s për Shqipërinë për vitin 2018.

3) Miratimi i Planit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të GRECO-s për Shqipërinë, korrik 2018.

Projekt-kalendari përfshin veprimtarinë në komisione dhe në seancë plenare. Janë parashikuar 3 seanca plenare përkatësisht në datat: 8 nëntor 2018, ora 10:00 (e enjte), 15 nëntor 2018, ora 10:00 (e enjte) dhe 22 nëntor 2018, ora 10:00 (e enjte). Keni mendime apo sugjerime në lidhje me kalendarin?

Vasilika Hysi – Në pikën 17 të kalendarit të Kuvendit është Projektvendimi “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar. Stafi i Kuvendit dhe grupi i punës i ngritur në bazë të detyrës që Ju kishit lënë në mbledhjen për Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka depozituar një numër të konsiderueshëm ndryshimesh në Rregulloren e Kuvendit. Aktualisht kemi marrë propozimet e opozitës, të paraqitura që në momentin që është diskutuar “Kodi i Sjelljes”. Stafi i Kuvendit, njëkohësisht projekti IPA dhe të gjitha rekomandimet e bëra, në kuadër të punës që kanë bërë stafi i Kuvendit me projektin IPA ,janë pasqyruar. Materiali i është shpërndarë të gjithë deputetëve dhe është lënë afati në datën 2 nëntor për të sjellë mendime dhe sugjerime.

Unë do sugjeroja, meqenëse numri i ndryshimeve është i konsiderueshëm dhe kërkon një punë profesionale, të cilën nuk mund ta bëj vetëm unë dhe kolegu Bushati, pasi kolegët e opozitës që janë në grupin e punës, qoftë z. Mima, z. Haxhinasto, z. Alibeaj nuk janë të pranishëm, t’i kalojë për shqyrtim komisionit të Ligjeve, për t’u parë një e nga një përpara se të kalojë në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Taulant Balla – Zoti Kryetar, e mirëkuptoj zonjën Hysi për nevojën e një grupi më të zgjeruar. Grupi mund të plotësohet me deputetë të tjerë. Në fund të fundit ky është një vendim që i takon Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Nga komisioni i Ligjeve mund të përzgjidhen dhe dy apo tre anëtarë të tjerë, të cilët mund t’i bashkohen këtij grupi dhe puna le të vijojë, me qëllim që Kuvendi i Shqipërisë të plotësojë një prej detyrimeve themelore që ka, meqë pikë e dytë e rendit të ditës për mbledhjen e sotme është miratimi i planit të veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian. Ndryshimet në Rregullore, të propozuara nga Grupi Parlamentar i PS, janë pikërisht transpozimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në Rregulloren e Kuvendit. Aktualisht Rregullorja e Kuvendit, në formë dhe në përmbajtje, bie tërësisht në kundërshtim me ndryshimet kushtetuese që janë bërë, por dhe me vendimet sqaruese të Gjykatës Kushtetuese dhe si e tillë ne nuk mund të humbim më kohë, po të kemi parasysh që tashmë jemi në një proces screening nga ana e Bashkimit Europian (BE) dhe Komisionit Europian (KE) për detyrat që kemi. Një prej akteve më të rëndësishme të punës së Kuvendit, siç është Rregullorja nuk është në konkordancë me Kushtetutën e vendit. Prandaj si i tillë le të shtohen kapacitetet e grupit të punës dhe me dy tre anëtarë të tjerë, të vendosin një afat dhe të vijojnë punën.

Vasilika Hysi – E ndoqa me interes sugjerimin dhe diskutimin e kolegut Balla.

Në radhë të parë do të doja të theksoja që, përveç raportit të KE-së kjo është dhe një kërkesë në kuadër të GRECO-s, për të cilën ne kemi një afat raportimi. Pra ne duhet të bëjmë një ndërlidhje ndërmjet “Kodit të Sjelljes” Udhëzuesit dhe Rregullores së Kuvendit. Kjo punë mendoj se nuk mund të bëhet vetëm nga dy apo tre vetë, aty ka dispozita që lidhen edhe me komisionin e Ekonomisë edhe me komisionin e Ligjeve. Mendoj që duhet të jetë një grup pune më i madh dhe të ketë një angazhim nga të gjithë kolegët. Unë prandaj sugjerova për të kaluar në komisionin e Ligjeve dhe nuk mund të jetë produkt i punës së dy apo tre apo pesë deputetëve. Duhet të ketë një raport dhe nuk mund të kalojë në seancë plenare pa u diskutuar dhe pa pasur një diskutim të detajuar dhe raport shoqërues që të sqarojë të gjitha amendamentet që i bëhen Rregullores së Kuvendit.

Gramoz Ruçi – Si zgjidhet tani, pasi ky është atribut i Këshillit të Rregullores, Mandatet dhe Imunitetit.

