Deputeti i PD-së reagon ashpër ndaj Topallit dhe Patozit: Ju tregoj unë ku është Lulzim Basha
Deputeti i zgjedhur demokrat Muslim Murrizi i kundërpërgjigjet ashpër deklaratave të djeshme të dy prej kundërshtarëve të Lulzim Bashës, Jozefina Topallit dhe Astrit Patozit, të cilët një ditë më parë reaguan pas “shfaqjes” në publik të Bashës, i cili komentoi raportin e zgjedhjeve të ministrave teknikë të PD-së.
Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Murrizi i kthen përgjigje Patozit dhe Topallit duke i sqaruar dhe vendin ku gjendet sot Lulzim Basha, njeriu që sipas Murrizit, mori në 25 qershor votat e 450 mijë shqiptarëve.
Komenti i plotë i Muslim Murrizit
Për ata që nuk e dinë se ku është Lulzim Basha!!!???
Dhe për Ju që klithni, ku është Kryetari Basha?
Këtu është Lulzim Basha, sepse ka marrë 450 mijë vota Shqiptarësh, edhe pse Ju punuat kundra.
Edhe pse miniera hektarë drogë u shndërruan në para për blerje votash.
Edhe pse shteti përdori të gjithë “dynjane” llumhane si vetja kundër vullnetit të qytetarëve.
Këtu është Lulzim Basha, se dy herë rresht ka marrë 80 dhe 90 përqind të votave të demokratëve për të qenë kryetar i PD-së, edhe pse Ju dy herë rresht punuat dhe votuat kundra Lulzim Bashës.
Ju keni qysh në vitin 2011 që punoni, kontribuoni dhe votoni kundra Lulzim Bashës, edhe pse Ai atëherë përballej me Ramën, jo me Ju.
Pjesë të “taborit” Tuaj thonit lart e poshtë që nuk fiton kurrë Basha me Ramën, por ja që Ai fitoi, e ju u mërzitët.
Basha nuk është as Kiço Fotjadhi as Dhimitër Gjoka, as Reis Çiço e as Denis Dyrnanja që japin lajmet çdo ditë e duhet të dalë në ekran si Rama me dëgjesat “popullore”.
Basha nuk është as në zi, as në hasmëri, por lider i opozitës.
Dhe PD nuk është për here të parë në opozitë gjatë 27 viteve jetë të Saj.
PD është sot në opozitë si në korrik të vitit 1992, si në nëntor 1994, si në mars dhe qershor 1997, si në nëntor 1998, si në tetor të vitit 2000, si në maj 2001, si në tetor 2003, e si në qershor të 2013, ( nuk po e fus 2009-ën, se na shpëtoi Dritan Prifti e na fundosi LSI).
E Ju kurrë nuk keni klithur ndonjëherë se ku është Kryetari?
Basha është Kryetar i opozitës Shqiptare, e cila nis misionin e saj në shtator 2017.
Kur shoh që kërkoni “hesap” se ku është Kryetari, Ju që nga dita që shkelët në PD deri në 22 korrik 2013 nuk e belbëzonit dot fjalën Kryetar, më vjen ndot.
Ju që nuk guxonit dot të pyesnit Edën ose Valin se a është Kryetari brenda?
Ju që i bienit derës së kryetarit bosh në ajër dhe ktheheshit mbrapsht se thonit nuk na priti, në fakt Ai nuk dëgjonte kurrë trokitjen Tuaj prej servili.
Ju që nuk linit njeri pa luftuar kur mendonit se nuk i pëlqente Kryetarit.
Ju që për 8 vjet rresht nuk latë askënd ta takonte Kryetarin, por e “ngopnit” me lajme të pa qena, vetëm që Ju të dilnit si “ëngjëll” mbrojtës të Kryetarit.
Ju që shitët lëmë nën emrin e Kryetarit dhe pastaj nga janari i vitit 2013 thonit hajt të heqim “plakun”, jo kryetarin.
Ju që duke ju servilosur në ekstrem Kryetarit filluat të bëni ski në Zvicër.
Ju që nga hija e Kryetarit u bëtë zingjinë të rinj dhe nuk latë gjë pa bërë, nga vilat tek Zamiri, makinat luksoze paratë lumë nëpër banka e kazino dhe qejfet e kabarave të botës.
Ju që kurrë nuk e nxorrët nga goja fjalën Kryetar.
Ju që vdiqët për t’u bërë Kryetarë, por prapanica nuk jua mbajti të hynit në garë.
Ju që kur demokratët hynë në fushatë kundra Ramës, kishit hallin e largimit të Bashës.
Ju që kur erdhi ora të përballeshit me Bashën përpara demokratëve donit që ta kishit fushën e lirë.
Ju që spekuluat me shtresat tradicionale të PD-së, por që kurrë nuk i deshët ato.
Ju që me firmën Tuaj emëruat këlyshë të Enverit nëpër pozicione që t’ju bënin fresk.
Ju që prej 4 vitesh në Kuvend, demek si opozitarë, nuk folët një herë për opozitarët, por merreshit vesh me shenja (me sy e me kokë) me Ramën.
Ju që kurrë nuk keni qenë vetja Juaj, por “kukulla” Kineze me fije në hundë.
Ju që edhe gjatë 4 viteve opozitë keni qenë si veshka mes dhjamit me pushtetin e Ramës, biles jeni “ushqyer” me tendera dhe konçensione.
Ju jeni pjesa më e pështirë që nga viti 1990 që unë kam njohur tek PD, edhe pse gjatë 27 viteve në PD ka pasur “disidentë”, por shumë herë më burrërorë se Ju.
Ju që kishit frikë te na jepnit dorën, sepse na gjykonit si “armiq”, pse kishim guxuar të kundërshtonim jo me servilizëm Kryetarin, që zëvendësoi qëndrestarët e 1997-2005 me Ju.
Ju që nga dita që keni ardhur në PD, sepse bujtës keni qenë, nuk jeni parë për të gjallë gjatë çdo gushti, sot kërkoni që Basha si Kryetar i Demokratëve të “paraqitet” para Jush në gusht, sepse kështu doni Ju.
E kush jeni Ju???
Një grusht njerëzish që rrezuat PD nga pushteti në vitin 2013, që punuat, lobuat e votuat kundra Bashës në vitin 2011, 2013,2015, dhe dy herë rresht në vitin 2017, por fati i “mirë” i Juaji që nuk është hapur kutia ku keni votuar, ashtu siç ju hap kolegut dhe paraardhësit Tuaj në maj 2011.
Këtu është Basha, së bashku me 450 mijë Opozitarët, me 60 mijë anëtarët e PD-së dhe me 43 deputetët e Opozitës.
Kini pak “durim” dhe pastaj gjykojeni për mirë ose për keq.
Katër vite që kaluan, Basha dhe demokratët nuk pyetën kurrë se ku ishit Ju, sepse nuk ju panë në Kuvend për çfarë ju besuan e ju votuan.
As 90 ditë në çadër nuk pyeti njeri për Ju se ku ishit.
E përsëri Ju ishit, por nuk ju pa njeri as me sy e as në zemër.
Tani që nuk jeni, mos mendoni e kujtoni se u bë “Qameti”.

KOHA JONË SONDAZH