Mimoza Pano (Drejtoreshë e Shërbimit të Seancës Plenare) – Nga praktika e derisotme parlamentare për ndryshimet në Rregullore, ka praktika me të dy rastet. Rregullorja aktuale që ne kemi, e miratuar në vitin 2004, ka qenë objekt shqyrtimi në komisionin e Ligjeve dhe ndryshimet e më tejshme, jo në të gjitha rastet, por në pjesën më të madhe të rasteve i janë nënshtruar shqyrtimit në komisionin e Ligjeve. Pra vërtetë është atribut i Këshillit të Rregullores, Mandatet dhe Imunitetit, por në kohën që ky Këshill është me 5 anëtarë dhe nuk mund të dalë me një raport apo shqyrtim të pjesshëm, sepse kemi referencën që Këshilli mblidhet si komisionet, kjo përbën një pengesë të madhe dhe e bllokon punën e këtij organi. Pra duhet të jenë 6 veta që të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit dhe në këto kushte, shqyrtimi nga një organ tjetër i Kuvendit që është komisioni i Ligjeve i jep legjitimitet procesit.

Taulant Balla – Dakord do ta shqyrtojë komisioni i Ligjeve. Komisioni Ligjeve të bëjë një agjendë dhe ta përfundojnë në kohën e duhur.

Ulsi Manja – Pyetje kisha! Komisioni i Ligjeve do të marrë në shqyrtim këto ndryshime që propozohen në Rregullore meqenëse nuk funksionon Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit apo ka praktikë parlamentare për këtë gjë? Më tej pyetja, në rast se ndryshimet në Rregullore do të kalonin në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit a do të shqyrtoheshin më pas në komisionin e Ligjeve? Si është praktika parlamentare për këtë gjë?

Mimoza Pano (Drejtoreshë e Shërbimit të Seancës Plenare) – Kur ndryshimet në Rregullore kanë kaluar në Komisionin e Ligjeve i ka shqyrtuar vetëm Komisioni i Ligjeve, kur kanë kaluar në Këshillin për Rregulloren, i ka parë vetëm Këshilli. Për shembull: ndryshimet proceduriale për rishikimin e Kushtetutës, neni 77/a dhe 77/b, që janë përfshirë në Rregullore kanë kaluar vetëm në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Pra, ka praktikë parlamentare me të dy rastet.

Gramoz Ruçi – Si bëhet tani që kjo praktikë ka nisur në atë Këshill?

Mimoza Pano (Drejtoreshë e Shërbimit të Seancës Plenare) – Kryetar, është Konferenca e Kryetarëve që vlerëson dhe cakton komisionin përgjegjës që duhet ta shqyrtojë.

Gramoz Ruçi – Qartë. Për kalendarin ka sugjerime?

Erjon Braçe – I vetmi shqetësim që kam është se gjatë muajit nëntor do të shqyrtohet buxheti dhe paketa fiskale dhe komisioni i Ekonomisë ka në kalendar edhe 5 apo 6 çështje përtej buxhetit dhe paketës fiskale. Ngarkesa është e madhe, pavarësisht se opozita nuk ndodhet në parlament. Mendoj se shqyrtimi i buxhetit dhe i paketës fiskale është një proces tej mase i rëndësishëm dhe që do marrë gjithë kohën e vet, pavarësisht se kush është e kush nuk është.

Gramoz Ruçi – Meqenëse kolegët e opozitës nuk marrin pjesë në Kuvend, projektkalendari së bashku me sugjerimet përkatëse t’i kalojë për miratim seancës plenare si çështje e rendit të ditës.

Lidhur me pikën e dytë, “Për planin e veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të KE-s për Shqipërinë për vitin 2018. Me këtë plan veprimi jeni njohur. Ky plan është përgatitur nga shërbimet e Kuvendit bazuar në raport progresin e Komisionit Europian. Do të kërkoja angazhim maksimal për realizim në kohë me qëllim arritjen e objektivave për përmirësimin e performancës së Kuvendit. Keni ndonjë sugjerim për këtë çështje?

Taulant Balla – Zoti Kryetar, do t’i kërkoja të gjithë kryetarëve të komisioneve, përfshirë këtu dhe 3 nënkryetarët e komisioneve që janë sot këtu, për komisionet që drejtohen nga opozita, që këtë plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian ta ndjekin me përpikmëri dhe në mënyrë periodike në konferencë Kryetarësh të kemi një raportim mbi përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga ky Plan Veprimi. Kjo sepse roli i Kuvendit të Shqipërisë në procesin historik të Integrimit Europian është i rëndësishëm, madje ka një rol drejtues. Duhet të kemi parasysh fazën parapërgatitore, siç e theksova dhe pak më parë, të screening për legjislacionin, dhe si i tillë do të na duhet që në të 8-të grupfushat që mbulojmë të 8-të komisionet, jo vetëm komisioni i Integrimit, që e ka detyrë funksionale, por dhe të 7-të komisionet e tjera. Le të kemi një raportim periodik në Konferencë të Kryetarëve për detyrat që bëhen për secilin prej komisioneve në këtë proces.

Vasilika Hysi – Tek Plani i Veprimit ka një footnote ku flitet për projektin e binjakëzimit dhe është shënuar që raporti final i projektit do dërgohej brenda datës 25 gusht dhe po brenda kësaj date ekspertët e projektit të binjakëzimit do të dërgonin edhe manualin në shqip dhe anglisht. Pyetja ime është se a ka ardhur manuali brenda datës 25 gusht dhe raporti final i projektit a është përkthyer në gjuhën shqipe?

Dedë Kasneci (Drejtor i Shërbimit të Përafrimit të Legjislacionit) – Faleminderit zonja Hysi për pyetjet dhe mundësinë që më jepni për t’u sqaruar. Pala greke është angazhuar për të hartuar manualin mbi përafrimin dhe për ta sjellë në gjuhën shqipe dhe angleze. Ato kanë sjellë vetëm 10 kopje, pra jo në përputhje me marrëveshjen që ishte bërë dhe pritet të sjellin edhe pjesën tjetër rreth 140 kopje të tjera në shqip dhe anglisht të manualit të përafrimit. Lidhur me përkthimin e materialeve, përsëri ishin angazhuar pala greke që t’i dërgonin në të dy gjuhët, por nuk i kanë dërguar. Materiali i është dërguar OSBE-së për t’u përkthyer në gjuhën shqipe, pra dokumenti, gjetjet dhe rekomandimet e projektit i është dërguar OSBE-së, e cila është angazhuar që ta përkthejë brenda muajit tetor. Presim dhe shpresojmë që ta dërgojmë brenda ditës së nesërme. Materiali është shumë voluminoz me mbi 130 faqe

Gramoz Ruçi – Kush ka komunikuar me OSBE-në?

Dedë Kasneci (Drejtor i Shërbimit të Përafrimit të Legjislacionit) – Sekretari i Përgjithshëm, Unë dhe Shërbimi i Marrëdhënieve me Jashtë. Zoti Kryetar, pavarësisht kësaj, rekomandimet janë përkthyer nga stafi i Kuvendit dhe rekomandimet ligjore janë të përfshira në ndryshimet e Rregullores, që janë përfshirë dhe janë dërguar për konsultim. Pra rekomandimet ligjore janë bërë vetë nga stafi i Kuvendit për të gjithë komponentët. Për komponentin e parë i kam bërë vetë pasi kam qenë koordinator, për të dytin, të tretin dhe të katërtin janë bërë nga zonja Mimoza Pano, zonja Jorida Shytaj dhe personat e tjerë përgjegjës. Pra, rekomandimet ligjore tashmë janë të përfshira, nuk është pritur përkthimi. Ndërsa për rekomandimet e tjera që janë për vlerësim kapacitetesh e të tjera e të tjera duket të presim pasi do të vijnë në gjuhën shqipe dhe më pas do të përfshihen në një matricë që me iniciativë të Sekretarit të Përgjithshëm do të bëhet një databazë e plotë e të gjitha detyrimeve që burojnë nga IPA. Të gjitha detyrimet që burojnë për Kuvendin raportet e BE-së dhe raporti ndërkombëtar dhe do t’iu paraqitet në vijim, pra është në proces.

Vasilika Hysi – Faleminderit, por nëse ne do të miratojmë sot këtë Plan Veprimi nuk mund të flasim që do të paraqiten brenda datës 25 gusht, kur ne sot jemi data 30 tetor. Pra ka nevojë që pjesa e shpjegimit të jetë në përputhje me atë çfarë Ju thatë.

Dedë Kasneci (Drejtor i Shërbimit të Përafrimit të Legjislacionit) – Zonja Hysi, mundem një sqarim. Afati që është vënë, pra në momentin që publikohet raporti i BE-së, është publikuar në datën 17 prill 2018 dhe ai ka afat zbatimi deri në datën kur publikohet raporti i radhës. Pra periudha e zbatimit të Planit të Veprimit nuk lidhet me periudhën e zbatimit te rekomandimeve të IPA-s, është e detyrueshme që të respektohet afati vetëm për rekomandimet e Raportit të BE-së. Zbatimi i rekomandimeve të IPA-s, për aq sa ka qenë e mundur, është përfshirë tashmë në planin e veprimit dhe nuk kushtëzohet me përkthimin e tyre në gjuhën shqipe. Përkthimi ishte parashikuar që të vinte në datën 25 gusht, e kanë sjellë në gjuhën angleze dhe tani do të përkthehet në gjuhën shqipe.

Gramoz Ruçi – Dakord, tjetër mendim a ka? Nuk ka. Të ndjekim detyrimet që kemi dhe të jemi të gatshëm që t’u bëhet njoftimi anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve që sa herë, sipas vendimit që morëm, secili komision sipas detyrave të nxjerrë përgjegjësitë e veta për realizimin e planit të veprimit. Kalojmë të pika tjetër e rendit, miratimi i Planit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të GRECO-s për Shqipërinë, korrik 2018. Edhe ky plan veprimi, si i pari, është përgatitur nga shërbimet e Kuvendit bazuar në raportin e GRECO-s, prandaj edhe për këtë plan veprimi do të kërkoja angazhimin maksimal të të gjithë komisioneve që në raportimin e radhës që do të bëjmë për zbatimin e këtyre rekomandimeve të jenë arritur objektivat e përcaktuara. Për Kuvendin janë dy rekomandime kryesore, “Kodi i Sjelljes” dhe “Ndryshimet në Rregullore”, çështje që u diskutua dhe në pikën e parë, prandaj edhe një herë për të bërë të mundur realizimin e këtij objektivi dhe të këtij rekomandimi, pavarësisht nga fakti që janë shpërndarë elektronikisht materialet dhe propozimet për “Ndryshimet e Rregullores së Kuvendit” apo” Kodin e Sjelljes”, lidhur me udhëzuesin përsëri duhet përsëritur që veç kryetarëve të komisioneve që janë prezent këtu, t’u çohet të gjitha komisioneve, të gjithë deputetëve por në mënyrë institucionale t’u çohet përfaqësuesve të opozitës. Të vendoset një datë për t’u shprehur, pavarësish se marrin apo nuk marrin pjesë, por korrespondenca për t’u vënë në dispozicion materialin, bashkë me kërkesën dhe një afat përkatës për këtë çështje, të jetë prezent në tryezat e punës së opozitës. Se cili është pozicioni i Tyre më pas, është çështje tjetër lidhur me sugjerimet që mund të kenë. Po zonja Hysi!

Vasilika Hysi – Faleminderit zoti Kryetar. Një nga pikat e planit të veprimit është një sesion informimi për “Kodin e Sjelljes” dhe udhëzuesin për 140 deputetët dhe simpoziumi për konfliktin e interesit që organizon Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me ILDKPI-në dhe me Bashkimin Europian. Po e nis nga e dyta, simpoziumi është caktuar në datë 6 nëntor, ndërkohë deri më sot Shërbimi për Trajtimin e Deputetit kanë bërë të gjitha njoftimet përkatëse, por nuk ka asnjë konfirmim të deputetëve që do marrin pjesë në simpozium.

E para, bazuar në planin e veprimit dhe në kërkesën e GRECO-s që ne brenda datës 31 mars 2019 duhet të kemi kaluar të gjithë një sesion formimi të 140 deputetëve në mbështetje të kërkesës që ka bërë Sekretari i Përgjithshëm i ILDKPKI-së është konfirmuar vënia në dispozicion në tre sesione trajnimi të dy ekspertëve të ILDKPI-s. Do të duhet që drejtuesit e komisioneve të koordinojnë oraret me qëllim që të përcaktohen nga shërbimet e Kuvendit.

Një nga problemet që ka dalë deri më sot, që ne nuk kemi zbatuar asnjë nga këto dy kalendarë, është që deputetët pretendojnë që kanë komisione për ditë dhe nuk kanë lënë hapësirë për zhvillimin e tyre.

Gramoz Ruçi – Duhet një rakordim më i mirë edhe nga aparati edhe nga ne si drejtues të Konferencës së Kryetarëve që në këtë orar të mos lihen mbledhje komisionesh, kaq, domethënë që të bëhet ky aktivitet.

Vasilika Hysi – Drejtori i Përgjithshëm i Komitetit të Këshillit të Europës, i cili ishte dje në takim, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë angazhimin e tij në ndjekjen hap pas hapi të rekomandimeve të projektit të “Moneyvalit”. Kjo është një kërkesë e ngritur tashmë, pra i kanë kërkuar që Kuvendi të angazhohet, sikurse në rastin e GRECO-s, që të monitorojë zbatimin e rekomandimeve të Moneyvalit. Janë disa institucione që kanë lidhje, dhe në këtë kuadër, do të doja zoti Kryetar, që të ketë një angazhim dhe të vihet në dispozicion raporti i fundit i Moneyvalit dhe kryetarët e komisioneve të përcaktojnë detyrat përkatëse.

Gramoz Ruci – Dakord, këtu e mbyllim. Ditën e mirë të gjithëve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?